Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studimi: Rritet me 7% dëshira e shqiptarëve për të emigruar

Fondacioni Friedrich Ebert Stifung në Shqipëri dhe Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale gjatë periudhës prill – shtator 2018 kanë kryer një studim mbi trendet e emigrimit potencial në Shqipëri. Të dhënat janë marrë nga anketimi i 1423 familjeve dhe vijnë pas një studimi tjetër me këtë fokus të kryer në vitin 2007.

Rezultatet tregojnë se 52% e shqiptarëve dëshirojnë të emigrojnë nga Shqipëria dhe krahasuar me vitin 2007 ky numër njeh një rritje prej 7%. Dëshira më e madhe për tu larguar është tek të rinjtë, meshkujt dhe segmenti më i edukuar i shoqërisë.

Ky studim u udhëhoq nga Russell King, profesor në Universitetin e Sussex në departamentin e Studimeve Globale dhe ekspert në fushën e migrimit.
I pyetur nga Citizens Channel mbi efektin që mund të ketë në vendin tonë dëshira në rritje për të emigruar, sidomos tek personat e shkolluar, ai u përgjigj: “Rreziku është se nëse shumë njerëz largohen nga vendi, veçanërisht njerëzit e edukuar, studentët, të rinjtë e kualifikuar. Kjo do të thotë se ka potencialisht një migrim të aftësive apo të trurit. Sigurisht që kjo do të sjellë në një plan afatgjatë një efekt zvogëlues për Shqipërinë, nëse shumë njerëz largohen.

Rreth 3 dekada pas fillimit të tranzicionit post – komunist, emigrimi dhe pasojat e tij ekonomike, sociale dhe politike janë çështje shumë të rëndësishme në Shqipëri. Më shumë se 1.4 milion shqiptarë  (sa rreth gjysma e shqiptarëve që ndodhen aktualisht në Shqipëri) kanë emigruar më shumë në Itali dhe Greqi dhe në një masë më të vogël në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Gjermani.

World Bank e vendos Shqipërinë midis 20 shteteve në të të gjithë botën që kanë emigrim të lartë.

Në vitin 2015 rreth 66.000 shqiptarë kërkuan azil në vendet e Bashkimit Evropian, shumica u drejtuan drejt Gjermanisë.  Këto të dhëna tregojnë se Shqipëria është një vend që ka emigrim potencial i cili është rritur viteve të fundit. Sondazhet e Gallup, tregojnë se dëshira e popullsisë shqiptare për të emigruar është shumë e lartë.  Krahasimi i periudhës 2013 – 2016 me 2010 – 2012 tregoi një rritje të madhe të emigrimit potencial në Shqipëri, me rreth 20%.  Emigrimi potencial i periudhës 2013 – 2016 ishte 57%, ndërsa ai i periudhës 2010 – 2012 ishte rreth 36%, Gallup e shpjegon këtë rritje me arsyetimin e “papunësisë kronike”.

Faktorët ekonomikë ngelen faktorë kryesorë në rritjen e emigrimit potencial të shqiptarëve edhe në dekadën e tretë të tranzicionit postkomunist.

Ku dëshirojnë të shkojnë shqiptarët?


Bazuar në studimin e vitit 2007 shqiptarët dëshironin të shkonin më së shumti në Itali, Greqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermani. Këto destinacione kanë ndryshuar shumë krahasuar me studimin e vitit 2018. Të dhënat e vitit 2017 tregojnë se shtetet që shqiptarët preferojnë vitet e fundit, janë: Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar.

I pyetur në lidhje me këto ndryshime Dr.Ilir Gedeshi, bashkëudhëheqës i këtij studimi, tha: “Kjo ka ndodhur si pasojë e një sërë ndryshimeve, por ato më kryesoret janë kriza ekonomike globale që preku Italinë dhe Greqinë dhe kriza me azilkërkuesit që shkuan në Gjermani në vitet 2015 – 2016”.

*Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *