Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dhuna ndaj gruas: Shoqëria dhe media përballë vrasjeve “pas dyerve të mbyllura”

Vrau gruan me…e vrau sepse…mund t’a ketë bërë padashje…shpreh pendim..”

Janë këto disa nga titujt kryesorë të cilat shoqërojnë edicionet informative në ekranet shqiptare dhe në rrjetet sociale në internet. Mjafton të bësh një kërkim të thjeshtë dhe titujt bombastikë të shprehin vrullshëm të gjitha mënyrat dhe arsyet që kanë çuar në krimet ndaj grave dhe vajzave, atë të vrasjes.

Viti 2019 nisi përgjakshëm, duke shënuar vetëm 5 muajt e parë 9 gra të vrara, përkatësisht një grua e vrarë çdo dy javë.

Citizen Channel sjell videon e parë të ciklit “Pas dyerve të mbyllura”, e cila përmbledh shkurtimisht mënyrën si media i trajton rastet e dhunës, përballë thirrjes së aktivistëve dhe qytetarëve për më shumë ndërgjegjësim ndaj këtij fenomeni.

Disa shifra dhe statistika:

Shqipëria ka numrin më të lartë të vrasjeve të grave nga partnerët, në krahasim me vendet e tjera në Evropë. Të dhënat e e Studimit Global mbi Dhunën në Bazë Gjinore tregojnë se niveli i vrasjeve nga partnerët është 0.7 për 100.000 mijë gra.

Pas Shqipërisë, në vend të dytë është Islanda, me 0.6 vrasje për 100 mijë gra, e ndjekur nga Kroacia (0.5), Lituania (0.5), Finlanda (0.4) dhe Zvicra (0.4).

Të dhënat e INSTAT dhe UNDP, të përditësuara me raportimet në media dhe polici tregojnë se nga viti 2010 deri më sot, numri i grave të vrara në Shqipëri është 115 dhe në më shumë se 70% të rasteve, autorë janë partnerët.

Rrjeti Shqiptar i Fuqizimit të Grave (AWEN), raporton se 28% e vajzave midis moshës 16-19 vjeç që kanë qënë në marrëdhënie intime, kanë rënë pre e dhunës nga partnerët.

Një studim i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ku u anketuan më shumë se 15 mijë gra nga rajoni, tregon se vetëm një pjesë e vogël e rasteve raportohen në polici.

Në vetëm 3% të rasteve policia është njohur me incidentin më serioz të dhunës shkaktuar nga partnerët aktual të grave të anketuara në Shqipëri. Ndërkohë vetëm 13% e grave raportojnë se kanë denoncuar vetë në polici rastet e dhunës. Ajo që bie në sy është se rastet kur policia është njohur me incidente të dhunës së pa raportuar janë vetëm 0.4% e totalit, shifër më e ulët se të gjitha vendet e përfshira në studim.

A janë policia, gjykatat dhe autoritetet të afta dhe të fuqishme për të krijuar siguri dhe mbrojtje për gratë dhe vajzat shqiptare?

Për të mbrojtur gratë dhe vajzat janë dhënë 4411 urdhëra mbrojtje vetëm për vitin 2018. Nga këto urdhra mbrojtjeje, 148 prej tyre janë shkelur duke rrezikuar jetën e grave dhe vajzave, shifër kjo më e lartë se vitit 2017. Edhe pse kanë qenë nën mbrojtje ligjore, sërish kanë qenë të padobishme, pasi shumë gra dhe vajza janë vrarë gjatë kohës kur kanë pasur mbrojtje.

Është Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ajo e cila përcakton qartë të drejtat e individit dhe detyrimet shtetit për t’i mbrojtur, në të cilën përcaktohet se “e drejta e jetës mbrohet me ligj”. Po ashtu Ligji nr.9669 i vitit 2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” synon që të parandalojë dhunën në familje si dhe të garantojë me masa ligjore mbrojtjen e çdo anëtari të familjes i cili është viktimë e dhunës.  Konventa e Stambollit ndër të tjera, e miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, është pranuar nga Shteti Shqiptar si një ndihmesë në parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave na familje.

Si pjesë e cilklit “Pas Dyerve të Mbyllura”, Citizes Channel do të publikojë në platformën Citizens Stories, histori të grave që kanë qenë viktima të dhunës, duke rrëfyer hapin e guximshëm për të dalë nga martesat e dhunshme, paragjykimet dhe stigmën e shoqërisë dhe vështirësitë që lindin nga mungesa e mbështetjes së institucioneve për ri-integrimin në shoqëri.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

One Response

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *