Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pas Teatrit Kombëtar, a është radha e Bibliotekës Kombëtare?

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (BKSH) është institucioni më i rëndësishëm i edukimit dhe i kulturës në Shqipëri, i cili ka nisur të funksionojë që nga viti 1920 dhe mban mijëra tituj të literaturës shqiptare edhe asaj botërore.

Brenda dy viteve të fundit ky institucion është përballur me 2 dëmtime të rënda: zjarri i cili dëmtoi katin e tretë të nëndheshëm në vitin 2017 dhe përmbytja e ndodhur në qershor të këtij viti.

Deklaratat dhe qëndrimet institucionale që pasuan përmbyten e pak muajve më parë, ku u dëmtuan 12 mijë njësi librash dhe pas të cilës nisi dhe një hetim nga Instituti i Ndërtimit, ngritën një tjetër pikëpyetje. A do të ketë edhe Biblioteka Kombëtare të njëjtin fat si Teatri Kombëtar?

“Biblioteka nuk është në standardet e duhura. Zgjidhja afatgjatë do të ishte një bibliotekë e re. Këshilli Bashkiak i Tiranës duhet të mendojë për një vendim shumë të rëndësishëm për një bibliotekë për qytetin. Situata e rëndë ku është lënë trashëgimia është përgjegjësi e të gjithëve”, u shpreh drejtuesja e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani në një konferencë për mediat më 26 qershor, tre ditë pas përmbytjes së institucionit.

Por kjo nuk është ngjarja e vetme e cila duhet të shërbente si një kambanë alarmi për marrjen e masave. Në 15 Maj të 2017, një zjarr në katin e tretë të nëndheshëm të bibliotekës dëmtoi 3.308 njësi librash. Edhe pas kësaj ngjarje, përfaqësuesit e Bibliotekës mbajtën qëndrime të ngjashme, ndërtimin e një godine mbështetëse për BKSH-në, ose ndërtimi i një godine të re për Bibliotekën Kombëtare.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro reagoi, duke ja vënë sërish fajin kushteve në të cilat ndodhet Biblioteka Kombëtare.

“Mbi 1 milionë njësi librore e periodikë janë sistemuar e mirëmbahen nga “amvisat” e Bibliotekës Kombëtare në fondin e këtij institucioni, ku raftet janë të tejmbushura dhe ku prej 15 vitesh ka vijuar puna me raftet “imagjinare” të stivosjes së librave. Kjo situatë e krijuar dhe rënduar në vite është jashtë kushteve normale të ruajtjes së librave”, shkruante Kumbaro ndërkohë që ministria që ajo drejton prej vitesh ka qenë në dijeni të gjendjes dhe nuk ka realizuar asnjë ndërhyrje.

A do të ketë Biblioteka Kombëtare të njëjtin fate me Teatrin?

Dëmtimet e Bibliotekës Kombëtare dhe deklaratat e institucioneve përgjegjëse pas konstatimit të dëmeve, kanë diçka të përbashkët: gjendjen e rënduar të godinës.

Nisur nga ky konstatim, Citizens Channel i kërkoi Bibliotekës Kombëtare buxhetet katër viteve të fundit, për të analizuar investimet që ky institucion bën për rikonstruktimin e godinës. Analizimi i këtyre të dhënave dhe përgjigjet e përfaqësuesve të BKSH bashkohen në një pikë: BKSH nuk ka buxhet dhe nuk ka zhvilluar asnjë procedurë prokurimi për rikonstruksionin e godinës.

“Për vitet 2015-2018” Biblioteka Kombëtare nuk ka pasur fonde në artikullin 231 të buxhetit (rikonstruksione/ mirëmbajtje objektesh), për rrjedhojë nuk ka zhvilluar asnjë procedurë prokurimi”, thuhet në përgjigjen zyrtare të marrë nga BKSH-së.

Ajo që vihet re është se buxheti i përgjithshëm i këtij institucioni ka pësuar një rritje për çdo vit në katër vitet e fundit, megjithatë këto para  shkojnë vetëm për: paga personeli, sigurime shëndetësore dhe shoqërore, shpenzime operative, projekte kulturore etj.

Buxheti që Biblioteka Kombëtare ka pasur për vitin 2015 ka qenë 91.682.048 lekë, në 2016 ky buxhet ka qenë 92.300.735 lekë, në vitin 2017  103.775.899 lekë, ndërsa në vitin 2018, 104.193.583 lekë.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani, ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjes së Citizens Channel nëse ka kërkuar ose jo fonde për rikonstruksionin e ndërtesës së institucionit që ajo drejton.

Ndërhyrje për të parandaluar dëmet, vetëm pasi dëmet kanë ndodhur

Të dhënat e buxheteve të BKSH, tregojnë se vetëm pasi ky institucion u prek nga zjarri ku u dogjën 3.308 njësi librash, u shpenzuan 2,132,400 lekë për blerjen dhe montimi ne pajisjeve për mbrojtjen nga zjarri.

Në përgjigjen e Bibliotekës Kombëtare thuhet: “Konkretisht në vitin 2017 edhe pse nuk ka pasur fonde për mirëmbajtjen apo rikonstruksionin e godinës, Biblioteka Kombëtare ka realizuar disa blerje artikujsh dhe montim pajisjesh për mbrojtjen nga zjarri, si :

  •        Furnizim, vendosje/montim i Sistemit Gjysmë Automatik të Shkumës AFFF;
  •        Furnizim vendosje/montim detektor tymi, sisteme diktim sinjalizim zjarri dhe ndriçues emergjence;
  •        Furnizim montim fikse zjarri automatike dhe portative, furnizim;
  •        Vendosje/Montim Sistemi hidrant të mbrojtjes nga zjarri dhe blerje ËD External Hard Drive 2.5 “My Passport 2 TB dhe 1 TB.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe pas zjarrit që preku BKSH në vitin 2018, në media qarkulluan pamje të punonjësve që mundoheshin të limitonin dëmet duke përdorur mjete rrethanore si tharëse flokësh dhe letra kuzhine.

As ky dëmtimi i dytë nuk ccoi në iniciativën për një zgjidhje të qëndrueshme mbi fatin e godinës së Bibliotekës Kombëtare.

“Po punohet mbi një projekt të një ndërhyrje provizore me natyrë hidroizoluese, dranazhuese,  fuqizimin e ventilimit si dhe instalimi i një rritje sensorësh kundër lagështirës”, deklaroi për mediat Drejtoresha Persida Asllani, pak ditë pas ngjarjes.

Projekti “provizor” për të cilin fliste Asllani është buxhetuar me një fond prej  2.002.000 lekësh, pas raportit të përgatitur nga Instituti i Ndërtimit “Rikonstruksion (punime ndërtimore, punime elektrike, punime mekanike) në sallën P 300 (katet e nëndheshme të BKSH-së)”. Dhe 400.000 ALL (katërqind mijë lekë) në artikullin 230 (studim projektim).

Raporti i Institutit të Ndërtimit – Biblioteka Kombëtare në të njëjtën  “gjendje emergjence” me  Teatrin Kombëtar

Rreth një muaj pas përmbytjes së 23 qershorit, Instituti i Ndërtimit publikoi një raport voluminoz i cili doli në përfundimin se shkak i përmbytjes ishte vetë gjendja e godinës dhe ngriti një sërë shqetësimesh mbi kushtet teknike dhe standardet e ruajtjes së librave.

Pas  më shumë se 15 ditësh nga bërja e ekspertizës, Inspektorati i Ndërtimit doli me një relacion lidhur me godinën e Bibliotekës Kombëtare, sipas të cilit ndërhyrja në këtë institucion ishte urgjente.

“Objekti ka një amortizim të tejskajshëm dhe kërkohet ndërhyrja e menjëhershme. Në kushtet e sotme nuk plotëson standardet. Për këtë arsye duhen marrë masa të menjëhershme”, thuhej në raport, ku rekomandohej largimi i menjëhershëm i materialeve nga soletat për të bërë uljen e ngarkesës dhe lehtësimin e tyre.

Foto: Relacioni Teknik i Godinës së Bibliotekës Kombëtare

Instituti i Ndërtimit  rekomandoi edhe kryerjen  e provave laboratorike  për  strukturat e godinës, për të parë nëse godina është në gjendje ta përballojë aktivitetin që ka.

“Marrjen e masave të menjëhershme për të bërë hidroizolimiet e nevojshme, në ambientet e bodrumeve të objektit, si dhe shtrimet e shtresave të dyshemeve, pasi ato janë jashtë çdo kushti teknik”, shkruhet më tej në raport ,duke shtuar se është e nevojshme që të kryhet një ndërhyrje totale në bazë të një projekti të studiuar për rritjen e performancës së strukturave dhe rifiniturës së vetë ambientit.

Foto: Relacioni Teknik i Godinës së Bibliotekës Kombëtare

Edhe pse Instituti Kombëtar i Ndërtimit thotë se ndërtesa ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme, në relacion thekosohet se është i nevojshëm një ekspertim i mëtejshëm i ndërtesës për të arritur në një konkluzion përfundimtar për shkallën e ndërhyrjeve rikonstruktive apo një gjykim nëse ambientet eksiztuese të Bibliotekës Kombëtare mund të sillen në parametra të përshtatshëm për destiacionin si Bibliotekë.

Në shumë aspekte ky raport ngjason me atë të Teatrit Kombëtar, i cili ishte një ndër argumentet kryesorë të përdorur nga mbrojtësit e tezës së shembjes së godinës.

Në relacionin e realizuar për Teatrin Kombëtar ngrihej problemi se mungonte hapësira e nevojshme që kjo godinë të ruante funksionin e saj, e njëjta gjë vihet re edhe në relacionin e realizuar për BKSH-në.

Referuar informacioneve të marra nga administrata e Bibliotekës Kombëtare, hapësirat në funksion të saj kanë më shumë se 20 vjet që nuk i plotëson nevojat e saj. Kjo ndërtesë konsiderohet “Provizore”, sepse ajo ka qenë e destinuar për të qenë Bibliotekë e qytetit të Tiranës. Mungesa e këtyre hapësirave (referuar informacioneve të marra nga Biblioteka Kombëtare) për të vendosur materialet bibliotekare në Fond, ka detyruar që të krijohen rafte “imagjinare”, të cilat nënkuptojnë vendosjen e librave përgjatë korridoreve dhe shkallëve të kateve bodrum”, shkruhet ne relacion.

Foto: Relacioni Teknik i Godinës së Bibliotekës Kombëtare

Nga ana tjetër pothuajse e njëjta gjë thuhet edhe për sa i përket daljeve të emergjencës. Ku në relacionin për TK shkruhej:“Mungojnë daljet e emergjencës dhe shenjat orientuese për evakuimin e njerëzve në këto raste”, ndërkohë në relacionin për BKSH-në thuhej se vendosja e rafteve  përgjatë  korridoreve dhe shkallëve të bodrumit prej mungesës së hapësirës jo vetëm që pengon shërbimin ndaj përdoruesve, por bllokon edhe daljet e personelit në raste emergjence.

Edhe në rastin e sistemeve të ndryshme hidraulike, higjeno- sanitare, elektrike etj, përfundimet janë shumë të ngjashme me njëri- tjetrin.

I njëjti konstatim është bërë edhe për  sistemin e mbrojtjes nga zjarri, ku për TK thuhet se nuk ekziston fare, ndërsa për BKSH-në sipas relacionit“impianti i mbrojtjes kundër zjarrit si dhe impiante të tjera rezultojnë me probleme te theksuara teknike dhe te pa përshtatshme përkundrejt kushteve teknike te BK”

Raporti ka bërë një pasqyrim të detajuar të gjendjes të godinës së këtij institucioni, duke marrë në shqyrtim gjendjen e shumë sistemeve të cilat duhet të plotësojnë disa kritere konform standardeve të vendosura për Bibliotekat Kombëtare. Ndërkohë  fakt është se vendi ynë po humb ccdo ditë  më shumë pjesë të trashëgimis kulturore dhe historike.

Një ndërhyrje urgjente e Ministrisë së Kulturës në Bibliotekën Kombëtare është diçka e cila duhet të ndodhë shumë shpejt nëse nuk duam që të humbasim një tjetër pasuri e cila duhet tu kalojë brezave.

Në shkurt të këtij viti Ministrja e Kulturës, gjatë një interviste të dhënë në Ora News, deklaroi se ekziston një projekt për Bibliotekën Kombëtare, i cili kushton 8 milion euro por ka hasur me vështirësi zbatimi për shkak të mungesës së hapësirave. Kumbaro gjithashtu bëri të ditur se ishte duke u punuar për realizimin e një biblioteke të  për  qytetin e Tiranës, gjë që nënkupton shkëputjen e BKSH nga funksioni  i saj edhe si bibliotekë të  Kryeqytetit.

*Citizens Channel Denis Tahiri

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *