Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Boshatisja e qytetit dhe mungesa e lehtësirave fiskale po i çon drejt falimentit bizneset në Durrës

Autore: Mila Ballhysa | Citizens Channel 

Në një kohë kur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 kanë kaluar gati 2 muaj, koha në plazhin e Durrësit është ndalur në atë datë të frikshme në historinë moderne të qytetit bregdetar. Me 5 hotele të shembura, me dhjetëra pallate që duket sikur i ka kafshuar një kafshë gjigante prehistorike, me qindra familje që kanë mbetur të pastreha dhe rreth 300 biznese të vogla të dëmtuara nga tërmeti, (monitorim i Dhomës së Tregtisë Durrës),zona e plazhit ka marrë një goditje të rëndë.

Megjithëse ishte premtuar që në fund të vitit 2019 do të ishin larguar të gjitha inertet nga pallatet e dëmtuara, ato janë larguar vetëm nga 5 hotelet e shembura. Ndërsa rreth e rrotull ndërtesave shumëkatëshe gjen grumbuj inertesh, që shkaktojnë një psikozë të trishtë tek banorët që vazhdojnë jetojnë ende aty, si dhe tek ata që vijnë shohin nga kurioziteti. Shpesh inertet i gjen vetëm pak metra larg rërës, në një kohë kur bregu i detit ka nisur të frekuentohet nga qytetarët, që shfrytëzojnë kohën e mirë të këtyre ditëve.

“Do vijë turisti, do dalë nga porti, nuk është mirë të shohë këto çarje, këto inerte, prandaj e para është eliminimi i këtyre defekteve. Nëse do rijnë kështu siç janë, ne nuk do mund të bëjmë biznes këtë verë. Nuk presim asnjë lloj turisti… Edhe ata që kanë pas mend me ardh, nuk do vijnë”, thotë Dashamir Haka, pronar i një restoranti në zonën e plazhit.

Biznesi i vogël rrezikon falimentimin

Boshatisja e plazhit nga banorët si dhe mungesa e pushuesve ditorë apo atyre që vinin në fundjavë po ndikon drejtpërsëdrejti tek bizneset e vogla. Një grua në moshë ngrohet në rrezet e diellit të mes janarit në derën e marketit të saj. Përballë ka hapësirën boshe, të krijuar nga shembja e hotel “Vila Verde”, ndërsa pallati ku ndodhet marketi i saj është i pabanueshëm. Bizneset rreth e qark i kanë të gjithë qepenat e ulur.

“Vijmë kot këtu sa për të hapur dyqanin, po punë nuk ka, s’ka këmbë njeriu. Xhiro vetëm 30 mijë lekë në ditë, edhe 30 mijë nuk bëhen. Djali ka 7 vetë për të ushqyer, jemi të mbledhur të gjithë tek ky dyqan. Kemi frikë nga falimentimi, se duan fëmijët të hanë…”- thotë ajo, që duket si e dorëzuar para hallit që e ka zënë.

Pranvera Doda shet fruta-perime ngjitur me hotel “Tropikal”, që u shemb nga tërmeti, e në të cilin humbën jetën 2 vëllezër nga Kosova. Vetë Pranvera ka humbur rreth 1.8 milion lekë të vjetra mall, që e kishte sistemuar në një hapësirë në katin e parë të hotelit. Tani, detyrohet të hedhë ditë për ditë perimet e pa shitura. Nëse gjendja nuk ndryshon, pas 3 javësh do t’i vërë drynin biznesit.

“Jemi shumë të shkatërruar nga ky tërmet, xhiro ditore ka rënë. Malli siç merret, hidhet, se prishet po nuk u shit. Të vish këtu edhe në darkë, nuk ka njerëz, pallatet janë bosh”- thotë ajo për Citizens Channel.

Mungesën e klientëve e vuan edhe Elton Shuaipi, që zotëron një dyqan mishi. Ai pohon se xhiro ka rënë gjysmë për gjysmë, krahasuar me një vit më parë.

“Në zonën e plazhit janë shumë pak banorë, pothuajse s’ka fare. Nga tërmeti janë prish shumë objekte, njerëzit i kanë braktisurshtëpitë e veta. Ne me këtë zanat mbahemi. Paguajmë licencë, drita, ujë, taksa.  Të rrish 3 orë, nuk hyn këmbë njeriu në dyqan. Gjysmë për gjysmë xhiroja. Nuk ka njerëz, është shumë dobët”,-thotë ai, ndërsa nuk di se çfarë do t’i rezervojë e ardhmja.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës kërkesë qeverisë

Nisur nga dëmtimet e rënda që ka pësuar biznesi, si dhe frika që ekziston për të ardhmen, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës i është drejtuar me një shkresë zyrtare Këshillit të Ministrave, në datë 7 dhjetor 2019, ku ka parashtruar 8 kërkesa, ndër të cilat nënvizohen lehtësira fiskale për biznesin për një periudhë 3-vjeçare dhe pezullimin e kësteve të kredisë nga bankat për të paktën 1 vit.

“Deri tani nuk kemi marrë përgjigje më shkrim, por na është premtuar që do ta marrin parasysh”,- thotë Alban Isteri, kreu i Dhomës së Tregtisë.

Duke u ndalur tek problematikat e bizneseve në Durrës, që operojnë në fushën e turizmit, Isteri rendit disa:

  • Pesë struktura hoteliere të shembura;
  • 60% e apartamenteve që lëshohen me qira gjatë verës të dëmtuara;
  • Mbi 300 biznese të vogla të mbyllura për shkak të dëmtimeve;
  • Biznese të mëdha që po paraqiten për të mbyllur apo pezulluar aktivitetin;

Për kreun e Dhomës së Tregtisë Durrës, situata, sidomos në zonën e plazhit, është shumë e rënduar.

Nuk ka prenotime, nuk ka turistë

Krahas hoteleve të dëmtuara, ka shumë të tjerë që nuk kanë dëme. Fati i tyre i keq është se rrethohen nga godina të dëmtuara rëndë.

“Që nga tërmeti, shumë prenotime janë anulluar. Erdhën disa pak ditë më parë, dolën në ballkon dhe panë përreth vetëm godina të çara. Qëndruan vetëm atë natë, ikën që në mëngjes”,- thotë Malo Pashnjari, që ka një hotel pranë Rrotës së Kuqe. Nga 1 janari deri më sot, nuk ka pasur asnjë klient në hotel.

E njëjta gjë ndodh edhe tek një hotel përgjatë rrugës “Pavarësia”, në sektorin Hekurudha. Në kohën e drekës, restoranti është komplet bosh.

“Ka pas shumë rënie xhiroje pas tërmetit. Nga restoranti, te hoteli, te prenotimet. Nuk është më si më parë”,- thotë Klajdi Mema, menaxheri i hotelit.

Ndërsa Dashamir Haka, që ka një restorant buzë detit pranon i trishtuar se krahasuar me një vit më parë ka rreth 60% fitime më pak.

“Këto muaj jemi duke punuar me humbje. Them se turizmi në Durrës, këtë verë, do jetë shumë, shumë keq. Shoh që ndërhyrjet po bëhen me vonesë dhe kam frikë se gjërat do vihen në lëvizje në periudhën prill, maj, qershor. Atëherë kur nuk ka më kohë…”- thotë ai.

Për Hakën, pa u ofruar shteti një strehim të sigurt banorëve të mbetur të pastrehë, nuk mund të presë që ata t’i vijnë për të konsumuar një kafe a një drekë në biznesin e tij. Sa për turistët, është e vështirë që ata të vijnë në Durrës, për sa kohë shumë godina janë të dëmtuara rëndë dhe nuk po nis riparimi i dëmeve.

Si do të jetë sezoni turistik këtë vit në Durrës?

Qyteti bregdetar shumicën e të ardhurave e siguron nga turizmi. Sipas të dhënave të INSTAT, Durrësi kontribuon në 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që në këtë bashki operojnë rreth 13 mijë biznese që përbëjnë 13% të bizneseve aktive në të gjithë vendin.

Turizmi ka pësuar një goditje të rëndë dhe nuk dihet nëse do ta marrë veten. Tek tuk, në disa godina kanë nisur të ngrihen skelat, po bëhen rregullime. Bashkia e Durrësit ka dhënë deri tani 29 leje të përshpejtuara për riparimin e objekteve të dëmtuara si pasojë e fatkeqësisë natyrore. Këto objekte janë kryesisht pallate dhe afati i punimeve është nga 3 deri në 5 muaj. Gjithsesi janë shumë pak, krahasuar me numrin e përgjithshëm të pallateve të dëmtuara në Durrës.

Janari thuajse iku. Deri në prill ka mbetur shumë pak kohë.

Është shumë e rëndë situata, por nëse dështon sezoni turistik mund të jetë edhe më e rëndë gjendja”,- thotë kreu i Dhomës së Tregtisë, Alban Isteri.

Bizneset kanë një sfidë shumë të madhe përpara. I mbijetuan tërmetit, por i tremben verës së këtij viti…

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *