Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aktivistët që shpërndanë në TEG fletushka protestë për minatorët janë ende në qeli

Prej tre ditësh, Frenklin Elini, Enriko Peçuli dhe Bislim Lakna, aktivistë të Organizatës Politike janë arrestuar nga policia dhe mbahen në qelitë e Komisariatit numër 1 në Tiranë. Ata ishin pjesë e një grupi më të madh aktivistësh që u ndaluan e më pas u lanë të lirë, pasi shpërndanë fletushka proteste kundër shkarkimit të minatorëve në Bulqizë, në qendrën tregtare TEG, që zotërohet nga i njëjti biznesmen që ka në administrim minierën.

“Më kanë qëlluar rojet e sigurisë më dhunuar fizikisht duke më gjuajtur tek shpatulla duke më detyruar të ulem poshtë në tokë. Më kanë ulur me dhunë në tokë”, Vitori Cipi, një prej aktivisteve të liruara e cila përshkruan në videon më poshtë ngjarjen e ndodhur tek qendra tregtare.

Përmes një video të shpërndarë në rrjetet sociale aktivistët e Organizatës Politike dënojnë dhunën e ushtruar nga policia private ndaj aktivistëve.

Ndërkohë përfaqësuesit e grupit BALFIN përmes një reagimi të dhënë për Reporter.al kanë mohuar dhunën duke shtuar se TEG ka tipare të veçanta të ruajtjes sepse është hapësirë e veçantë.
“TEG është pronë private dhe jo arenë aktivitetesh individësh të ndryshëm. Është objekt social i rëndësisë së veçantë për shkak se grupon shumë njerëz dhe biznese, ndaj për ruajtjen e tij ka tipare të veçanta, private apo publike”, thuhet në reagimin e TEG.

Organizata Politike ka publikuar sot një komunikatë të mbajtur përpara Komisariatit Nr.1, ku bëhet me dije se nesër gjykata e Tiranës do të shqyrtojë masën e sigurisë për aktivistët. Në komunikatë kërkohet lirimi i aktivistëve dhe i bëhet thirrje qytetarëve të ngrenë zërin “kundër burgosjes politike dhe shtetit të kapur nga oligarkët”.

Mirela Ruko, një prej aktivisteve që ishte pjesë e aksionit të shpërndarjes së fletushkave në TEG, tregon për Citizens Channel ngjarjen në mënyrë të detajuar: “Ne shkuam në TEG për të bërë një aksion solidariteti  me minatorët e Bulqizës. Ne kemi shkuar brenda qendrës tregtare TEG, kemi shkuar në katin e dytë dhe kemi hedhur fletushka me mbishkrimin “Samir Mane shtyp minatorë” .

Ajo tregon për momentin kur aktivistët u ndaluan nga  policia private e qendrës tregtare: “Shpërndarja e fletushkave nga kati i dytë është bërë në mënyrë… mund të themi në qetësi. Ato janë hapur, janë hedhur në drejtim të katit të parë, nuk ka pasur asnjë thirrje në atë moment nga aktivistët …më pas ne jemi drejtuar drejt shkallëve lëvizëse për të zbritur nga kati i dytë. Në atë moment, na janë paraqitur roje private të qendrës tregtare TEG dhe na kanë ndaluar që të lëvizim. Më pas na kanë kërkuar që të shkojmë me ata diku. I kemi pyetur se ku doni që të shkojmë, ku është ky vendi që do na çoni dhe ata nuk na kanë dhënë një përgjigje por një moment në mënyrë agresive, kanë filluar të na tërheqin. Aty ishte momenti kur aktivistët e pranishëm filluan të thërrisnin dhe t’i kujtonin edhe një herë se për çfarë ishin aty. Filluam duke thënë se Samir Mane shtyp minatorët”.

Mirela tregon se rojet private i kanë futur në një dhomë, ndërkohë që ata thërrisnin për ndihmë dhe që të lajmërohej policia: “Pasi u futëm në dhomë kam parë Frenklin i cili kishte dhimbje dhe nuk po reagonte edhe ka qenë për disa minuta kështu. Ndërkohë security-t që thoshin “Pusho, mbylle gojën…edhe pse në thoshim “ndihmë, lajmëroni policinë” … ata na drejtoheshin në fytyrë duke bërë shenja grushti, që do ju qëllojmë nëse nuk pushoni. Këtë e kanë bërë ndaj të gjithë aktivistëve të pranishëm.”

“Ata janë munduar në çdo lloj mënyre të bëjnë presion, dhunë psikologjike ndaj aktivistëve” – tregon Mirela duke shpjeguar se më tej i dërguan në Komisariatin e Farkës -“aty situata nuk ishte e përshtatshme për të qëndruar sepse bënte shumë ftohtë dhe në një moment kanë vendosur të na zhvendosin në komisariatin numër një. Zhvendosja është bërë me pranga, duke na thënë se kjo është procedurë por mua nuk më është dukur e përshtatshme sepse unë nuk di të kem bërë ndonjë krim që të shoqërohem në këtë lloj mënyre.”

E pyetur mbi arsyet e këtij aksioni dhe nëse vazhdimësinë ajo përgjigjet: “Akti jonë i solidaritetit me minatorët e Bulqizës ishte ky dhe do të ketë dhe solidaritet në vazhdim. Ne kemi hapur një fushatë bojkoti ndaj produkteve të Samir Manes, si mënyrë për t’u solidarizuar dhe për t’i dhënë mundësinë çdokujt të bëjë diçka, sadopak për të ndihmuar minatorët e Bulqizës të cilët po pushohen në mënyrë të padrejtë nga puna e tyre”.

*Citizens Channel /l.k./

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *