Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Protesta studentore: Vazhdon ngujimi dhe bojkoti

Kjo është java e dytë që fakulteti i Shkencave Sociale, Drejtësisë, Historisë dhe Filologjisë, Ekonomikut, Gjeologji Minierave dhe Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës vazhdojnë protestën për vitin 2019.

Studentët vazhdojnë të protestojnë nëpërmjet bojkotimit të mësimit dhe ngujimit në ambjentet e fakulteteve të tyre. Me anë të diskutimeve, ligjërimeve për arsimin e lartë, këngëve dhe lojërave u kanë dhënë gjallëri studentore holleve të fakulteteve.

Studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale në një deklaratë të publikuar një ditë më parë u shprehën se:“Bojkoti do të vazhdojë deri në plotësimin e plotë të kërkesave studentore. Bojkoti i studentëve vë në pah se plotësimi i rremë i kërkesave nga Kyeministria, nuk i gënjën studentët, por tregon se kryeministria është e rreme dhe po gënjen veten. I bëjmë thirrje edhe titullarëve të Universiteteve Publike, të mos bëhen alibia e Kryeministrit se kërkesat janë plotësuar, por të mbështesin bojkotin e studentëve në institucionet e tyre.” 

Studentët vënë në dukje se problemi kryesor i mbarëvajtjes së sistemit arsimor e ka zanafillën tek ligji i ri për arsimin e lartë.

“Bojkoti ynë aktiv vë në pah faktin se nuk ka dalje nga kriza dhe reformim të arsimit të lartë pa angazhimin e studentëve dhe pedagogëve në universitetet publike. Ky është modeli se si qeveria, duhet të  operojë në vazhdim. Të plotësojmë kërkesat tona dhe t’ja lemë përgjegjësinë universiteteve që të fillojnë një diskutim mbarë universitar dhe publik për propozimin dhe draftin e një ligji të ri për arsimin që na nxjerr nga kriza ekonomike, institucionale dhe vlerore.“

Situata në Universitete

Videot e publikuara së fundmi në rrjetet sociale nga grupimet studentore tregojnë situatën e bojkotit në Universitete.  Fakulteti i Shkencave të Natyrës, i Gjuhëve të Huaja, Shkencave Sociale, Drejtësisë, Ekonomisë, Historisë dhe Filologjisë janë kthyer në qendra të rezistencave dhe diskutimit studentor.

 Fakulteti i Gjeologji Minierave

Studentët e fakultetit të Gjeologji Minierave u organizuan në një formë simbolike proteste, për të denoncuar kushtet e këqija në auditore. Ata nxorrën jashtë tavolinat dhe stimuluan një orë mësimore  në shi, duke denoncuar mungesën e ngrohjes në klasa dhe mungesën e një godine për fakultetin e tyre për shkak të tjetërsimit të saj.

Studentët kanë qëndruar në ambientet e fakultetit dhe gjatë orëve të natës, ku kanë përsëritur thirrjet për bojkot dhe plotësim të kërkesave.

 Fakulteti i Ekonomisë

Në Fakultetin e Ekonomikut mbi 200 studentë u janë bashkuar studentëve të tjerë të cilët vijonin ngujimin në ambientet e brendshme të këtij institucioni. Studentët brohorasin dhe duken më të bashkuar pas ngjarjeve të fundit siç ishte ndërhyrja e policisë në ambjentet e këtij fakulteti.

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja

Në fakultetin e Gjuhëve të Huaja është bojkotuar procesi mësimor dhe ambjentet e fakultetit janë të zbrazura. Studentët janë grumbulluar në hollin e fakultetit për t’u bërë pjesë e diskutimeve dhe ligjërimeve.

Fakulteti i Mjekësisë

Të shumtë janë edhe studentët e fakultetit të Mjekësisë të cilët ashtu si fakultetet e tjera në Univrsiteitn e Tiranës janë vendosur në hollin e fakultetit për të diskutuar rreth kushteve dhe cilësisë së arsimit. Në shenjë simbolike ata veshën uniformat e tyre për të brohoritur se edhe “Mjekësia ngujohet”.

Universiteti Bujqësor

Pankarta që shpreh bojkotim të proçesit mësimor është vendosur edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Protestës dhe bojkotit i janë bashkuar edhe studentët e universiteteve të Elbasanit dhe Durrësit.

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan

Studentët e Universitetit të Elbasanit i janë bashkuar bojkotit studentor duke dalë në koridoret e universitetit dhe përseritur thirrjet për bojkot. Me pankartat që mbajnë në duar ata kanë kërkuar edhe mbështetjen nga i gjthë populli shqiptar.

Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”

Koridoret dhe holli i Universitetit të Durrësit janë mbushur nga studentë të cilët kanë brohoritur njëzëri “himnin’ e protestës studentore.

4 ditë më parë studentët që nisën ngujimin në fakultetet e Universitetit të Tiranës u përballën me forcat policore private dhe ato shtetërore. Studentët publikuan një sërë videosh ku denoncohej dhuna verbale dhe fizike e ushtruar nga punonjësit e policisë.


Në mbështetje të studentëve ishte edhe institucioni i Avokatit të Popullit i cili me anë të një statusi në facebook, e konsideroi të papranueshme perdorimin e forcës për shpërndarjen e studentëve.

Janë në kufijtë e të papranueshmes justifikimet se përdorimi i forcës për shpërndarjen e studentëve që kanë zgjedhur ta zhvillojnë protestën e tyre në ambientet universitare, bëhet për të garantuar zhvillimin normal të mësimit në ato ambiente. Ndërkohë që prej më se një muaji është bërë e qartë nga protestat e studentëve se situata nuk është normale, nuk ka asnjë “normalitet” që po ndërpritet nga vijimi i shprehjes së pakënaqësisë së studentëve.”

Reagimi i plotë i Avokatit të Popullit mbi protestat studentore: 

Deklarata e Avokatit të Popullit në Facebook

Në mbështetje të kauzës studentore u shpreh edhe Dekanati i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Në deklaratën e tij Dekanati është në mbështetje të plotë të kërkesave të studentëve, kundër dhunës dhe presioneve të ndryshme, si dhe ka ritheksuar kërkesën për rishikimin e plotë të ligjit për arsimin e lartë.

                      Deklarata e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë

Cfarë kërkojnë studentët dhe çfarë ofroi qeveria?
Përpos ndërmarrjes së një sërë vendimesh nga qeveria Rama për plotësimin e kërkesave, sërish kërkesat financiare të studentëve mbeten të paplotësuara.

Ulja e tarifave të shkollimit 

Ulja e tarifave me 50 % për cdo nivel studimi, do të thotë se pjesa tjetër e pagesës kryhet nga qeveria. Akordimi i një fondi të tillë nga buxheti i shtetit mund të bëhet vetëm duke ndryshuar ligjin e buxhetit për vitin 2019, tashmë të miratuar në Kuvend, ndryshim i cili mund të bëhet me një ligj (amendament) tjetër në Kuvend. Qeveria nuk ka përgatitur ndonjë amendament të buxhetit 2019 për të përmbushur këtë kërkesë. Për aq kohë sa nuk ka një vendim të tillë të Kuvendit, qeveria nuk ka asnjë mundësi praktike të financojë përgjysminin e tarifës së shkollimit.

Rritja e shpenzimeve për arsimin në pesë përqind të PPB-së

Me anë të kësaj kërkese studentët po kërkojnë që arsimi të jetë prioritet parësor në buxhetin e qeverisë. Qeveria nuk e ka premtuar një vendim të tillë, duke u shprehur se nuk ka nevojë të rritet buxheti i arsimit, pasi ka burime të tjera të mjaftueshme për të përmbushur të gjitha kërkesat e studentëve.  Në buxhetin e miratuar të vitit 2019 janë parashikuar 39 miliardë lekë shpenzime për arsimin. Plotësimi i kërkesës së studentëve kërkon më shumë se dyfishimin e buxhetit të arsimit nga qeveria, që duket e vështirë të plotësohet menjëherë, pasi kërkon një ndryshim rrënjësor të prioriteteve të qeverisë.

Përmirësimi i gjendjes në konvikte

Menjëherë pas kërkesës së studentëve për përmirësim të kushteve në konvikte qeveria shqiptare premtoi se rindërtimi tërësor i konvikteve të shkollave të larta do të bëhet brenda tre viteve të ardhshme. Fill pas kësaj, u shpall projekti gjerman i financuar me kredi dhe grant (6,8 milionë euro kredi nga KfW dhe rreth 4,5 milionë euro grant nga qeveria gjermane), i cili parashikon rinovimin e godinave të Qytetit Studenti. Ky projekt pritet të sjellë përmirësimin e 8 godinave të Qytetit Studenti në Tiranë. Por pavarësisht premtimit për rindërtim twrësor brenda tre viteve të ardhshme, ende nuk ka një projekt apo vendim për një ndërhyrje të tillë në godinat e tjera ekzistuese të konvikteve.

*Citizens Channel  /L.K/  /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *