Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

8 Marsi i 2019: “Protesta e Zisë” në përkujtim të viktimave të dhunës

Qindra aktivistë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe rrjeteve të mbrojtjes së gruas marshuan sot në “Protestën e Zisë” në përkujtim të viktimave gra të dhunës, por edhe për t’u dhënë zë atyre të cilat ndihen të pafuqishme.

Fillimi i vitit 2019 ka qenë i përgjakur, duke shënuar deri më tani 8 vajza e gra të vrara nga njerëzit e familjes. Protesta nisi në orën 11:00 para Drejtorisë së Policisë ku vajza, gra, aktivistë dhe qytetarë u mblodhën me pankarta në dorë duke u bërë thirrje institucioneve se duhet një reagim më i fortë për t’i dhënë fund këtij realiteti të dhunshëm dhe për t’u bërë thirrje të gjithë atyre grave që janë duke përjetuar dhunë, se nuk duhet të heshtin më.

Më pas protesta u zhvendos rrugëve të Tiranës, me thirrjet e herëpashershme të qytetarëve e aktivistëve “nuk duam lule, duam të drejta” për të mbërritur para Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e cila në këto muaj nuk ka dalë me asnjë qëndrim për jetët e grave te humbura.

Në deklaratën publike të organizatave të cilat morën pjesë dhe organizuan protestën kërkohet t’i bëhet thirrje shoqërisë se kundër dhunës e abuzimit duhet të jenë të gjithë, burra, gra, vajza e djem.

“Ne kërkojmë që sistemi i mbrojtjes të jetë funksional në Shqipëri për çdo individ!

Ne kërkojmë mos neglizhim të asnjë çështjeje që ka lidhje me dhunën në familje apo abuzimin seksual!

Ne kërkojmë vënien përpara drejtësisë së dhunuesve dhe trajtim të detyrueshëm terapeutik për secilin prej tyre!

Ne kërkojmë rritje të aksesit të grave ndaj shërbimeve që janë të disponueshme për to!

Ne kërkojmë që dinjiteti njerëzor i vajzave dhe i grave shqiptare të mos cenohet më!”

“U quajt protesta e zisë, por duhet te jemi të qartë që kurrsesi nuk është viktimizuese. 2019, për ne nisi me 8 gra të vrava, ky është realiteti jonë. Ne sot jemi këtu për të bërë një homazh për gratë e vrara, por sigurisht edhe për të folur. Gratë në shoqërinë shqiptare janë të lindura ta pabarabarta, Ne jetojmë në një realitet ku sot në shumë krahina akoma gjuhet me pushkë thjesht për faktin që lindi djalë. Që këtu fillon pabarazia. Duhet të punojmë dyfish, të sakrifikojmë dyfish, të strapacohemi dyfish thjesht dhe vetëm për faktin që jemi grua. Pavarësisht se ne mund të jemi të arsimuara , të afta, në qoftë se ne hyjmë të konkurrojmë në një punë bashkangjitur me një burrë ne për vetë faktin që jemi gra, anatemohemi”. u shpreh Rozela Ziu, aktiviste e të drejtave të njeriut.

Protesta nuk u zhvillua vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit. Vlora, Durrësi, Kukësi, Saranda, Rrësheni, Pogradeci, Fushë Kruja, Shkodra dhe Peshkopia iu bashkuan protestës duke u veshur me të zeza në simbolikë të jetëve të grave të humbura dhe të realitetit të grave shqiptare.

Protesta në Vlorë

Në qytetin e Vlorës qytetarët dhe aktivistët u mblodhën për t’i thënë mjaft dhunës ndaj grave dhe se 8 mars duhet të jetë cdo ditë.

Protesta në Durrës

Qyteti i Durrësit i është bashkuar Protestës së Zisë me pankarta të shumta të cilat mbanin thirrje për ndalimin e dhunës ndaj grave dhe marrjes së jetës së tyre.

Protesta në Shkodër

Në qytetin e Shkodrës, marshimi ka nisur përgjatë pedonales, për të përfunduar përpara bashkisë Shkodër, ku janë mbajtur edhe fjalime nga pjesëmarrësit.

Protesta në Sarandë

Gra, vajza dhe aktivistë të Sarandës kanë marshuar në pedonalen e qytetit ku janë shprehur se progresi për gruan është progres për të gjithë shoqërinë.

Protesta në Peshkopi

Gratë dhe vajzat e qytetit të Peshkopisë kanë refuzuar të festojë vetëm një ditë dhe në vend të luleve kanë kërkuar më shumë të drejta.

Protesta në Kukës

Të rejat e Kukësit, gjatë marshimit të tyre me anë të pankartave theksuan se dhuna nuk ka asnjëherë justifikim.

Kjo është hera e parë pas kaq vitesh që Tirana dhe qytetet e tjera ngrihen në protesta ditën e 8 Marsit, pasi çdo vit vendi i është lënë festimeve.

Dhuna gjatë vitit 2018 në shifra

3690 ose 73.4% e numrit total të viktimave të dhunës gjatë 2018 kanë qenë gra/vajza ndërsa 1343 ose 26.6% janë burra.

Gjatë vitit 2018 janë evidentuar 148 raste të shkeljeve të Urdhrave të Mbrojtjes, ose 19 raste më shu7më se gjatë vitit 2017, ku u evidentuan 129 raste.

Gjatë vitit 2018 kanë ndodhur 11 vrasje ne familje, 20 viktima kanë humbur jetën.

Viktimat gra/vajza janë bashkëshorte, motra, kunata, nena, bija dhe numri i madh i tyre tregon qartë ndikimin gjinor të dhunës.

*Citizens Channel /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *