Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Të pastrehë dhe të padukshëm…

Naimi është një nga personat të cilit i duhet të kalojë netët dhe ditët rrugëve të Tiranës. Pavarësisht nëse koha është me diell apo me shi, shtrati i tij janë rrugët e Tiranës dhe disa kartona të cilët i përdor si shtresa të ndryshme.

Naimi tregoi për Citizens Channel se ka 20 vite që është në situatë rruge dhe është 43 vjeç. Ai nuk kishte njohuri të zgjeruara mbi institucionet që përkujdesen për personat me statusin e tij dhe përpjekjet e tij për të dalë nga gjendja ekzistuese ishin minimale.

Në një komunikim me Citizens Channel, Bashkia Tiranë tregoi se nën administrimin dhe financimin e saj janë 6 qendra sociale multidisiplinare dhe vetëm një prej tyre ofron strehim të përkohshëm.

Citizens Channel kaloi një natë me të dhe mësoi se jeta e “rrugës” është shumë larg të qenurit një jetë e lehtë dhe gjithashtu jeta e Naimit duket sikur fatkeqësisht nuk do e fitojë kurrë statusin e mëparshëm.

Në përgjithësi këta njerëz aty ku kalojnë natën aty edhe punojnë, më të shumtët. Do të thotë që  ata krijojnë një ambient që e perceptojnë të sigurt ose që e mendojnë më pas si ambient të tyren. Ata nuk munden të zhvendosen në shumë ambiente, shumë larg, d.m.th mundohen të mbajnë një vend të qëndrueshëm”, thotë për Citizens Channel Anora Kroj, psikologe klinike.

Ajo tregoi gjithashtu se përveç pjesës institucionale, probleme shpesh, ose ndoshta në herët më të shumta të rasteve hasen dhe në përballje me shoqërinë dhe me mjedisin përreth. Ri-integrimi dhe pjesëmarrja aktive në shoqëri, duket një sfidë e humbur.

Këta persona ndihen një grup vulnerabël sepse ne, masa, i trajtojmë si të tillë. Mundohemi që as sytë të mos ua hedhim kur kalojmë aty, i bëjmë të ndjehen inekzistentë. Nuk i  pranojmë për shkak se dikujt mund t’i prishi imazhin e pallatit ku jeton, dikush tjetër e injoron totalisht sepse e quan si një qenie që është ndryshe nga ne”, sqaron Kroj për Citizens Channel.

Ajo gjithashtu thotë se është shumë e rëndësishme që ta shikojmë tjetrin si të ngjashëm dhe jo si të ndryshëm nga vetja dhe se kjo qasje do të ishte disi më ndihmuese kundrejt personave në gjendje rruge.

Strehimi nga pikëpamja ligjore…

Në 15 shkurt të vitit të kaluar u miratua ligji i ri Për strehimin social” i cili ka si objekt kryesor përcaktimin e rregullave dhe procedurave të shpërndarjes së programeve sociale për strehimin.

Ligji parashikon 6 programe të strehimit social që përfshijnë disa kategori:

  • Programi i banesave sociale me qira
  • Programi për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, deri në një ndërtim të ri;
  • Programi i banesave me kosto të ulët
  • Programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi;
  • Programi për krijimin e banesave të përkohshme;
  • Programi i banesave të specializuara

Të dhënat e studimit të realizuar nga qendra T’Reja tregojnë se numri i personave në situatë rruge që përfitojnë nga programet e strehimit është shumë i ulët.

Nga 101 individë të identifikuar në situatë rruge, 40 prej tyre janë referuar për të përfituar nga programet sociale të strehimit për vetëm 15 prej tyre kanë përfituar duke zgjidhur kështu problemin e strehimit.

Ligji i ri i strehimit ka përcaktuar 15 kushte sociale, të cilave u përcaktohet përparësi në përfitimin e programit, por personat në situatë rruge nuk përfshihen direkt në asnjë nga këto kategori.

Sipas Ola Tares drejtuese e qendrës T’Reja që ka realizuar  një Studimin për Personat në Situatë Rruge, një nga arsyet që i privon ata të përfshihen në skemat e strehimit është vetë procesi: “Njerëzit sigurisht janë përpjekur për të dalë nga ajo situatë, megjithatë për shkak të vështirësive të ndryshme, duke marrë parasysh edhe mungesën e një pune të qëndrueshme, apo mungesa e kualifikimit dhe të ardhurave nuk i ka lejuar që të përfitojnë nga këto programe”.

Ajo shton se edhe personat që arrijnë të përfshihen, hasin vështirësi për të qëndruar brenda programeve të strehimit:“Kontrata është deri në një vit, por pas një viti duhet sërish të plotësosh të gjitha dokumentet dhe ri-përzgjidhesh nga komisioni i vlerësimit në Këshillin Bashkiak, domethënë çdo vit të bësh të njëjtën gjë”.

Sipas Tares, janë burokracitë një nga faktorët që i bëjnë këta persona të dorëzohen: “Në një moment shumë prej tyre janë shprehur që janë lodhur, janë të zhgënjyer dhe kanë ndaluar aty… duke vendosur të vazhdojnë  në rrugë për aq kohë sa të jetojnë”.

Psikologia e Qendrës “T’reja”, Anora Kroj tregon se procesi i aplikimit është i vështirë, i gjatë dhe i lodhshëm dhe shpeshherë personat që kanë nevojë e humbasin shansin që të përfitojnë një banesë sociale.

Por përfitimi nga programet e strehimit është vetëm një pjesë e problemit. Vështirësitë e tjera nisin kur këta persona përpiqen të sigurojnë një banesë me qera.

Një nga problemet e tjera që hasin personat në situatë rruge, është diskriminimi nga shoqëria, kur kanë nevojë që të marrin një banesë me qera.

“Një rast që do ta quaja të suksesshëm, kemi arritur deri sa kemi përfituar bonusin e social. Pra dokumentacioni ka shkuar shumë mirë, por këtu ka pasur një ngecje, sepse vetë ne që jemi masa e gjerë e popullsisë së qytetit të Tiranës, por jo vetëm këtu, edhe më gjerë, hezitojmë që të japim banesa përkundrejt qerasë sepse i paragjykojmë”, tregon psikologja Anora Kroj për Citizens Channel.

*Citizens Channel/ F.S./

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *