Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

OSBE: Gratë dhe vajzat në Shqipëri përjetojnë të gjitha format e dhunës, që në adoleshencë

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evrope (OSBE) ka realizuar studimin “Mirëqenia dhe siguria e grave“, ku janë përfshirë mbi 15.000 vajza dhe gra të moshës 18-74 vjeç, nga shtete si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Moldavia, Ukraina dhe Kosova. Pjesa më e madhe e pjesëmarrëseve në këtë studim nuk kishin folur kurrë më parë rreth dhunës së ushtruar ndaj tyre, tregon raporti.

OSBE bën thirrje që shtetet e përfshira në studim të marrin masa që të eliminojnë dhunën me bazë gjinore në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë dhunën dhe ngacmimin në shtëpi apo edhe në vendin e punës.

Sipas “Deklaratës për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave“, e përcaktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) në vitin 1993, dhunë konsiderohet “çdo akt dhune me bazë gjinore që sjell ose ka gjasa të sjellë lëndime ose vuajtje fizike, seksuale ose psikologjike të grave, përfshirë edhe kanosjet për akte të tilla, shtrëngime apo heqjen arbitrare të lirisë, qoftë kur ndodhin në jetën publike, ashtu edhe në jetën private“.

Gjetjet e studimit tregojnë se vajzat dhe gratë shqiptare kanë përjetuar dhunë të vazhdueshme fizike, psikologjike, seksuale dhe ekonomike që prej moshës 15 vjeçare.

Dhuna fizike

Të pyetura rreth pohimit  “Nëse një burrë e keqtrajton gruan e tij, të tjerët jashtë rrethit familjar duhet të ndërhyjnë” 42% e grave shqiptare të intervistuara nuk u pajtuan me këtë qëndrim. 34% e tyre ishin dakord me pohimin “Është e rëndësishme për një burrë t’i tregojë gruas/partneres kush është ‘bosi’“, 42% e tyre nuk ishin dakord që gruaja duhet t’i zgjedhë vetë miqtë e saj, edhe në rast se burri nuk i aprovon ato dhe 19% e vajzave dhe grave të anketuara pohojnë se është detyrë e saj të bëjë seks me bashkëshortin edhe nëse ajo nuk dëshiron.

Dhuna në familje është çështje private dhe duhet të trajtohet brenda familjes“- 48% e të anketuarave në Shqipërisë ishin krejtësisht dakord/disi dakord me këtë pohim. 

Screenshot i marrë nga studimi i OSBE-së, “Well-being and afety of women”

88% e tyre u shprehën se dhuna ndaj vajzave dhe grave nga partnerët, të njohurit apo edhe të panjohurit është e hasur/shumë e hasur.

Screenshot i marrë nga studimi i OSBE-së, “Well-being and safety of women”

1,660 vajza dhe gra në Shqipëri pohojnë se partnerët aktualë apo të mëparshëm: i kanë shtyrë me forcë (7%); u kanë gjuajtur me shuplakë (17%); i kanë tërhequr nga flokët (6%); i kanë goditur me objekt të fortë ose u kanë gjuajtur me shkelm (3%); u kanë hedhur drejt tyre një objekt të fortë (2%); ua kanë përplasur kokën pas diçkaje (3%); kanë tentuar t’i lënë pa frymë ose t’i mbysin (2%); i kanë goditur me thikë ose i kanë qëlluar (1%); i kanë djegur (0.3%); ndonjë nga të mësipërmet (19%) dhe ndonjë nga të mësipërmet përveç të shtyrës me fuqi (18%).

Dhuna seksuale

Pyetur nëse ishin apo jo dakord rreth rrethanave të cilat mund ta justifikojnë përfshirjen e gruas në një marrëdhënie seksuale pa miratim, 1,858 vajza dhe gra të intervistuara në Shqipëri bien dakord/disi dakord se seksi pa miratim është i justifikueshëm kur: Në një martesë apo lidhje ku të dy partnerët jetojnë bashkë (17%); gratë veshin rroba provokuese/seksi (15%); gruaja është e dehur apo ka konsumuar drogë (9%); gruaja ka flirtuar më parë (20%); gruaja nuk thotë qartazi “jo” ose nuk ka shfaqur kundërshtime (22%); është natën vonë jashtë (11%); ka pasur disa partnerë seksualë (14%); shkon vullnetarisht tek shtëpia e dhunuesit pas një takimi (20%) dhe abuzuesi nuk është i vetëdijshëm pasi është nën ndikimin e alkoolit apo drogës dhe nuk e ka kuptuar se gruaja nuk ishte dakord që të përfshihet në marrëdhënie seksuale (16%).

37% e vajzave dhe grave shqiptare pohojnë se janë ngacmuar seksualisht që në moshën 15 vjeç.

Screenshot i marrë nga studimi i OSBE-së, “Well-being and safety of women”

Dhuna fizike dhe/ose seksuale

Të anketuarat në studimin e bërë nga OSBE-ja, gratë në Shqipëri pohuan se kishin përjetuar dhunë fizike, seksuale apo edhe të dyja bashkë prej partnerëve aktualë, partnerëve të mëparshëm, nga kushdo partner ose edhe nga jo partnerët.

Screenshot i marrë nga studimi i OSBE-së, “Well-being and safety of women”

Përgjigjet tregojnë se vajzat dhe gratë e anketuara në të gjitha shtetet e përfshira hasin incidente të dhunshme nga djem dhe burra jo partnerë të tyre, në mjedise si: shtëpitë e tyre (42%); shtëpi/apartamente të tjera (26%); Në rrugë /shesh/ parking dhe vende të tjera publike (10%); në shkollë ose në vendin e punës (4%); në kafene/ restorant/ klube/ disko (4%); në park/ pyll (3%); në makinë (2%); në dyqan (1%); në spital (1%) dhe në transport publik (1%).

Pasoja psikologjike prej dhunës fizike dhe/ose seksuale  

Lidhur me pasojave që ka sjellë dhuna psikologjikë, gratë dhe vajzat  në Shqipëri pohojnë  se kanë përjetuar: ankth (28%); të ndjerit vulnerabël (19%); vështirësi në krijimin e marrëdhënieve (19%); depresion (22%); mungesë vetëbesimi (21%); vështirësi në të fjetur (27%); sulme paniku (23%) dhe asnjë nga të mësipërmet (31%).

Dhuna psikologjike dhe ekonomike

22% e të anketuarave pohojnë se kanë përjetuar dhunë ekonomike; 50% janë hasur me sjellje kontrolluese, 41% kanë jetuar sjellje abuzuese dhe 11% e partnerëve kanë abuzuar ose i kanë përdorur fëmijët për të kërcënuar apo shantazhuar vajzat dhe gratë.

Screenshot i marrë nga studimi i OSBE-së, “Well-being and safety of women”

Studimi nënvizon faktin se shumica e rasteve të dhunës së përjetuar në rajonet e përfshira në studim nuk raportohet në polici. Kjo vjen prej disa faktorëve si turpi, mungesa e burimeve financiare duke konsideruar faktin se vajzat dhe gratë shpesh nuk e kanë të mundur të mbështesin plotësisht veten dhe fëmijët ekonomikisht kjo edhe prej faktit se ato nuk ndihmohen nga familja, mungesë besimi tek institucionet, mungesë njohurie rreth shërbimeve të ofruara dhe frikë nga veprimet e mëtejshme të agresorit në rast se ai denoncohet.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *