Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Dhunuesi je ti”, himni ndërkombëtar mbledh feministet shqiptare në shesh

“Dhunuesi je ti”, ishte himni që u këndua në formë proteste nga aktivistet feministe në sheshin Nënë Tereza, për të denoncuar pabarazinë gjinore dhe dhunën ndaj grave. “Un Violador En Tu Camino” e përshtatur në shqip si “Dhunuesi je ti”, është krijuar dhe performuar nga një grup feminist në Kili në datën 20 nëntor të këtij viti dhe ka pasur menjëherë jehonë ndërkombëtare. Pasditen e sotme,  vajzat dhe gratë feministe i dhanë zë kësaj kauze edhe në Tiranë, duke e kontekstualizuar me dhunën që përjetojnë gratë shqiptare si pasojë e patriarkalizmit.

Shteti represiv, është dhunuesi im“, brohoritën ato teksa denoncuan dhunën institucionale. Në vargjet e këngës së përshtatur, ato përmendin gjykatësit, policinë, shtetin dhe oligarkët si ndër strukturat që ushtrojnë dhunë ndaj vajzave dhe grave nëpërmjet formave të ndryshme që përfshijnë  mosreagimin apo tolerancën ndaj dhunës me bazë gjinore.

Kjo këngë nuk lë pa kundërshtuar edhe qëndrimet të cilat shpesh çojnë në dhunë. Vajzat dhe gratë protestojnë ndaj mendësisë se veshja përcjell mesazhe të caktuara dhe i mëshojnë faktit se mënyra si ato zgjedhin të vishen dhe të manifestojnë autonominë individuale nuk mund të jetë as shkas e as justifikim për të ushtruar dhunë seksuale, psikologjike apo fizike.

Në fakt, iniciativën e kemi marrë prej manifestimeve madhështore që kanë bërë gratë në Kili për t’i dhënë zë përdhunimeve dhe vrasjeve masive që kanë ndodhur gjatë protestave kundër shtetit represiv. Nuk jemi larg kushteve në të cilat gjendet Kili i ditëve të sotme. Kemi po ashtu dhunë shtetërore, dhunë policore dhe nga të gjitha instancat e tjera“, tregon për Citizens Channel Liri Kuçi,  një ndër organizatoret e eventit “Dhunuesi je ti”.

Ajo rrëfen se zgjedhja e veshjes me funde apo tyle të zezë,lyerja e  buzëve me  të kuqe nuk janë rastësore.

Kemi zgjedhur simbolikën e fundeve, tyleve të zeza pikërisht për të sjellë në vëmendje që nuk është justifikim dhe as alibi fakti se sa i shkurtër ishte fundi im apo çfarë vishja dhe cila është ora kur unë kthehem në shtëpi. Buzët e kuqe gjithashtu për të vënë edhe një herë theksin që asgjë që ka të bëjë me dukjen time, nuk më shënjon mua “, shpjegon më tej ajo.

“Rezonon shumë fort dhe në Shqipëri, pasi janë të shumta rastet kur gratë dhe vajzat pavarësisht se kanë pasur urdhër mbrojtjeje, policia apo gjykatat nuk kanë arritur t’i mbrojnë ato nga partnerët e dhunshëm, nga familjarët e dhunshëm“, shprehet Deni Sanxhaku, duke bërë ndërlidhjen e realitetit kilian, të manifestuar edhe në vargje, me atë shqiptar.

Duke folur më tej rreth vendimit për ta sjellë këtë reagim në Shqipëri, Sanxhaku tregon se është koha për të reaguar ndaj dhunës me bazë gjinore.

Prandaj ne vendosëm që ta përforcojmë të njëjtin himn që tashmë është bërë himn i lëvizjes feministe kudo në botë, pasi për ne ka ardhur koha që të jemi të kujdesshëm ndaj gjuhës së urrejtjes, të jemi të kujdesshëm ndaj diskriminimit gjinor, të ngremë zërin ndaj këtyre rasteve”, përfundon ajo.

Gresa Hasa, aktiviste për të drejtat e njeriut tregon se mënyra më e mirë për të luftuar padrejtësitë shoqërore është duke u bashkuar, solidarizuar me njëri-tjetrin dhe duke i integruar edhe djemtë dhe burrat në nisma që adresojnë dhunën.

Dhe duke bashkuar forcat, duke u solidarizuar, duke qenë në krah të njëri-tjetrit në çdo nismë. Unë e shoh me rëndësi që në nisma të tilla të bashkohen edhe djemtë edhe burrat sikurse ishin sot disa nga shokët tanë këtu“, shprehet ajo gjatë intervistës së dhënë për Citizens Channel.

CFARë është manifestimi”Dhunuesi je ti”? 

Ky manifestim nisi fillimisht në Kili nga kolektivi lokal feminist, Las Tesis.  Himni u realizua për herë të parë gjatë një manifestimi në qytetin Valparaíso, rreth 120 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Santiago, më 20 nëntor.

Disa ditë më vonë, në Ditën Ndërkombëtare për Ndalimin e Dhunës ndaj Grave, grupe të mëdha grash u mblodhën përpara Gjykatës Supreme të Kilit, në Santiago, dhe pranë ndërtesave të tjera qeveritare në të gjithë vendin duke e vënë himnin sërish në skenë.

Duke qëndruar në rresht, protestuesit i drejtuan gishtin “policëve, gjyqtarëve, shtetit dhe presidentit” duke brohoritur një zëri një himn të fuqishëm beteje që akuzon patriarkatin se është përgjegjës për dhunën e kryer kundër grave, dhe me turpin që gratë viktima përballen më pas.

Në më pak se dy javë, thirrja u përhap jashtë vendit, dhe demonstrime të ngjashme u mbajtën jo vetëm në Meksikë, Kosta Rika, Kolumbi dhe Argjentinë, por edhe në Kanada, Australi, si dhe në kombe evropiane si Franca, Gjermania dhe Spanja.

*Citizens Channel/E.K/ E.N/ 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *