Bashkia “rrëmben” pronësinë e Kopshtit Botanik, Dekanati kundër këtij vendimi

Përvojat e hidhura të deritanishme të Fakultetit tonë me Muzeun e Shkencave të Natyrës, Departamentin e Bioteknologjisë, “ngrënien” e parakohshme të një cope nga Kopshti në fjalë së bashku me godinën dykatëshe dhuratë nga Ambasada Amerikane), për kalimin e Unazës së Re, nuk japin asnjë garanci, përkundrazi, flasin në të kundërt të ndonjë mundësie të realizimit të funksionit dhe misionit të Kopshtit Botanik nga ndonjë institucion tjetër jashtë Universitetit të Tiranës”, – thuhet në deklaratën për shtyp të Dekanatit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës (FSHN).

FSHN u shpreh kundër vendimit për kalimin e Kopshtit Botanik në pronësi të Bashkisë Tiranë, duke theksuar se ky vendim jo vetëm që cënon rënde autonominë dhe lirinë akademike, duke renë ndesh edhe me ligjin për Arsimin e Lartë, por pamundëson edhe funksionin e këtij institucioni që është një punë 60 vjeçare ndër breza.

Ky reagim është hapi i parë zyrtar dhe publik i Fakultetit të Shkencave të Natyrës së Universitetit të Tiranës që kundërshton këtë vendim, me besimin që reagimi i Qeverisë për tërheqjen e tij të jetë sa më i shpejtë. Fakulteti i Shkencave të Natyrës shprehet i vendosur se do të marrë të gjitha masat që të mbrojë Lopshtin Botanik si aset kombëtar kërkimor dhe mësimor të pazëvëndësueshëm. 

Reagimi institucional i Fakultetit të Shkencave të Natyrës vjen pas vendimit të Këshillit të Ministrave më 17 korrik 2019, ku Kopshti Botanik i kaloi në pronësi Bashkisë së Tiranës. Më datë 22 korrik 2019 Fakulteti zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme për të marrë në shqyrtim vendimin e Këshillit të Ministrave. Me anë të këtij vendimi, Universitetit të Tiranës i hiqet pronësia mbi Kopshtin Botanik , duke u shndërruar në pasuri të paluajtshme të Bashkisë Tiranë.

Kopshti i cili deri më tani ekzistonte si një pronë shtetërore nën administrimin e Universitetit të Tiranës, shndërrohet në një pronë lokale, ku Bashkia ka të drejtë ta përdorë atë për funksionet e veta.

Në pikën 2 të vkm-së  numër 510, të miratuar më datë 17 korrik 2019 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të disa pasurive të paluajtshme në zonën kadastrale 3292, (kopshti botanik)” thuhet se Bashkia Tiranë bashke me Universitetin e Tiranës lidhi kështu një marrëveshje që i mundëson Universitetit të Tiranës ushtrimin e aktivitetit mësimor dhe të veprimtarive kërkimore-shkencore në ambjentet e Kopshtit Botanik.

Deklarata për shtyp e Dekanatit të Fakultetit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës

Mynyr Koni, rektori i Universitetit të Tiranës, në një deklaratë për shtyp theksoi se me anë të një shkrese në tetor të vitit 2018, Bashkia Tiranë kërkoi organizimin e një takimi të përbashkët për të folur rreth projektit të rikonceptimit dhe rehabilitimit të Kopshtit Zoologjik dhe hapësirës publike duke dashur të integronin edhe territorin e Kopshtit Botanik. Pas takimit të zhvilluar, Bashkia Tiranë ra dakord të përcillte draft-marrëveshjen në lidhje me këtë çështje, e cila përmbante kalimin e Kopshtit Botanik në pronësi të bashkisë, gjë që u refuzua të nënshkruhej nga Fakulteti pasi nuk kishte mbështetje ligjore.

“Dua të bëj me dije se, brenda afateve të parashikuara ligjore, Drejtoria Juridike e UT ka hartuar kërkesë padinë me objekt: Shfuqizimin e VKM nr.510 datë 17.07.2019, e cila është depozituar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë, në datën 07.08.2019”, shprehet rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

Kopshti Botanik i Tiranës filloi të ndërtohej në vitin 1964 dhe përfundoi në 1971. Kopshti kia si qëllim kryesor njohjen dhe ruajtjen e florës së Shqipërisë dje llojeve të ndryshme bimore të rrezikuara. Ai zotëron një sipërfaqe prej rreth 15 ha, në të cilën rritet një diversitet bimësh, me rreth 1400 lloje të tyre, që i përkasin më së shumti vendit tonë.

*Citizens Channel /E.K/