Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Teatri Kombëtar: Statuset e Kryeministrit përballë përgënjeshtrimeve të aktorëve

Në qershor të vitit 2018, regjisori dhe aktori Pirro Mani ishte në krye të listës me 65 emra të tjerë artistësh, e cila iu dorëzua krerëve të shtetit në formë kërkese për shembjen e Teatrit dhe ndërtimin e një të riu. Fill më pas, vjen deklarata e bashkëshortes Pavlina Mani e cila tregon se zoti Mani prej 10 vitesh jeton në Amerikë për shkak të gjendjes shëndetësore dhe se nuk ka firmosur asnjë dokument që lidhet me prishjen e godinës. Të dy ata dëshirojnë të ndërtohet një teatër i ri por pa u prekur Teatri ekzistuar Kombëtar.  

Reagimi i  plotë i Pavlina Manit

Pirro Mani ka rreth dhjetë vjet që s’ka lëvizur nga Amerika, e çfarë firme mund të ketë vënë ai, në qoftë se ai është këtu në Amerikë. Lëreni të qetë se është në fund të viteve të jetës së vet, është i sëmurë.

Ne nuk merremi me këto gjëra, atje në plan të parë, nuk është fare çështja tek ndërtimi i Teatrit, atje bëhet luftë politike dhe ne jemi kundër politikës, me asnjë parti nuk jemi. Si Pirro, si unë! Ne jemi artistë, nuk jemi politikanë!

Edhe përderisa në këtë punë ka futur hundët politika, ne nuk prononcohemi për asnjë gjë. Ne nuk jemi as për prishjen e Teatrit. Ne jemi për teatër, të ekzistojë teatri, të ekzistojë dhe një teatër i ri, një godinë e re, të ekzistojnë 2-3 teatro për Tiranën, se e meriton ai vend të ketë teatro siç ka e gjithë bota“.

Thuajse një vit më vonë, në datën 24 qershor 2019, Teatrin Kombëtar u zbardh i rrethuar nga forca të shumta policore. Gjatë gjithë ditës pati përplasje mes policisë dhe artistëve e qytetarëve të cilët nuk lejuan largimin e materialeve dhe zbrazjen e godinës. Në mbrëmje të po asaj dite policia u tërhoq. Megjithatë, tërheqja ishte e përkohshme, pasi kryeministri Rama vazhdimisht është shprehur i vendosur se Teatri aktual do prishet.

Në rrjetin social Facebook, ai ka shpërndarë qëndrimet e shumë artistëve të cilët shprehen pro prishjes së Teatrit duke argumentuar qëndrimin e tyre. Në mesin e këtyre personaliteteve gjithashtu janë cituar edhe aktorë të njohur të cilët i kanë përgënjeshtruar postimet e kryeministrit në adresë të tyre. Kjo situatë nuk ka ndodhur vetëm një herë, por është përsëritur vazhdimisht në vetëm pak muaj, ku retorika e Ramës për prishjes e godinës historike është intensifikuar.

“Përgënjeshtrime në Facebook”

Në datën 25 korrik të këtij viti, kryeministri Rama shpërndan në rrjetin social Facebook deklaratën e aktores Rajmonda Bulku, ku sipas asaj deklarate godina aktuale duhet shembur sepse kushtet janë mizerabël dhe ndërtesa të tjera që i dedikohen artistëve duhet të ketë edhe në zona të si Kombinati apo Lapraka.

Në po atë ditë, zonja Bulku përgënjeshtron postimin e kryeministrit dhe kërkon të ruhet historia e kultura. Ajo dëshiron ndërtimin e një teatri të ri, por pa u prekur aktuali.

Tre ditë më pas, kryeministri Rama poston në llogarinë e tij në Facebook deklaratën e  regjisorit Mihallaq Luarasit i cili është ndarë nga jeta para dy vitesh. Sipas Ramës, amaneti i Luarasit ishte ndërtimi i një teatri të ri dhe jo rikonstruktimi i godinës aktuale.  

 Menjëherë ka ardhur reagimi dhe mohimi i asaj deklarate nga djali i tij, Eldon Luarasi. “Mos i trazoni të vdekurit z. Kryeministër! Nuk mund t’ju përgjigjen dhe nuk mund t’ju kundërshtojnë”. Kështu nis postimi i të birit i cili dëshmon se askush nuk e di më mirë se ai cili është amaneti i babait të vet.

Reagimi i plotë i Eldon Luarasi

Mos i trazoni të vdekurit Z. Kryeministër! Nuk mund t’ju përgjigjen dhe nuk mund t’ju kundërshtojnë. Në emër të tim eti, njeriut që i kushtoi jetën Teatrit, po ju bëj me dije se unë i biri, amanetin e tij mbi Teatrin Kombëtar e njoh më mirë se kushdo tjetër. Në një nga librat e tij, im atë ka shkruar: ‘Varrmihësit nuk dëgjojnë se nuk duan të dëgjojnë. Ata duan të hedhin lopatat e fundit të dheut mbi arkivolin e Teatrit Kombëtar. Teatri Kombëtar nuk mund të vritet, sepse këtë krim mund ta bëjë vetëm një armik i jashtëm, një pushtues që shtie për të vrarë kombin tonë. Sot për sot ne nuk jemi të pushtuar (dhe asnjëherë mos qofshim), prandaj kjo gjëmë është e pamundur’. Që prej një viti e gjysmë jam pjesë e protestës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, fillimisht si qytetar dhe më pas si artist, me bindjen se demokracia e vërtetë mbart vlera të padiskutueshme”, përfundon Eldon Luarasi.

10 ditë pas kundërpërgjigjes së Eldon Luarasit, kryeministri shpërndan në Facebook një pasazh të shkëputur nga Marjana Kondi e cila tregon se gjendja fizike e Teatrit Kombëtar çon në nevojën e ndërtimit të një godine të re, bashkëkohore.

Edhe kësaj radhe, zoti Rama është përballur me mohimin e deklaratës nga vetë aktorja e cituar. Marjana Kondi reagoi ndaj postimit të mësipërm duke informuar se është nxjerrë nga konteksti dhe është cituar në mënyrë të cungët.   

Reagimi i plotë i Marjana Kondit

Unë vlej! Jam aktorja dhe punonjësja e parë e cila në vitin 2014 reformoi Teatrin Kombëtar duke më larguar nga puna ( arsyet e së cilës i di vetëm drejtuesi i institucionit) Jam aktorja që Shteti Shqiptar dëmshpërbleu me XX000000 lekë për largimin tim të padrejtë nga puna. Jam aktorja që sot Kryeministri i Shqipërisë më dedikon një status në faqen e tij.

Jam aktorja që konsiderohem nga një Kryeministër Artist si një ndër artistet që ka mbledhur më shumë duartrokitje në skenën e Teatrit Kombëtar. Shoh që jam cituar por jo plotësisht, zakon i vjetër i politikës që në rastin më të mirë e thotë të vërtetën përgjysmë dhe kjo e bën atë të gënjeshtërt. Kryeministri apo çdo palë politike duhet t’i citojë dhe referojë artistët në gjithë të vërtetën e tyre dhe e vërteta ime është që pasi kam kërkuar kushte, më kanë larguar nga puna në teatrin kombëtar, pikërisht unë që Kryeministri thotë që jam duartrokitur shumë. Jam distancuar nga debati për teatrin dhe do të përfshihem kur të shoh që mendimi i artistit vërtetë vlen për teatrin dhe jo për përdorim politik. Unë vlej!  Vlej sa gjithë duartrokitjet e publikut tim”.

Pa kaluar java nga përgënjeshtrimi i mësipërm, me datë 25 gusht 2019, sërish në llogarinë e Facebook-ut, kryeministri Rama vijon me deklaratat e artistëve që shprehen pro ndërtimit të një teatri të ri.

Ilire Vinca, në po të njëjtin postim ka komentuar se ky mendim nuk i atribuohet Teatrit Kombëtar dhe ndjen nevojën të sqarohet pasi ky keqkuptim ka ndodhur edhe më parë. Kryeministri Rama i është përgjigjur aktores Vince duke i thënë se është në të drejtën e saj të ndryshojë mendim dhe se deklarata e mësipërme nuk është nxjerrë nga konteksti.

Screenshot-i i kundërpërgjigjes së Ilira Vince

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *