Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rritet numri i zërave kundër paketës “anti-shpifje”, pak ditë para miratimit në Kuvend

Dy projektligjet për median që janë quajtuar paketa “antishpifje” janë miratuar sot në Komisionin e ligjeve. Përpos kundërshtive nga organizatat ndërkombëtare, mediat, organizatat e medias në Shqipëri si dhe opozita, rruga për t’u miratuar në Kuvend në datën 19 dhjetor është e hapur.

Këto projektligje kaluan në komision me votat e të gjithë anëtarëve përveç votave të deputetëve Andi Përmeti dhe Adriatik Alimadhi.

Reagimeve kundër miratimit të projekligjeve u janë bashkuar edhe 37 organizata ndërkombëtare , 35 prej të cilave janë pjesë e Platformës së Solidaritetit. Këto organizata i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare të tërheqë paketën anti-shpifje.

Nga këto organizata pjesë jane edhe 10 Komitete Helsinki me veprimtari për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, me qendër veprimi në Hollandë, Serbi, Maqedoni, Bullgari, Armeni, Poloni, Greqi, etj.

 “Shqipëria ka mjaft ligje tashmë për të rregulluar çështjet në të cilat media shkel të drejtat e të tjerëve dhe në këtë kontekst ka precedentë që vendosen nga gjykatat shqiptare. Theksojmë se vetë-rregullimi më shumë se  rregullimi ligjor i mediave është i rëndësishëm, veçanërisht në vendet në tranzicion drejt demokracisë, si Shqipëria, ku shpesh media lidhet me interesa të bizneseve ose partive politike.  Vetë-rregullimi kërkon një ndërthurje të standardeve të përcaktuara në kode etike të sjelljes për median, të cilat janë të domosdoshme për të mbështetur lirinë e shprehjes, dhe të procedurave për të lejuar që kjo sjellje të monitorohet dhe të mbajë median përgjegjëse. Vetë-rregullimi ruan pavarësinë e mediave dhe e mbron atë nga ndërhyrjet partizane të qeverisë”, thuhet në deklaratën e organizatave. 

Në mbështetje të gazetarëve dhe mediave shqiptare bashkohet edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës të cilët kërkojnë mos miratimin e kësaj pakete.

AGK vlerëson se këto dy drafte e censurojnë drejtpërdrejt median online dhe rrezikojnë seriozisht lirinë e shprehjes. E drejta e fjalës, në çdo vend demokratik trajtohet nga kodet e etikës dhe organet vetërregulluese të medias.


 

Valerio Cataldi, këshilltar i Sindikatës së Gazetarëve të Bashkuar të Italisë (Federazione Nazionale Stampa Italiana- Fnsi) ka shprehur se është njohur më detajisht me situatën e lirisë së fjalës në Shqipëri pasi kanë ftuar në studion e Rai-t Koloreto Cukalli. Artikulli citon gjuhën sulmuese të kryeministrit Rama ndaj medias.   

Reporterët pa Kufij (Reporters without borders) thonë se në vitin 2018 sulmi ndaj gazetarëve shqiptarë ka arritur në nivele të pa ndeshura më parë. Fyerje, kërcënime me vdekje, padi për të frikësuar dhe ndaluar hetimet e korrupsionit. Shqipëria është në vendin e 82-të për lirinë e shtypit sipas raportit të fundit të Reporterëve pa Kufij. Kryeministri Edi Rama i ka quajtur gazetarët si injorantë, helmues, mbeturina, thashethemexhinj, prodhues të lajmeve të rreme, armiq publik”, tregon Cataldi në artikullin e publikuar.

Gulnoza Said, drejtuese e programit për Evropën në Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve me seli në Nju Jork, është shprehur për Zërin e Amerikës se nuk sheh reflektim nga ana e qeverisë shqiptare për shqetësimet e ngritura nga organizatat ndërkombëtare.

Gulnoza Said, drejtuese e programit për Evropën në Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve

Fatkeqësisht nuk shoh ndonjë tregues që  qeveria i ka marrë në kosnideratë shqetësimet e shprehura nga organizatat ndërkombëtare dhe ka shumë të ngjarë që paketa të miratohet. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë, jo vetëm procesin legjislativ në Shqipëri, por edhe ndikimin në të ardhmen të këtij ligji në mjedisin mediatik në Shqipëri. Gazetarët përballen tashmë me sfida shumë serioze ndërsa mbulojnë çështje të debatueshme si korrupsioni dhe politikat e brendshme“.

Mos e përdorni krizën për të shtypur lirinë e shprehjes“, ka qenë kjo thirrja e Lëvizjes Vetëvendosje me qendër në Tiranë për paketën antishpifje, duke i bërë thirrje qeverisë të ndalë sulmin qeveritar e oligarkik ndaj fjalës e shtypit të lirë.

“Në vendet më të zhvilluara të Evropës, profesionalizmi në raportimet mediatike realizohet përmes vetërregullimit, me shoqatat e mediave dhe sindikatat e gazetarëve, dhe përmes funksionimit të rregullt të gjykatave. Në Shqipëri, me këtë projektligj për mediat, qeveria i vë shkelmin edhe përpjekjes për vetërregullim edhe drejtësisë përmes gjykatave, duke përqëndruar vendimmarrjen në lidhje me lirinë e shprehjes në një institucion lehtësisht të kontrollueshëm prej saj përmes shumicës në Kuvend”. 


 

Opozita mbledh tryezën e tretë për median

Ditën e sotme, opozita ka mbajtur një tryezë për statusin e rënduar të medias në Shqipëri, ku të ftuar ishin edhe përfaqësues të medias. Gjatë kësaj tryeze kreu i PD-së Lulzim Basha u shpreh se kjo që po ndodh është dramatike.

Kjo që po ndodh është vetëm një akt tjetër në një dramë të madhe që ka nisur të shpaloset dhe që ka për qëllim asgjesimin e të gjithë shtyllave kryesore të një shoqërie të lirë dhe demokratike, lirisë politike, lirisë së zgjedhjes , shtetit të së drejtës në vend, respektit të kushtetutës, dhe garantimin e të drejtave dher lirive themelore të njeriut, drejtësinë e pavarur dhe natyrisht median e lirë. Nuk besoj se ka ironi më të madhe në historinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, që shteti i përzgjedhur në kulmin e një krize politike, për të marrë kryesimin e kësaj organizate, e nis kryesimin e kësaj organizate me një paralajmërim për një sjellje rrugacërore, kriminale ,në raport me një nga kolonat kryesore për të cilat kjo organizatë ekziston, lirinë e medias“.

Drejtuesi i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Çukalli, i pranishëm në tryezë u shpreh se ky është një degradim prej vitesh.  

Nuk besoj që një vend demokratik mund të ketë liri ekonomike, liri civile pa lirinë e shtypit.  Ky është një degradim i vazhdueshëm prej vitesh dhe pa e kuptuar është ulur steka aq shumë e standardit të medias dhe lirisë së medias, sa sot jemi në pikën ku unë shoh 20 kamera dhe 20 kameramanë, por mund të jenë vetëm tre ose dy gazetarë. Pra kemi mbërritur në pikën ku as gazetarët nuk vijnë më në një ngarje si kjo.  Është zhdukur insitucioni i konferencës së shtypit dhe të të bërit pyetje. Ky ligj erdhi edhe si pasojë që kryeministri ka kalëruar mbi një përceptim popullor që media është e keqe, gazetarët janë të këqinj. Nuk janë gazetarët e këqinj. Media ka shumë probleme dhe fillojnë që nga pronarët.  Pra nuk mund të ketë pronarë të mirë mediash, dhe një media të keqe”. 

Ndësa kreu i Unionit të Gazetaërëve, Aleksandër Çipa e konsideroi këtë proçes si një kërcënim serioz për lirinë e shprehjes.

Ky draft është një kërcënim serioz për shprehjen e lirë, për fjalën e lirë, dhe në mënyrë të veçantë është një konstante kritike për këtë pozicionim që Kryeministri Rama ka ndaj shumicës së komunitetit tonë profesional. Ne vijmë këtu në takimin politik të opozitës, sepse e konsiderojmë sot një çeshtje shumë të rëndësishme të demokracisë dhe të pluralizmit, çështje që lidhet me një draft, i cili në të gjitha draftet e kaluara në parlamentin e tanishëm është përballur me një reçencë juridike dhe profesionale nga gjithë spektri i organizatave dhe aktorëve që formësojnë skenën mediatike në vend. Asnjëherë, të paktën në historinë e 20 viteve të fundit, nuk ka pasur një adresim të tillë reçensional, mbi një draft projekligjesh të paraqitura nga shumica në qeverisje”. 

Reagimi i Ramës për paketën “anti-shpifje” 

Kryeministri Rama ka reaguar pak minuta më herët në twitter me një foto proteste si kundër përgjigje ndaj reagimeve për projekligjin. 

 Ai shton më tej se projekligji është konsultuar nen për nen me OSBE-në. 

“Projekt-ligji është konsultuar e përpunuar prej një viti,nen për nen e pikë për pikë me OSBE dhe do të hyjë në seancë pa asnjë cen në aspektin e standarteve të lirisë për t’u shprehur e të së drejtës për t’u informuar pa kufizim,po edhe të mundësisë për t’u mbrojtur nga shpifjet”. 

 Më poshtë, video shpjeguese nga KSHM-ja për paketën anti-shpifje:

 

Citizens Channel /E.K/E.N/

 

 

 

 

 

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *