Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shtëpitë e zhdukura të Gjirokastrës

Autore: Brikena Metaj | Citizens Channel 

Shtëpitë karakteristike të Gjirokastrës po shkojnë përditë e më shumë drejt zhdukjes si pasojë e braktisjes nga pronarët dhe mungesës së vëmendjes institucionale. E ndërsa shteti investon mijëra euro në restaurimin e fasadave dhe Qafës së Pazarit, lagjet e vjetra të Gjirokastrës numërojnë banesat e shembura dhe largimin masiv të banorëve. Gjirokastra është një qytet që po shkon drejt zhdukjes ku lagjet historike të saj kanë shumë shtëpi gjysmërrënoja.

Më shumë se 200 shtëpi, monumente të kategorisë së dytë dhe të parë në Gjirokastër, janë shembur ose janë shpallur të pabanueshme gjatë 2 dekadave të fundit. Banesa të tilla si Kabilatët, Selfatët, Lolomani, Lito, Topulli, Hadëraj, Kunavi, Cene, Çabej, etj., të gjitha në këmbë gjatë dekadës së kaluar, tashmë janë kthyer në rrënoja apo gjysmërrënoja. Fotot krahasuese e tregojnë më së miri këtë fakt tronditës.

Lexo më shumë: Gjirokastra, qyteti muze që përpëlitet mes rrënojave dhe përpjekjeve për rijetëzim

Shtëpia e Hadërajve – Monument Kulture që u shemb nga Emergjencat Civile

Në janar 2014 shtëpia e Hadërajve, monument kulture i kategorisë së parë, u shemb si pasojë e mungesës së investimeve. Godina 250 vjeçare kishte nisur degradimin vite më parë, duke shembur pjesë të banesës që rrezikonin banesat pranë dhe kalimtarët. Rreziku që paraqiste banesa për objektet përreth detyroi Komitetin e Emergjencave Civile në Bashkinë e Gjirokastrës, të marrë vendimin për shembjen e pjesës perëndimore. Banesa madhështore me një sipërfaqe të çatisë prej 516 metrash katrorë kishte humbur çdo shpresë restaurimi pas zjarrit që e përfshiu Prillin e 2013 – ës. 

Rrënimi i banesës së Lolomajve – Monumenti që rrezikoi të zinte poshtë banorët

Një prej banesave më të vjetra, ajo e Lolomanajve, monument kulture e kategorisë së parë, që daton prej vitit 1860, me vendndodhje në lagjen “Pazar i vjetër” lagjja e parë e qytetit të gurtë, pjesë e zonës së mbrojtur nën listën e trashëgimisë botërore të Unesko-s, u shemb në janar të 2018 – ës duke u kthyer në e pabanueshme.

Një prej familjeve që deri dy vite më parë jetonte në këtë banesë tregon se fillimisht familja tjetër me të cilën ndanin banesën, u detyrua të largohej brenda natës si pasojë e shembjes së një pjese të godinës dykatëshe, ndërsa 4 anëtarët e familjes Qose të detyruar nga pamundësia ekonomike, jetuan për më shumë se një vit, nën çatinë gjysmë të rrëzuar, për t’u larguar më pas duke marrë me vete vetëm rrobat e trupit. Pas shirave të janarit 2018 çatia e shtëpisë së Lolomanajve u rrëzua duke e kthyer banesën monument kulture në të pabanueshme dhe në rrezik shembjeje të plotë.

Sot hyrja e dikurshme e banesës është e murosur dhe në këmbë ka mbetur vetëm skeleti i asaj që ka qenë dikur një ndër shtëpitë më madhështore të lagjes “Pazar i vjetër”.

Banesat e rrënuara në lagjen më të vjetër të Gjirokastrës

hirat e paktë të këtij dimri shkaktuan rrëzimin e mureve anësore të tre banesave monument kulture në tre lagje karakteristike të qytetit. Shtëpitë gjysmë të rrënuara janë kthyer tashmë në shqetësim serioz edhe për kalimtarët.

Mure rrënojash 5-6 metra të lartë ngrihen kërcënueshëm mbi sokaqet e ngushtë të lagjes “Manalat” në Gjirokastër. Banesat Gorica, Çami dhe Baboçi të rrënuara dhe të braktisura prej vitesh rrezikojnë të shemben mbi rrugët krah tyre.

1/3 e banorëve të kësaj lagjeje janë larguar. Banorët thonë se degradimi ka ardhur prej mosinvestimit, braktisjes dhe largimit të pronarëve. Njerëzit nuk kanë mundësi ekonomike për të restauruar shtëpitë shekullore dhe duket se rrënimi është një fenomen që nuk po ndalet.

Vila betoni në qendrën Historike

Faktor tjetër shqetësues është dhe transformimi i monumenteve nëpërmjet ndërhyrjeve të jashtëligjshme, ndërsa restaurimet pa rijetëzim vijojnë të mbeten një pikëpyetje e madhe mbi të ardhmen e trashëgimisë kulturore për qytetin e mbrojtur nga UNESCO. Specialistët pohojnë se mënyra e duhur për mbrojtjen e tyre është shfrytëzimi i këtyre monumenteve për funksionet për të cilat u krijuan. Eksperienca ka dëshmuar se ndërtimet e reja kanë dëmtuar unitetin dhe vlerën e qendrës historike.

Dy vite më parë qeveria shqiptare përmes Ministrisë së Kulturës, kishte një projekt për rehabilitimin e 22 banesave dhe “pagëzimit” të tyre me emrat e shkrimtarëve si banesat e Kabilatëve, Lolomanit, Farie – Duro e Musine Kokalari, monument kulture këto të kategorisë së parë. Ende dhe sot ky projekt nuk është vënë në zbatim, ndërsa banesa e Musine Kokalarit është kthyer në rrënojë dhe ende asnjë përpjekje për rindërtimin, rijetëzimin dhe muzealizimin e saj sipas projekteve të hershme që flenë sirtareve të administratës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *