Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Organizatat thirrje qeverisë: “Projektligjet për median cenojnë demokracinë dhe lirinë e shprehjes”

Një grup organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirisë së fjalës dhe organizata përfaqësuese të gazetarëve i kërkuan sot Kryeministrit të tërhiqet nga dy projektligjet për median online.

“Në vendet demokratike, ligjet synojnë të mbrojnë qytetarët nga qeveria dhe jo qeverinë nga qytetarët”, nis deklarata e publikuar nga 8 organizatat.

Në reagim thuhet se këto iniciativa ligjore nuk zgjidhin asnjë nga problematikat e medias, por synojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend jodemokratik duke cenuar rëndë lirinë e shprehjes.

Më tej ngrihen shqetësime mbi kompetencat që planifikohen t’i jepen institucioneve përfshirë AMA-n, Drejtorinë e Tatimeve dhe “Këshillin e Ankesave”, që parashikohen të kenë të drejtën për të gjobitur dhe urdhëruar mbylljen e mediave pa procedura të mirëfillta ligjore.

Organizatat shprehen se kanë verifikuar pretendimet e qeverisë për përputhjen e projektligjeve me “modelin kroat”, duke evidentuar se në Kroaci nuk ka një legjislacion të ngjashëm.

Reagimi mbyllet me propozimin se vetërregullimi i medias dhe edukimi i publikut me njohuri mbi median janë mjetet e duhura për të luftuar problemet e komunikimit online.

Ky është reagimi i dytë i organizatave të Shoqërisë Civile ndaj iniciativës së qeverisë për të ndërhyrë në rregullimin e mediave online. Më 27 dhjetor, ato reaguan përmes një letre publike ku ngritën shqetësime lidhur me mungesën e konsultimit publik, studimeve për gjendjen aktuale dhe relacioneve shpjeguese.

Edhe organizatat ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime mbi këtë iniciativë.  Në një letre të hapur dërguar më 26 dhjetor. Reporterët pa Kufij, Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Eurapiane për Liri të Medias dhe të Shtypit dhe “Pen International”  u shprehën se iniciativa e qeverisë bie ndesh praktikave më të mira dhe rekomandimeve të OSBE-së dhe i kërkuan qeverisë shqiptare të tërhiqet.

Cilat janë projektligjet që kundërshtohen nga Shoqëria Civile dhe organizatat ndërkombëtare:

Qeveria ka propozuar 2 projektligje:
1. “DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.97/2013 “PËR MEDIAT AUDIOVIZIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”,.,  ku propozohen rregullime në lidhje me etikën e medias.
2.  9918 Datë 19.5.2008 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar”  ku propozohen ndryshime për regjistrimin dhe identifikimin e mediave online.

Deklarata e plotë e organizatave:

Deklaratë

Qeveria shqiptare duhet të tërheqë projektligjet për rregullimin e medias në internet.

Në vendet demokratike, ligjet synojnë të mbrojnë qytetarët nga qeveria dhe jo qeverinë nga qytetarët

Një grup organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirisë së fjalës dhe organizata përfaqësuese të gazetarëve i kërkojnë kryeministrit, të tërheqë dy projektligjet për median online. Ne bëjmë të ditur për publikun e gjerë, se këto dy projektligje rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend jodemokratik, cënojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe nuk zgjidhin asnjë nga problematikat ekzistuese të medias, përfshirë gjuhën e urrejtjes, shpifjen, propagandën apo dizinformimin.

Të dy projektligjet synojnë të krijojnë një regjistër të çdo faqeje në internet dhe i japin të drejtë një institucioni të quajtur “Këshilli i Ankesave”, të gjobisë mediat në bazë të kërkesave të tëtretëve, ose të urdhërojë mbylljen e mediave, ose të aksesit në faqe interneti në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Projektligjet u japin të drejtë AMA-s ose tatimeve, të gjobisin dhe mbyllin median online, pa një procedurë të mirëfilltë ligjore, duke rritur rrezikshëm nivelin e censurës e vetëcensurës ekzistuese në median shqiptare.

Ne vërejmë se rezulton i pasaktë pretendimi i shprehur disa herë nga AMA dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama, se projektligjet në fjalë mbështeten në “modelin kroat”.Nga verifikimet tona, në Kroaci nuk ekziston asnjë legjislacion i ngjashëm për mbikëqyrjen, gjobitjen dhe mbylljen e medias në internet.

Nëse maxhoranca socialiste do të miratojë këto dy projektligje, demokracia jonë hibride do rrëshqasë drejt modelit të një regjimi autoritaritar. Kjo, pasi në vendet demokratike, ligjet synojnë të mbrojnë qytetarët nga qeveria dhe jo qeverinë nga qytetarët.

Duke pranuar problemet e shumta që shfaqen në botën e internetit në formën e fyerjes, shpifjes apo gjuhës së urrejtjes, organizatat gjykojnë se projektligjet në fjalënuk zgjidhin problematikën ekzistuese, por rrezikojnë të kthehen në mjete presioni mbi gazetarët dhe mediat kritike.

Vetërregullimi i medias dhe edukimi i publikut përmes fushatave për rritjen e njohurive mbi median, propagandën, dizinformimin apo lajmet e rreme janë mjetet e duhura për të luftuar problemet në komunikimin online dhe jashtë rrjetit.

Duke marrë parasysh detyrimet e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian, ne vërejmë se të dy projektligjet e propozuara përbëjnë hap pas në procesin e integrimit.

Lista e organizatave nënshkruese:

  • BIRN Albania
  • Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë
  • Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
  •  AIS/Open Data Albania
  • Civil Rights Defenders
  • Këshilli Shqiptar i Medias
  • Qendra Shqiptare MediaLook
  • New Media Network

Ligjet që kërkohen të tërhiqen janë: Për “Disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” dhe “Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9918 Datë 19.5.2008 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar”.

*Citizens Channel /l.k./

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *