Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Reportazh: Viti i Ri i minatorëve të larguar nga puna në Bulqizë

Elton Debreshi, Beqir Duriçi dhe Behar Gjimi, tre minatorët nga Bulqiza tregojnë se për familjet e tyre nuk ka Vit të Ri. Të pushuar nga puna pas organizimit sindikal, ata shprehen se entuziazmi dhe gëzimi që i shoqëron festat e fundvitit është venitur pasi gjendja ekonomike është rënduar.

Eltoni është fëmijë minatori, Beqiri prej 13 vitesh ka punuar në nëntokën e minierës dhe Behari mbart mbi supe edhe më shumë vite kontribut dhe energji të depozituara në ato galeri. Prej shpalljes së sindikatës së re, situata me kompanine private AlbChrome është tensionuar deri në shkëputjen e kontratës së punës.

Beqir Duriçi këtë vit mundet t’i ofrojë familjes së vet vetëm dashuri, pasi nuk e ka të mundur t’u blejë atyre dhurata. Po të kishte mundësi ai shprehet se do u dhuronte gjithë botën por kushtet ekonomike e frenojnë  atë.

Familjet tona nuk kanë si të festojnë këtë fundvit, nga ky rast që na ndodhi ne… Kam tre fëmijë, i madhi është 16 vjeç, i dyti është 14,  i vogli është 10 vjeç. Do u blija diçka simbolike, diçka të thjeshtë, një palë pantollona ose një palë atlete, atij të voglit një lodër… sipas ekonomisë bahet ajo punë se dëshira është e madhe, t’u dhurosh gjithë botën ama duhet me pa ekonominë. Këtë vit do jem aty prezent me njëri-tjetrin dhe do u dhuroj dashuri”, rrëfen ai për Citizens Channel.

Edhe pse pagat janë shumë të ulta, zoti Beqiri shpjegon se gjatë viteve të mëparshëm ai ka arritur t’u japë të dashurve të tij diçka simbolike gjatë periudhës së festave.

Ato pak lekë që i merrnim në atë minierë mundoheshim që t’u sigurojmë dhe t’u ndajmë diçka familjarëve në fundvit. Tashi që jemi, si me thanë, bosh dhe pa asgjë hiç, çfarë do t’u dhurojmë atyre?”, pyet minatori.

Ai do donte që të kishte mundësitë e organizimit të një drekë ose darkë jashtë dyerve të shtëpisë, e meqënëse këtë nuk do të mund ta realizojë as këtë vit, Duriçit i duhet të mjaftohet me urimet e shkëmbyera mes njëri-tjetrit.

Thjesht urimet që bëjnë familjarët me njëri-tjetrin, që të na gjejë shnosh ama në argëtim e festa, se të festosh… është absurde, çdo gjë bëhet me ekonomi. Imagjino gjatë gjithë vitit për shembull, që të marrësh familjen që të shkosh e të hash diku nje drekë a një darke… kur këtë punë nuk mund ta realizosh në fund të vitit, çfarë do u dhurosh ma tepër?”, ngre sërish pyetjen ai.

Edhe për Behar Gjimin ky vit do kalojë pa pasur festë. Ai ka punuar minator në ato zona që prej vitit 1995 dhe numëron plot 24 vite punë në galeritë e asaj zone. Behari shprehet se kompania e ka pushuar dhe nuk ia ka dhënë rrogën e 13-të.

Vitet e tjera, normalisht, [e kam festuar] si gjithë minatorët e tjerë. Ndërsa sivjet unë nuk kam Vit të Ri sepse edhe rrogën e 13-të që më takonte dhe është e shkruajtur edhe në bordoro, edhe atë ma kanë ndalë. Për mua nuk ka Vit të Ri sivjet”, përsërit ai gjatë intervistës së dhënë për Citizens Channel.

Fëmijët e tij të cilët ndodhen në Tiranë nuk do kthehen në Bulqizë për të kaluar pushimet e fundvitit pranë familjes së tyre, ndryshe nga vitet e tjera. Zoti Behar tregon se dy djemtë e tij studentë janë të detyruar të punojnë, sepse ai si prind nuk e ka më të mundur t’i ndihmojë ata.

Unë kam edhe dy djem studentë këtu në Tiranë, tani janë të detyrum që të punojnë vetë sepse unë nuk i përballoj dot. Kalamajt nuk vijnë me festu Vit të Ri në Bulqizë sepse janë në punë dhe janë të detyruar të punojnë për veten e vet. I vogli punon kamarier. I madhi do të vijë me datën një ndërsa i vogli nuk vjen fare. Dhe arsyeja është që Samir Mane mori akt të gabum ndaj meje sepse mu m’ka pushu nga puna pa asnjë lloj thyerje etike apo mungesa”, rrëfen Behar Gjimi.

Më i riu prej tyre, kryetari i sindikatës, Elton Debreshi jep lajmin së shpejti do të bëhet babai i fëmijës së katërt. Ai tregon se bashkëshortja e tij e ka mbështetur gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë.

Nusja më jep vetëm lumturi, më jep kurajo që të vazhdoj përpara në këtë rrugë që kam nis”, tregon Eltoni për Citizens Channel teksa shpjegon se problemet dhe hallet e shtuara nuk i lënë atij hapësirë që ta ndjejë mungesën e atmosferës festive.

Ky vit ishte i paparashikueshëm me thënë të drejtën, se ndryshe i bëjmë planet dhe ndryshe dalin, por duke parë se kemi një frymë të re, një sindikatë të re, nuk na interesojnë shumë festat sepse kemi halle, kemi probleme. Festat po i lëmë në njërën anë dhe po vazhdojmë jetën normale sepse neve ne kemi tragjedi përditë që ndodhin në atë galeri dhe nuk i kemi shumë mendjen tek festat”, vijon më tej ai.

I vetëdijëshëm që papunësia do ta rëndojë në vazhdim, ai bën me dije se nuk e merr aspak në konsideratë të heqë dorë nga beteja për kushte më të mira pune për minatorët e Bulqizës.

“Sot momentalisht jemi pa punë, jemi pa të ardhura, detyrime familjare. Unë jam dhe vetë i gjashti në familje kështu që pres edhe një fëmijë avash-avash dhe kushtet janë edhe më të ngushta. Me vështirësi ama do ta përballojmë jetën”, përfundon Elton Debreshi, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *