“Ne për momentin ekzistojmë, jemi brenda një qelie siç kemi qenë për shumë gjëra. Ajo çfarë kërkojmë është lirinë nga kjo qeli”, shprehet për Citizens Channel artisti Klodian Luca, i cili ishte kontribues në ekspozitën “Anonymous” që u hap ditën e enjte, 27 qershor, në galerinë “Scissors” pranë IronBrush Tirana.
Ekspozita shfaqi punime të disa artistëve në formën e “Street Art” (Arti i Rrugës) të cilat pak herë mund të jenë hasur nëpër rrugët e Tiranës. Në dyshemene e “qelisë” ishte printuar dhe hedhur Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e cila u shkel për 3 orë radhazi nga personat që vizituan ekspozitën.
Qëllimi i kësaj ekspozite është të pasqyrojë situatën e vështirë ku ndodhet arti i rrugës në Tiranë nëpërmjet simbolikës së mbylljes në një qeli.
Tetë artistë nën pseudonimet Kilobajt, Diversanti, Grifsha, Macja e Zezë, Silent Alien, Guerrila , Sanke dhe Truman iu përgjigjën thirrjes së hapur të organizatorëve për të ekspozuar punët e tyre.
Artistët e rrugës tregojnë se punimet e tyre grisen ose fshihen brenda ditës nga punonjësit e Bashkisë, ata nuk janë të lirë të shfaqin emocionet dhe ndjesitë e tyre; qelia ku u fut Street Art-i, ishte simbolika e parë për të treguar se censura në rritje i ka burgosur ata. Simbolika e dytë ishte Kushtetuta e Shqipërisë e cila në vetvete është dokumenti më i rëndësishëm i Republikës. Kreu II/Neni 22 i garanton të drejtën e lirisë së shprehjes çdo individi në Republikën e Shqipërisë, por artistët e rrugës janë të privuar nga liria e mendimit dhe kritikës e shprehur nëpërmjet atij lloj artin, pra kjo liri u është shkelur.

Në Tiranë është vetë Bashkia ajo që kontrollon artin e rrugës, duke dhënë leje për pikturat në fasada, mureve e pallateve apo kabinat elektrike të kryeqytetit. Ndërkohë që artistët e StreetArti-t nuk shprehen kundra kësaj nisme, por artikulohen se piktura të tilla nuk e përfaqësojnë shoqërinë dhe nuk lidhen aspak me realitetin.
“Ndërkohë qyteti fillon edhe vishet me disa ngjyra të cilat nuk i ngjajnë qyteteve të tjera. Është një art i cili nuk i përshtatet asaj që ne përjetojmë” pohon Klodian Luca.
Ata gjithashtu shprehen se Street Art-i është i dënueshëm në Tiranë, sepse pikturimi pa leje i fasadave në Tiranë mund të gjobitet deri në vlerën e 40.000 lekëve. Artistët theksojnë se kjo është nismë e Bashkisë Tiranë dhe asnjë Bashki tjetër nuk e aplikon.
“Është një normaturë që e ka nxjerrë kryebashkiaku i Tiranës dhe jo Bashkitë e tjera. Vetëm e Tiranës. Donte ta monopolizonte këtë formë të artit sepse donte ta kontrollonte. Është formë kontrolli” , artikulon artisti me nofkën “Diversanti” gjatë intervistës së tij për Citizens Channel.
Përveç simbolikave të përcjella, artistët parashtruan edhe kërkesat e tyre; krijimi i një hapësire ku ata mund të shprehen dhe të jetë e dedikuar pikërisht për këdo individ që dëshiron të shfaqë ndjenjat, perceptimet, emocionet pa u ndeshur më censurën dhe fshirjen e veprave brenda natës.
“Nisma e kësaj ekspozite ishte në një farë mënyre një kërkesë; na e tregoni atëherë, na tregoni vendet ku mund të bëhet art. Aktualisht nuk ka!”, shprehet Diversanti.
*Entenela Ndrevataj | Citizens Channel