Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Vrulli i qeverisë për të vendosur drejtësi ndaj Mihalit, mund të rëndojë xhepat e qytetarëve

Konflikti fizik që shoqëroi turistët spanjollë në Porto Palermo me pronarin e hotelit “Panorma”, vendosi shtetin shqiptar në lëvizje. Hoteli në pronësi të Mihal Kokëdhimës, u prish ditën e djeshme nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtejs së Territorit (IKMT). Pronari i lokalit ndodhet në qeli, pasi gjykata disa ditë më parë vendosi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.

Sipas njoftimit zyrtar të IKMT-së, objekti zotëronte 2 mijë metër katror dhe rezultonte pa leje, ndërkohë që kundrejt pagesës shfrytëzonte edhe pjesën e plazhit. Prishja e objektit nuk ka hasur në kundërshtim të familjarëve Kokëdhima, ndërkohë është realizuar në bashkëpunim me policinë e shtetit. Sipas IKMT-së, ky operacion do të shtrihet edhe përgjatë vijës bregdetare të vendit.


 

“Vrulli për të vendosur drejtësi mund t’i kushtojë xhepave të taksapaguesve”

“Natyrisht që edhe me një llogari deduktive e kupton që në rastin e prishjes së objektit tregëtar të Z.Kokëdhima, nuk janë respektuar afatet e njoftimit, sipas ligjit 9780 “Për Inspektimin e Ndërtimeve”, tha për Citizens Channel aktivisti Pano Soko. 

Ligji për inspektimin e ndërtimit, në nenin 12 përcakton rregullat që duhet të ndjekin inspektorët në kontrollin dhe pasqyrimin e procesverbalit.

Inspektorët, të cilët duhet të identifikohen me dokument zyrtar, duhet t’i vënë në dispozicion subjektit një kopje të proces verbalit brenda 5 ditëve nga dita e kontrollit. Në rastet kur kjo është e pamundur, procesverbali duhet të afishohet për 10 ditë në vendpublikimet e institucioneve vendore dhe kantierit të ndërtimit, kjo me qëllim që subjekti të njoftohet për rezultatet e kontrollit. 

Neni 13 i po të njëjtit ligj  parashikon se pas konstatimit të parregullsive, që në këtë rast janë bërë shkak për refuzimin e kërkesës për legalizim të objektit (dosje e cila qendron që në vitin 2015 në arkivën e IKMT), nga nënshkrimi i procesverbalit të inspektimit në terren ku bëhej verifikimi, duhet të kalojnë deri në 10 ditë për prishjen e ndërtesës. Në këtë rast kemi të bëjmë me një shkelje të ligjit nga ana e IKMT-së, e cila i hap rrugë pronarit të objektit për të çuar çeshtjen në gjykatë dhe gjasat për t’u përsëritur i njëjti skenar i ndodhur në vitin 2013 me prishjen e resortit “Jon” në Vlorë, janë të mëdha.

Nëse personi apo subjekti i kontrolluar ka ankesa dhe është kundër vendimit për prishje të ndërtimit apo masave administrative të vendosura ai ka të drejte të ankohet në gjykatë brenda 10 ditëve duke filluar nga data e njoftimit të vendimit. Në nenin 14 të ligjit 9780 thuhet se kjo lloj ankese nuk e pengon apo pezullon ekzekutimin e vendimit të Inspektoraitit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar. Por nëse gjykata , me anë të një vendimi të formës së prerë, vendos të pranojë padinë nga personi që zotëron ndërtesën, ky person, pra i dëmtuari, ka të drejtë që të kërkojë nga inspektoriati ndërtimor që ka marrë vendimin e prishjes së ndërtesës dëmshpërblim për dëmin e kërkuar.

A u respektuan këto afate në aksionin për prishjen e ndërtesës në Porto Palermo?

Konflikti me turistët ka ndodhur mesditën e së enjtes, më datë 16 gusht, por pamjet kanë qarkulluar në internet ditën e premte. Sipas informacioneve zyrtare, Inspektoriati kreu kontrollin ditën e shtunë, ndërkohë që së bashku me policinë e shtetit ka ndërhyrë në ndërtesë me datë 21 gusht. Pra përkatësisht në ditën e pestë, pas kontrollit. 

Sipas aktivistit Pano Soko, këto veprime do ti kushtojnë takspaguesve shqiptarë: “Këto janë veprime që na kushtojnë ne taksapaguesve, sepse Gjykata e Strasburgut është posaçërisht për të evidentuar shkeljet që bëjnë institucionet shtetërore në dëm të individidit dhe ajo ngarkon me penalitete te majme çdo shtet që abuzon me qytetarët e vet. Dhe ne jemi dëshmitarë të gjallë që i kemi hequr në kurriz vendimet e Strasburgut. Këto veprime arbitrare nuk bëjnë  gjë tjetër vetëm sa rrisin kostot e buxhetit të shtetit”

Kthim në vëmendje: Shembja e Kompleksit “Jon” në Vlorë, dhe fitimi i gjyqit në Strasburg

Në dhjetor të vitit 2013, pas ardhjes në pushtet të qeverisë Rama, filloi aksioni për zgjerimin e rrugës me qëllim realizimin e projektit Lungomare. 

Nga ky projekt u prek edhe Kompleksi “Jon”, në afërsi të Ujit të Ftohtë, i cili u shoqërua me debate për shkak se pronar rezultoi vjehrri i kreut të opozitës Lulzim Basha. Ky kompleks kishte marrë leje ndërtimi nga pushteti lokal i vitit 2010. Qeveria kishte dëmshpërblyer me 11.6 milionë euro pronarët e kompleksit, por çeshtja u dërgua në gjykatën e Strasburgut, e cila më janar 2018 merr vendimin në favor të pronarëve. Sipas gjykatës, qeveria kishte shkelur të drejtat e njeriut dhe si rezultat duhet të dëmshpërbleë pronarët e godinës me shifrën prej 13 milion eurosh. Këto para, do të paguheshin nga buxheti i shtetit.

Në këtë formë, vendimi i gjykatës së Strasburgut hap mundësinë për cdo qytetar shqiptar, prona e së cilit shkatërrohet në mënyrë të paligjshme nga qeveria. 

Çfarë ndodhi në Porto Palermo?

Mesditën e së enjtes pesë turistë spanjollë qëdruan për të konsumuar drekën në restorantin “Panorma” , në Porto Palermo. Për shkak të pakënaqësisë ndaj shërbimit të ofruar, turistët nuk pranuan të vazhdonin të drekonin në këtë ambjent dhe kjo solli edhe konfliktin me pronarin e restorantit, i cili më pas ndoqi furgonin me të cilin po largoheshin turistët nga Spanja. Ndërkaq, më pas ai është kapur në pjesën e përparme të automjetit, duke goditur me grushte xhamin, duke përshkuar në këtë formë një pjesë të rrugës. Më pas turistët njoftuan policinë e Sarandës. Videoja e xhiruar brenda në makinën e turistëve u bë virale në rrjet, duke nxitur reagimet e qytetarëve, por edhe të Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili gjatë takimit me familjen e turistëve dënoi aktin e pronarit Kokëdhima. Gjykata e Vlorës pak ditë më parë dha masën “arrest me burg” për pronarin Kokëdhima, ndërkohë që akuzohet për veprat penale: ” Kanosja”, Dëmtime të tjera me dashje dhe “Shkatërrimi i pronës”.


 

*Citizens Channel /E.K/ 

 

 

 

 

 

 

 

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *