Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Reforma në Arsim penalizon studentët nga pakicat Rome dhe Egjiptiane

Universiteti i Tiranës hapi sot dyert për 5545 studentë të rinj në 6 programet e studimit të ciklit të parë. Ndër këta, vetëm 10 kuota janë ofruar për studentët që vijnë nga minoritetet rom dhe egjiptian, duke përfituar nga përjashtimi në pagesën e tarifës.

Fjordi Peqini, një i ri nga komuniteti Egjiptian tregon vështirësitë për të ndjekur studimet: “Unë muzikën e kam të trashëguar, kam mbaruar shkollën e mesme artistike Onufri për fizarmonikë dhe kisha shumë dëshirë të vazhdoja shkollën e lartë tek Akademia e Arteve për Fakultetin e Muzikë, por gjendja ekonomike e familjes sime ka qenë një nga vështirësitë e mia të mëdha”.

Vështirësitë për të ndjekur procedurën normale të regjistrimit në Fakultet, e detyruan të riun Peqini t’i drejtohej Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, pasi Fakulteti përkatës nuk e njihte udhëzimin e (MASR) Nr. 26 i datës 30/07/2018 i cili i mundëson aplikimin në shkollën e lartë studentëve Rom dhe Egjiptian duke i përjashtuar nga tarifat.

“Unë duhet të paguaj tarifën e shkollës në mënyrë që të vazhdoj shkollimin, gjendja ekonomike e familjes sime është një nga shkaqet që unë nuk mund ta paguaj tarifën, dhe  për këtë arsye unë vendosa të bëj ankesë”, tregon 20-vjeçari Peqini.

Rasti i Fjordi Peqinit është vetëm një nga dhjetëra raste të studentëve rom dhe egjiptian që pavarësisht vështirësive nuk përfitojnë nga kuotat që i takojnë me ligj. Citizens Channel iu drejtua me një kërkesë për informacion Rektoratit të UT për të kërkuar numrin e kuotave për studentët rom dhe egjiptian në pesë vitet e fundit duke përfshirë edhe vitin shkollor që filloi sot, por nuk mori një përgjigje nga ky institucion. Vetëm pas ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, Rektorati i UT është vënë në lëvizje, por ka kthyer sërish një përgjigje të paplotë. Shqyrtimi i të dhënave mbi kuotat e viteve akademike 2014-2015 – 2018-2019, tregon se Reforma në Arsimin e Lartë dhe “autonomia universitare”- një nga pikat më të forta me të cilën Ministrja Nikolla e mbrojti këtë nismë ndaj kritikave, në fakt është përkthyer në ulje të mbështetjes arsimore për të rinjtë që vijnë nga komunitetet rome dhe egjiptiane.

Autonomia e Universiteteve – Më pak mbështetje për studentët e pafavorizuar

Përcaktimi i kuotave për studentët, përfshirë ata nga grupet e veçanta, bëhej më parë me Vendim të Këshillit të Ministrave. Në dy nga vitet e marra në shqyrtim nga Citizens Channel, ai 2014-2015 dhe 2015-2016, kuotat e përcaktuara në këtë mënyrë i ofronin të rinjve rom dhe egjiptian 20 mundësi studimi në Universitet për ciklin e parë të përcaktuara në VKM nr. 517 date 01.08.2014 dhe VKM nr. 638 date 22.07.2015.

Pas ndryshimeve ligjore që shoqëruan reformën e shumë debatuar në arsimin e lartë, kuotat për Universitetet përcaktohen me Vendim të Senatit Akademik. Kjo ishte një ndër liritë që Universitetet fituan nën frymën e “autonomisë universitare” e cila prej kohësh kritikohet se në këmbim të lirisë, i ka hequr universitetit publik një pjesë të mirë të mbështetjes financiare, duke e trajtuar atë në të njëjtën mënyrë me universitetet private.

Në vitin akademik 2016- 2017 kohë kur ligji i ri i Arsimit të Lartë hyri në fuqi, kuotat e përcaktuara për studentët rom dhe egjiptian pësuan rënie. Të dhënat e siguruara nga Rektorati i UT tregojnë se vetëm 7 kuota u miratuan për studentët e pakicës kombëtare Rome dhe 4 kuota për studentët egjiptian.

Ndërkohë për vitin pasardhës (2017-2018), Rektorati i UT, i pyetur specifikisht për numrin e kuotave të këtyre dy minoriteteve ka kthyer një përgjigje të paplotë, duke vënë në dispozicion vetëm numrin e përgjithshëm prej 160 kuotash për studentët e kategorive të veçanta.

E njëjta përgjigje është vënë në dispozicion edhe për vitin 2018-2019. Por, nga një vëzhgim i realizuar nga Citizens Channel në faqet zyrtare të 6 fakulteteve të UT rezulton se 4 prej tyre (Fakulteti i Drejtësisë, Gjuhëve të Huaja, Shkencave të Natyrës dhe Ekonomisë), nuk kanë ofruar asnjë kuotë. Vetëm një nga fakultetet, ai i Shkencave Sociale ka vënë në dispozicion 10 të drejta studimit për të rinjtë rom dhe egjiptian.

Maturantët Rom dhe Egjiptian, të penalizuar edhe nga afatet e aplikimit

Ministria e Arsimit publikoi në datën 30 Korrik këtë udhëzim ku njoftoheshin afatet, procedurat dhe dokumentet e nevojshme që duhet të plotësonin kandidatët për kuotat e vëna në dispozicion të studentëve rom dhe egjiptian.

Udhëzimi përcaktonte një listë prej 7 dokumentesh që duheshin plotësuar në një periudhë prej më pak se dy javësh, çka e ka bërë të vështirë regjistrimin e studentëve nga këto minoritete.

Maturantët nga minoritetet rome dhe egjiptiane u shprehën të shqetësuar se kjo kohë nuk është e mjaftueshme: “Realisht është kohë shumë e shkurtër pasi në rastin tim, unë kam zgjedhur të punoj në sezonin e verës dhe nuk arrij të gjej kohë mjaftueshëm për të kryer të gjithë procedurat që kërkohen por edhe sekretaritë e universiteteve gjenden me pushime, si dhe shqetësimi im është në lidhje me kuotat që janë shumë pak dhe në degën që unë dua të studioj nuk ka”, shpjegon maturanti Aldo Maloku.

Citizens Channel intervistoi Drejtuesin Lëvizjes Rinore Egjiptiane dhe Rome Ervis Cota i cili tha se për shkak të vështirësive në aksesin në internet dhe media të tjera, jo të gjithë studentët mund të njihen me këtë informacion në kohë reale dhe si rrjedhojë nuk mund të plotësojnë dokumentet brenda afatit.

Afati kohor që MASR u ka lënë në dispozicion studentëve Rom dhe Egjiptiane si dhe kategorive të tjera për të aplikuar në programet e studimit ku janë përcaktuar kuota përkatëse nga IAL është i pamjaftueshëm”, tha Cota.

Ai shprehu gjithashtu shqetësimin se kjo periudhë aplikimi (10-24 gusht) pranë institucioneve të arsimit të lartë përkoi në një kohë kur sekretaritë e IAL-ve ishin pushim.

 “Në bazë të kontakteve që LRER ka pasur me disa universitete, sekretaritë e fillonin punën në datën 20 gusht apo edhe 3 shtator. Të ndodhur përpara kësaj situate, MASR duhet të shtynte afatin, me qëllim që të gjithë studentëve tu jepej mundësia për të aplikuar. Në këtë mënyrë do të përmbushej edhe qëllimi i vetë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë me kuotat e veçanta”, tha Ervis Çota për Citizens Channel.

Aktivistët thonë se ka një kontradiktë mes deklaratave dhe vendimeve të Ministrisë së Arsimit për komunitetet rom dhe egjiptian. Në një kohë kur në takimet konsultuese për aktivitetet e Planit të Veprimit të Romëve dhe Egjiptianëve, institucionet deklarojnë shpesh se numri i studentëve nga këto komunitete duhet të rritet, faktet flasin jo vetëm për një ulje të mundësive, por edhe për burokraci që ja bëjnë të vështirë rrugën drejt arsimit.

*Citizens Channel Brejdon Xhavara

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *