Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Dy gjyqe të fituara dje nga gazetarët, përballë refuzimit për dhënie informacioni

Gjykata Administrative ka marrë dje dy vendime në favor të gazetarëve përballë mohimit të dhënies së informacionit nga institucionet publike.

Gazetari investigativ Artan Rama fitoi gjyqin përballë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës (MEI)ndërsa Rrjeti ndërsa Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative (BIRN) në Shqipëri fitoi një betejë ligjor tre vjeçare për deklasifikimin e informacioneve nga Shërbimi Informativ Shqiptar.

“Unë vlerësoj kurajon me të cilën Gjykata vendosi në favor të transparencës, në favor të interesit publik” tha për Citizens Channel gazetari Rama, të cilit MEI i mohoi dhënien e informacionit mbi listën e hidrocentraleve që nuk janë objekt koncensioni, miratuar prej vitit 2015.

Gjykata Administrative dha një vendim me ekzekutim të përkohshëm në favor të gazetarit, çka nënkupton dhënie të menjëhershme të informacionit, pa pritur procedurën e apelimit.

“Gjykata më dha, jo vetëm të drejtë por e detyroi ministrinë që të më japë informacionin që kam kërkuar, pikërisht tani, në kohën e duhur” shprehet Rama

Vendimi i dhënë në favor të tij është risi për praktikën gjyqësore shqiptare, e cila edhe më parë i ka dhënë të drejtë gazetarëve, por i ka detyruar më parë të presin me vite për shkak të vonesave në shqyrtim. “Çështja mund të merrej në shqyrtim pas një apo dy viteve, ndërkaq aktualiteti do të kishte humbur, çka do ta bënte lajmin të padobishëm”, shton Rama.

BIRN Albania vs. Shërbimi Informativ Shqiptar

Pas një beteje ligjore të nisur në mars të vitit 2016 BIRN siguroi të drejtën ligjore për deklasifikimin e raporteve dhe statistikave të prodhuara nga Sigurimi i Shtetit gjatë regjimit komunist.

“Vendimi është pozitiv por tejet i vonuar dhe që mbetet ende i papërfunduar sepse do të duhet të zbatohet”, tha për Citizens Channel Gjergj Erebara, gazetar i BIRN në Shqipëri i cili shtoi se ky është një hap i rëndësishëm, por jo përfundimtar sepse zbatimit duhet të bëhet nga institucione të tjera përfshirë Autoritetin e Dosjeve, Ministrinë e Brendshme ose Arkivin e Shtetit.

Erebara thekson se ky rast duhet të shërbejë si shembull për institucionet e tjera: “Do të ishte mirë që arsyetimet të shërbenin si udhërrëfyes për institucione të ndryshme publike që disponojnë informacione të këtij lloji, të klasifikuara si sekret dekada më parë dhe të harruara si të tilla”.

Drejtësi e vonuar – drejtësi e mohuar

Sipas raportit “E drejta e Informimit” të publikuar nga qendra Res Publica, një kërkesë për informacion kërkon mesatarisht 105 ditë (26 ditë përgjigja fillestare, 25 ditë reagimi administrativ dhe 54 vendimi i Komisionerit për të drejtën e informimit),nëse kalon në të gjitha strukturat që parashikon Ligji për të Drejtën e Informimit.

Ky afat kohor vlen për kërkesat që nuk futen në proces gjyqësor, ku procedurat mund të zgjaten me vite.
“Problemi më i madh me vonesën është që administratat publike kanë mundësi të mësojnë të zvarrisin realizimin e kërkesave për të drejtë informimi duke sajuar procese të gjata gjyqësore”, thotë Gjergj Erebara nga BIRN.

Vonesat e tejzgjatura në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë kanë shkaktuar probleme në mbarëvajtjen e punës për gjykatat e Shqipërisë. Aktualisht çdo gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit duhet të shqyrtojë 70 dosje në muaj, nga një volum prej rreth 20.000 çështjesh të prapambetura.

“Nëse nuk arrijmë të raportojmë informacionin e kërkuar në kohën e duhur, vendimmarrja e grupeve të interesit mund të rezultojë e gabuar për interesat e publikut të gjerë”, shton gazetari Artan Rama.

Sipas Erebarës, vonesat në aplikimin e të drejtës së informimit, janë tregues i mungesës së kapaciteteve në sistemin gjyqësor: “Përveç që të ankohemi për pritjen tre vjet, duhet të ankohemi në përgjithësi për kapacitetet e pakta të gjykatës administrative të apelit dhe pasojat e përgjithshme që ka krijuar kjo gjë për shqiptarët në përgjithësi”.

*Citizens Channel  /l.k./ /f.s/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *