Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Intervistë, Behar Gjimi pushohet pas 24 vitesh punë në minierë

Behar Gjimi, minator në Bulqizë dhe anëtar i Këshillit Sindikal të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, tregon në këtë intervistë historinë e angazhimit të tij sindikal që parapriu largimin nga puna. 

Sa kohë keni punuar në minierat e Bulqizës?

-24 vite. Albchrome-i ka që në 2011-tën. Unë kam 24 vite, që në ’95-ën.

Çfarë pozicioni pune keni pasur në minierë?

-Unë kam punuar brigadier, minator, xhandar, fadromist. Këto kohët e fundit, që nga prilli e këtej isha vagonist.

Po pozicioni juaj në Sindikatën e Minatorëve te Bashkuar të Bulqizës? 

-Unë jam anëtar i Këshillit të Sindikatës.

Si erdhi vendimi i pushimit nga puna?

-Unë isha i thirrur edhe në datë 17 atje, në Tiranë te kompania, në 17 dhjetor. Me 25 nëntor më kanë thirrë [në Bulqizë] gjoja për mungesa, mirëpo kjo nuk rezulton, sepse unë jam nga me i rregullti nga gjithë punëtorët, që prej 24 vitesh punë që kam. Kur mora paralajmërimin për pushim nga puna, u ankova në datën 5 dhjetor. E kam çu ankimimin në kompani. Thashë mungesa nuk kam. Thashë ju po hakmerreni ndaj një veprimtarie sindikale që po bëhet në Bulqizë. Dhe ato sot më kanë sjellë edhe përgjigjen e ankimimit dhe pushimin nga puna.

Cila është arsyeja sipas kompanisë?

-Përgjigja e tyre sot ka ardhur që ti ke shkel rregulloren, ke bo mungesa në punë, në një kohë që unë sot këtu te administrata lokale mua me dilte që nga janari e këtej, që unë kam ditë tepër, jo mungesa.

Sa e vështirë ishte puna juaj aty?

-Puna është shumë e vështirë sepse gjatë angazhimit me krijimin e sindikatës, që nga prilli, më kanë ndërruar gjashtë herë pozicionin e punës. Unë kam qenë, në prill kam qenë në nivelin e 17-të. Nga atëherë u morën masa ndaj shokëve të mi, që u dhanë paralajmërim, mu më morën masë këtu në administratën lokale, do shkosh vagonist në nivelin 16-të. Edhe kam punu tre muj e gjys në nivelin e 16-të. Masanej, më çuan në 18-tën dhe nga i 18-ti një ditë më kanë çuar tek i 17-ti, ma mbrapa, pas asaj dite më çuan tek Qafa e Buallit. Nga Qafa e Buallit më kanë nxjerrë në transport të jashtëm.

Ju ishit të specializuar për t’i bërë këto lloj pozicionesh?

-I specializuar, për shembull, atje në galeri po se atje kam punu edhe vagonist dhe isha i specializum. Ama këtu, këto kohët e fundit që më nxorën në sipërfaqe nuk kisha punu noj herë dhe këtë e kanë bërë për arsye që të më ulet rroga sepse është rroga më e ulët.

Mund të na thoni sa ishte diferenca e pagës?

-150 mijë lekë të vjetra. Ndërsa atëherë në prill që morën masa ndaj nesh e kam pas rrogën rreth 80.000 lekë, m’ka ra 50.000 lekë.

A ka një lloj reagimi nga minatorët e tjerë për këto ndodhitë e fundit që po ndodhin aty, qoftë për largimet nga puna apo aksidentet.

-Unë sot që me erdh ai vendimi, shkova aty, se isha në punë unë, edhe më mori në telefon përgjegjësi i sektorit, tha hajde tha se të ka ardh një vendim. Thashë ok, isha bile tuj hëngër bukë, thashë a pret puna, se e dijsha unë mo. Thashë a pret puna të ha bukë. Tha ha bukë tha dhe hajde. Shkova atje, mirëpo kur mora vendimin unë shkova prapë të puna se do merrsha pajisjet e mia që kisha cu, thashë mu më pushun. Reagimi i tyre, filluan të folshin keq për kompaninë,  edhe unë po të isha ashtu do bëja….

Duke qenë se ju tashmë jeni i treti që pushoheni nga puna ,përpara jush janë pushuar edhe dy kolegët tuaj, z. Debreshi dhe z. Duriçi. Çfarë masash do merrni në vijim, si e keni menduar?

-Ne do e vazhdojmë në gjykatë…

*Citizens Channel /E.K/ /E.N/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *