Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aktivistja Arjola Hajdini: “Duhet marrë një farë risku për të krijuar një të ardhme më të mirë”

Prej sa vitesh jeni aktiviste e shoqërisë civile?

Nuk është së ka një periudhë të caktuar që unë e mbaj mend, në këtë vit, në këtë datë, jam bërë aktiviste… tre-katër vite, besoj…

Si kanë qenë reagimet kur jeni angazhuar në mbrojtjen e kauzave të ndryshme?

Fillimisht [reagimet] kanë qenë motivuese, mesa mbaj mend unë. Por pastaj, kur filluan që të bëheshin pak më të ashpra edhe reagimet e mia, filluan që të ashpërsoheshin edhe reagimet e të tjerëve që ishin rrotull.

A ju janë shpërndarë informacione/fotografi/të dhëna si pasojë e aktivizmit tënd?

Ka qenë shpërndarja e disa meme-ve, pas një shkrimi që kisha bërë. Nuk ishte shkrim, ishte thjesht një status Facebook-u që u shpërnda nuk e di se si, pa qëllimin tim dhe që ishte e habitshme sepse nuk kisha ndonjë qëllim që të shpërndahej, nuk kisha qëllim përtej shprehjes së mendimit. U bënë disa meme ku thuheshin gjëra të ndryshme për mua dhe për shkrimin.

Shkrimi kishte të bënte me vrasjen e Ariela Muratit dhe prekte pjesën e edukimi që u bëjnë djemve në familje, që u mësojnë të jenë gjithmonë të parët dhe kur kjo preket, ata arrijnë të kryejnë akte sikur kreu Aldison Belulaj ndaj Arielës. Njerëzit u prekën tek pjesa që familja, në një lloj mënyrë, duke e edukuar djalin kështu e mëson edhe që të vrasë, indirekte. Njerëzit u prekën se e morën literalisht [fjalë për fjalë] dhe mendonin që prindërit i mësonin fëmijët të vrasin.

Si reaguat ju?

Në fillim nuk është se e mora edhe aq seriozisht pastaj duke qenë se më shkruajtën edhe të afërm, fillova ta merrja seriozisht. Bëra disa meme për veten, ua çova, ‘merrini këto se i kam bërë më bukur‘ dhe kaq mbaroi.  U kërcënova që do i shpërndajnë edhe në faqe të tjera sepse bënim report, fshiheshin dhe i hidhnin prapë, prapë fshiheshin. Dy ditë ky muhabet, ose më shumë.

A keni marrë reporte në profilet tuaja personale sepse keni mbajtur qëndrime të caktuara lidhur me tema sociale apo politike?

Unë jam shumë e hapur për të bërë debat por që njerëzit nuk janë të prirur për të bërë debat kështu që kanë gjetur këtë mënyrën e lehtë, duke qenë se edhe Facebook-u me një ose dy-tre report ta mbyll, mjafton që  të jetë po e njëjta arsye e reportit.

Si jeni ndjerë kur ju është bllokuar profili?

Në momente të caktuara, duke qenë së Facebook-un e përdor si platformë ku shprehem, kur ka ndodhur diçka dhe kam qenë e bllokuar më ka acaruar, më ka bërë që të frustrohem në një lloj mënyre sepse nuk kam arritur që të shprehem, se është e nevojshme që njeriu  të shprehet diku dhe të dëgjohet. Për shembull, kur është miratuar ligji i shpifjes, unë kam qenë e bllokuar dhe kam bërë statusin pas një jave… për një njeri që do të flasë, do të shprehet, do të komunikojë është shumë mbytëse si gjë.

 A ndjehen prindërit e tu të rrezikuar nga lirshmëria jote?

Po, shumë madje. Por mundohem ta kaloj me shaka ose me premtimet e mia boshe që ‘Okej, nuk do e bëj më’, por që vazhdoj sepse e kam në natyrë, nuk mund të dal jashtë natyrës.  Mua është thënë edhe shiko se ‘do të të hedhin në ndonjë qoshe, do të të vrasin’, ‘do na lësh pa bukën e gojës’, gjëra të këtilla, që janë shumë larg, nuk i mendoj. Mendoj se duhet marrë një farë risku për të krijuar një të ardhme më të mirë.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *