Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Nisma për libra “falas” nervozon fëmijët dhe prindërit

Geldi, nxënës në klasën e parë, sapo ka nisur të marrë konceptet bazë në lëndën e matematikës. Në faqen 11 të librit i kërkohet të ngjyrosin me blu objektin më të gjatë dhe me të kuqe objektin me të shkurtër. Geldit i pëlqen shumë vizatimi, e kap lapsin me entuziazëm dhe bëhet gati të ngjyrosë. Por fiks në këtë kohë mësuesja iu thotë: “Mos ngjyrosni mbi libër! Objektin më të gjatë nënvizojeni me një vijë të hollë lapsi, ndërsa atë më të shkurtër me dy vija të holla”. Por për Geldin kjo nuk ka kuptim.

“Mësuesja nuk na lë të ngjyrosim, e mua më vjen të mos e hap librin fare”, – thotë Geldi Agalliu, i cili nga nervozizmi jo vetëm që nuk ka bërë një vijë të hollë siç e porositi mësuesja, por e ka grisur faqen e librit në përpjekje për të rrethuar objektin.

Foto: Pjesë nga libri i matematikës ku fëmijët detyrohen të shënojnë me laps

Por nisma e qeverisë për të shpërndarë libra “falas” për nxënësit e arsimit fillor po nervozon edhe një pjesë të madhe të prindërve

Matilda Bega, kryetare e bordit të prindërve të shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto” në Tiranë, tregon për “Citizens Channel” se ndryshe nga vajza që ka në klasë të shtatë, me djalin që sapo ka nisur klasën e parë, po ndjen një presion të panevojshëm.

 “Është skandaloze kjo që po ndodh me tekstet shkollore. Në vend që fëmijët ta kenë mendjen të mësojnë, duhet të kujdesen ta mbajnë librin të pastër. Po si mund të mësojë pa bërë gabime një fëmijë i klasës së parë? Është e pamundur” – shprehet e irrituar Bega.

Pak para nisjes së vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit bëri të ditur se librat do të jepen në përdorim. Nga kjo skemë e re, e cila ka një kosto prej 610 milionë lekësh, përfituan libra “falas” 190 mijë nxënës, nga 400 mijë që ndjekin arsimin 9-vjeçar.

Matilda e ka ndarë mendjen t’i paguajë librat, por duket se kjo nuk është e mundur. “Nuk kam ndërmend të stresoj fëmijën tim për një palë libra. Kërkova t’i blej në librari, por nuk kishte. Ndaj i thashë mësueses së djalit që ai mund të vizatojë, të bëjë ç’të dojë me librin pasi do e paguaj. Mirëpo as kjo nuk na lejohet. Sipas mësueses ai nuk mund çfarë të dojë me librin, pasi mund të kthehet në një model negativ për fëmijët e tjerë”, – na tregon Matilda, e cila ndihet si e zënë në çark nga e gjithë kjo situatë.

Libra falas apo në përdorim?

Nisma për libra “falas” apo në përdorim ka shpërthyer një debat të fortë jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe mes ekspertëve.

Latif Ajrullai, Kryetar i Shoqatës së Botuesve të Librit Shkollor

Latif Ajrullai, Kryetar i Shoqatës së Botuesve të Librit Shkollor (SHBLSH) , shprehet se nisma është pozitive, por pohon se ka qenë një nismë surprizë edhe për botuesit. “Qasja ndaj procesit nuk duhet të jetë euforike, nxënësi duhet të ndihet komod në përdorimin e librit dhe të mos krijohet asnjëherë ideja se, duhet të tregohet kujdes i veçantë, meqë libri do të dorëzohet, – shpjegon Ajrullai. – Ne si botues në mënyrë zyrtare e kemi kuptuar se këtë vit librat do të jenë në përdorim, pasi u bë përzgjedhja nga shkollat, disa javë para se të fillonte viti shkollor. Do të kishte qenë e udhës që Ministria të na caktonte një takim bashkëbisedimi për mënyrën e organizimit dhe problemet që mund të lindnin, por kjo nuk ndodhi. Nga kjo skemë botuesit mund të kenë probleme dhe me autorët për pagesën e honorarëve, që iu takon çdo vit, përderisa libri i tyre përdoret në shkollë (kontrata me autorët janë vetëm për një vit, ndërkohë që teksti do të përdoret për tri vite)”– shpjegon Ajrullai.

Foto: Pjesë nga libri i Gjuhës i klasës së tretë ku fëmijët duhet të shkurajnë në tekst

Ema ndjek klasën e tretë në shkollën “Emin Duraku”. Libri i Gjuhës është plot me paragrafë bosh që duhet të plotësohen në libër. Dhe ashtu siç e parshikon kërkesa e librit, mësuesja, u ka lënë detyrë t’i plotësojnë. Por kjo duket se po kthehet në një rreth vicioz për prindërit.

“Çfarë presin këta që unë në fund të librit të marr lapsin dhe t’i fshij gjithë këto faqe? Më duhet të punësoj një person që t’i fshijë gjithë këto shënime që ua kërkon teksti”, – thotë e ëma e Emës, duke na treguar librin e gjuhës të mbushur me shënimet e vajzës. “Ky lapsi këtu është e pamundur të mos lërë gjurmë për fëmijën që do i përdorë më pas”, – pohon ajo.

Sipas botuesve, nëse Ministria do të kishte nxjerrë udhëzimet përkatëse, atëherë ata mund të kishin reduktuar rubrikat ku fëmijëve iu duhet të plotësojnë në tekst.

Nisma e papërshtatshme, ekspertët japin arsyet 

Ky është një sistem shumë mediokër, që nuk ka koherencë, – shpjegon Majlinda Keta, eksperte e çështjeve të arsimit, që ka drejtuar për vite edhe Drejtorinë Arsimore të Tiranës. Ajo liston tre argumente mbi gjykimin se nisma nuk është e mirëmenduar:

  • “Së pari shkolla jonë nuk është e organizuar në mënyrë të tillë që nxënësi ta mbyllë ciklin në shkollë. Domethënë pas mësimit, bën detyrat, e mbyll çantën në shkollë dhe nuk i duhet ta marrë librin në shtëpi”
  • “Së dyti librat janë me të shkruar dhe, edhe kur fshihen, lapsi lë shenjë”
  • “Së treti, ne nuk përdorim të njëjtat tekste nga shkolla në shkollë dhe së katërti nuk janë marrë parasysh elementët emocionale, pasi ka plot persona që duan t’i ruajnë si kujtim librat e fëmijëve”

Cilësia e librave: Për një vit, jo për tre! 

Kreu i SHBLSH, Latif Ajrullai i jep përgjigje edhe shqetësimit nëse letra e teksteve është aq cilësore sa të mund të përdoret për tre breza. “Cilësia e librave aktualë nuk jep një garanci tre vjeçare, sepse janë parashikuar të punohet mbi ta, kanë shumë rubrika për të plotësuar si dhe çmimet e teksteve në Shqipëri janë më të ulëta se në çdo vend tjetër. Mos harrojmë këtu që besoj, jemi i vetmi vend në Evropë që paguajmë TVSH mbi librin shkollor, – shpjegon Ajrullai. Ne këtë e kuptojmë nga shitjet e çdo viti. Në klasat e ulëta tirazhet janë përherë shumë më të larta se në klasat më të larta, ku ka nxënës që punojnë edhe me librat e një viti më parë. Por jo të dy viteve më parë. Kjo është gati e pamundur”.

Matilda, kryetare e bordit të prindërve të shkollës “Vasil Shanto” për të na vërtetuar, se skepticizmi i saj nuk është i kotë, na tregon një foto të librit të Matematikës: “Shiko se si është shqyer libri i Matematikës, ndonëse jemi në javën e tretë të shkollës. E si do të rezistojë ky libër në qershor?”

Foto: Libri i dëmtuar i Matematikës

Përtej entuziazmit të qeverisë, Majlinda Keta, eskperte e arsimit, thotë se ky projekt nuk është aspak i ri, pasi është implemetuar në vitin 2003 nga Banka Botërore si element i strategjisë për eliminimin e varfërisë, “madje nuk janë shpërndarë vetëm paketat e librave, por edhe paketat me fletore”- sqaron Keta.

Kush do i paguajë librat në qershor?

Pavarësisht deklaratave euforike të qeverisë, Ajrullai, shpjegon se duke u nisur nga eksperiencat e vendeve të rajonit që aplikojnë aktualisht këtë skemë, në fund të vitit thuajse 70% e teksteve do të paguhen. “Përvojat janë nga më të ndryshmet, nga ato që funksionojnë shumë mirë deri te ato, ku nxënësit ngelen pa libra gjatë gjithë vitit, – sqaron kreu i botuesve të librave shkollorë. – Kryesisht përvoja nga fqinjët është se çdo vit ministria e Arsimit siguron deri 70% të teksteve. Edhe pse është parashikuar se librat janë për një afat 3- vjeçar. Sado që fëmijët të kujdesen përsëri gjatë përdorimit ato prishen në masën sa nuk mund të përdoren në vazhdim”, – pohon Ajrullai, i cili sqaron se në fund prindërit gjithsesi janë të fituar sikur edhe një tekst të arrijnë të ruajnë.

Rritja e çmimeve të librave

Në mes të debatit për libra “falas” apo në përdorim, pati edhe prindër që u ankuan për rritje të çmimeve të teksteve shkollore për klasat e 9-vjeçares. Në fakt sipas katalogut të teksteve shkollore 2018-2019, duket se tekstet që po aplikohen sipas sistemit të teksteve të reja të përkthyera kanë pësuar një rritje modeste, aq sa është inflacioni. Por rritje të lartë kanë pësuar tekstet e disa klasave që futen për herë të parë në sistemin e ri. Më konkretisht Matematika 9 është rreth 19 % më shtrenjtë (ishte 463 lekë, bëhet 550 lekë), biologjia 28 % me shtrenjtë ( ishte264 lekë, bëhet 340 lekë) dhe kulmin e arrin Fizika që kushton 34 % më shtrenjtë (ishte 238 lekë, bëhet 350 lekë) .

Si referencë përdorëm libra të fëmijëve që janë përdorur një vit më parë, duke qenë se katalogu i teksteve të vitit 2017-2018 është hequr nga faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit.

*Citizens Channel – Esmeralda Keta

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *