Ndërkohë që greva e minatorëve ka hyrë në ditën e saj të tetë, minatorët shprehen të vendosur për vijimin e saj.

Në një intervistë të zhvilluar disa ditë më parë, kreu i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi ka shpjeguar për Citizens Channel arsyet e shkarkimit nga detyra dhe ecurinë që do të ketë greva e organizuar nga minatorët. 

Sa kohë keni që punoni në AlbChrome? Si erdhi njoftimi për shkarkimin nga puna?

-Saktësisht unë kam 6 vite, po më saktë 5 vite 9 muaj pothuajse. Në prill, me shokët e mi, kur mblodhëm firmat e punëtorëve të krijonim një sindikatë, atëherë na dhanë paralajmërime për heqjen nga puna, mua dhe katër shokëve të mi. Vetëm prej këtij veprimi, thoshte se është shkelje e etikës në punë, mos përqëndrim në punë. Ata e kanë manipulu aq bukur.

Mu në atë letër më dhanë pretekstin që kisha nja 5 ditë mungesa. Edhe ato i kisha të justifikuara se pata raportin mjeko-ligjor, e kisha të vulos edhe nga mjeku i ndërmarrjes që është aty. Ia kisha dërgu ndërmarrjes po ndërmarrja nuk e kishte pranu se e ke sjellë me vonesë dhe ku di unë çfarë preteksti kishte nxjerrë ai. Në tetor ishim të gjithë me leje, ishte leje e zakonshme,  kur shkova në nëntor unë, nuk e kishin pranu me të thanë të drejtën edhe unë thashë do më paguani ditën e punës se unë kam sjellë raportin. Ne se pranojmë këtë raport , po ama thanë vazhdo punë, s’ka gja, 5 ditë mungesë. Pasi u shpall sindikata në 17 nëntor këtu në qytet, dy ditë më para më thirrën tek zyra edhe më thanë kshu kshu, po merr një barrë të madhe, çfarë do bësh ti, çfarë do t’u japësh punëtorëve, prapë s’kishte lidhje me mungesat.  

Kush ua tha këtë?

-Luan Saliaj, këtu tek zyrat e AlbChrome-it në Bulqizë, përgjegjës, administrator i përgjithshëm i firmës AlbChrome.

Si keni reaguar pas këtij veprimi?  

-Mora raportet, edhe shkova i vërtetova që ato ditë që kisha pas mungesa, ja urdhëro edhe raportin. I morën i panë, edhe thanë ok, shko në Bulqizë vazhdo punë prapë. Punova dy ditë, pas dy ditsh, më erdhi paralajmërimi, apo pushimi direkt nga puna, urgjentisht. Nuk thonte që shkarkohet për arsye të mungesave po thoshte shkelje e etikes në punë dhe dicka pa lidhje.

Jeni ankuar më pas për këtë vendim?

-Jo, se ato mi kanë shkëputur të gjitha marrëdhëniet, s’kam të drejtë të futem brenda administratës.

Si u zgjodhët kryetar i sindikatës?

-Kryesia zgjodhi anëtarët që ishin 39 veta, themelues të sindikatës edhe këshilli sindikal që vendosi. Ma lanë mua këtë pjesë që të jesh kryetar, se gjithmonë, nisma kush e nis i pari, ai e meriton thonë. Isha zgjedh prej 39 vetëve, edhe këshilli sindikal është dakord. Me fjalë ishin dakord që unë të isha kryetar i kësaj sindikate.

Çfarë do të ndodhë tashmë më tej, do vazhdojë protesta?

-Po, patjetër , në ditet e tjera do vazhdojmë me protesta, me bojkot në fakt se akoma nuk jemi te pjesa e protestave, dhe na mbështetin punëtorët më shumë. Punëtoria na mbështetin 100%  e punëtorëve që ishin aty, ato që kanë reparte ndihmëse, mekanike, pompat e elektricistët që janë të detyruar të shkojnë në punë, e kanë në kontratë. Tashi neve do vazhdojmë hapat ti ndjekim. Punëtoria ne na mbështet, ne do vazhdojmë deri në bllokimin e punës, nuk besoj se do shkojnë punët deri atje.

Në ditën e parë të grevës ju kanë thirrur në polici. Për ç’arsye?

-Në polici më kanë thirrë për arsye, pse nuk e ke vënë në dijeni policinë, që do të bëheshe një shenjë proteste. Nuk ishte protestë në fakt, ishte dicka paqësore, që punëtorët kanë dalë vetë që duam shokun tonë në punë, e kanë bërë 5 punëtorë , se nesër pasnesër mund ti kapi i njëjti fat edhe ato. Nuk u prek askush me dorë, ishte paqësore. Një paralajmërim për firmën, ju dha mesazhi, ata e morën në pjesë tjetër, se shteti i rregullon punët simas llogarisë së vet.

Çfarë ju është thënë në polici?

-Na tha policia që na veni në dijeni për ktë pjesë, mos nxisni dhunë, a ku ta di unë cfarë pra. Mirë është ta vini institucionin e policisë në dijeni, çoni një letër që nesër do ketë bojkot ose greve, se nuk e di si mund te vazhdojnë punët. Na bënë një vërejtje për këtë arsye.

Keni pasur presione të tjera gjatë kësaj periudhe?

-Jo, jo aspak, nuk behet fjale. Nga askush

Ky vendim për t’ju hequr nga puna do të ndikojë në kryesinë e sindikatës? Do të vazhdoni të qendroni në këtë pozicion?

-Unë besoj se me atë pëlqimin tim them po, do jem deri në pikën e fundit. Ama do vijë një pikë ndoshta që do rri pa punë. Pa punë nuk rrihet po do vijë momenti e do them o cuna hajt zgjidhni dikë tjetër se dhe unë do vazhdoj punën time, në privat apo ku do shkoj. Pa punë këtu, rri kryetar sindikate pa punë? S’besoj.

*Citizens Channel /Erisa Kryeziu 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu