Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ashensorët dhe siguria para dhe pas tërmetit

Autor: Vali Qyrfyci /Citizens Channel 

Të paktën 10 viktima janë regjistruar në vend si pasojë e aksidenteve në ashensorë, kryesisht në godinat e banimit. Rastet fatale nuk kanë munguar as në Durrës. Kabllo që këputen, kabina që bien në gjendje të lirë dhe një përplasje që mund të rezultojë fatale për jetën a shëndetin. Bllokim në ashensorë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, apo nga goditjet sizmike. Makth pafund për këdo që e ka provuar një situatë të tillë. Edhe pse ashensorët konsiderohen si një nga mjetet e transportit më të sigurta në botë, pasi mbahen nga 6 deri në 12 kabllo çeliku që parandalojnë rëniet fatale, dhe kanë sisteme sigurie, aksidentet nuk mungojnë. Ndaj natyrshëm për këdo lind pyetja: Sa të rrezikshëm janë ashensorët dhe kush është përgjegjës për mirëmbajtjen e tyre?

Kontrollet e ashensorëve

Tërmetet e vjeshtës sollën sërish në vëmendje problematikat me ashensorët. Menjëherë pas tërmetit të 21 shtatorit nisën kontrollet e tyre nëpër pallate, ndërsa me rënien e tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit këto kontrolle u intensifikuan. 12 grupe pune të Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut vepruan në qytetin e Durrësit për një periudhë dyjavore duke verifikuar nëse ishte kryer vlerësimi i gjendjes së ashensorëve pas tërmetit, në të kundërt vendosej bllokimi i tyre. Problemet e konstatuara më shpesh në ashensorët e pallateve kanë qenë dalja nga shinat dhe defektet në sistemin e frenimit, apo hapje-mbylljen e dyerve. Inspektori i IKMT-së Aleks Haxhiraj tregon se kontrollet janë kryer në terrene, godina ku ka banorë, ndërsa në pallatet e pabanueshme grupet nuk kanë hyrë për të verifikuar gjendjen:

“Kur pallatet janë të pabanueshme, është e kuptueshme që as ashensori nuk duhet të përdoret.”

Realiteti ka ofruar thyerje të këtij rregulli dhe në shumë pallate të pabanueshme. Edhe aty ku shkallët janë krejtësisht jashtë funksionit dhe godina është vlerësuar e pabanueshme, banorët për t’u ngjitur në apartamentet e tyre kanë përdorur ashensorët. Përballë shkallëve të dëmtuara, ato janë vlerësuar si më të sigurta për të nxjerrë prej banesave veshje apo sende me vlerë.

“Ashensorin tonë nuk e ka inspektuar askush. Nuk ka asnjë njoftim për këtë, por ai punon siç mund ta shihni dhe vetë. Madje përdoret nga banorët që nuk jetojnë më në këtë pallat krejtësisht të pabanueshëm.” – thotë Petrit Dulemata, banor i një prej pallateve që është vlerësuar me nivelin e dëmtimit DS4 në lagjen 18 të Durrësit.

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut Julian Llupo thotë se grupet e punës gjatë aksionit të ndërmarrë pak ditë pas rënies së tërmetit të fund nëntorit kanë kryer kontrollin e të paktën 942 ashensorëve dhe të dhënat janë në përpunim e sipër. Përmes këtyre kontrolleve, ISHMT vuri në lëvizje jo vetëm administratorët e pallateve, po dhe qytetarët që të kërkojnë verifikimin e gjendjes së ashensorëve nga instaluesit, para përdorimit të tyre.

Pas tërmetit të 21 shtatorit, përmes një VKM-je, Qeveria kërkoi që brenda 31 dhjetorit të vitit 2020 të bëhet kontrolli i plotë i ashensorëve ekzistues, të vendosur në shërbim deri më 31 dhjetor 2019. Sipas Llupos, është domosdoshmëri kryerja e verifikimit fillestar dhe atij periodik të ashensorëve, si e vetmja formë e detyrueshme që ofron siguri. Paralelisht me kontrollet po kryhet dhe regjistrimi pranë inspektoratit i të gjithë ashensorëve në rang vendi. Regjistri i tyre elektronik do të përmbajë të gjithë dosjet teknike të ashensorëve në përdorim aktualisht.

Banorët dhe administratorët e pallateve

Drejtuesja e Qendrës “Konsumatori Shqiptar” Ersida Teliti thekson se ashensorët janë një e mirë e përbashkët, po që duhet të plotësojnë disa standarde për sigurimin e jetës dhe shëndetit të përdoruesve të tyre, ndërkohë që vetë konsumatorët duhet të njohin të drejtat e tyre, po dhe të respektojnë udhëzimet dhe rregullat e përcaktuara qartë për përdorimin e ashensorëve dhe mirëmbajtjen e tyre.

Mirëmbajtja e tyre është një domosdoshmëri si për çdo tjetër mjet transporti, po në realitet situata duket problematike. Incidentet e shumta kanë detyruar ISHMT-në që të vihet në lëvizje për të kërkuar respektimin e standardeve evropiane për ndërtuesit e pallateve dhe kompanive qe instalojnë ashensorë që nga janari i këtij viti, ndërkohë për ashensorët e instaluar më parë dhe që nuk e kalojnë kolaudimin për shkak të gjendjes jo të mirë teknike, banorët e pallateve ku ato konstatohen do të duhet të paguajnë shtesë për ta pajisur atë me element shtesë për sigurinë, kur pallati ka kaluar afatin 5-vjeçar nga ndërtimi. Brenda këtij afati, detyrimin për ta përditësuar sigurinë e ashensorit me elementet shtesë e ka kompania që ka ndërtuar objektin.

Në bazë të ligjit “Për administrimin e bashkëpronësisë” është detyrë e administratorit të pallatit që ka në përdorim ashensorë që të regjistrojë, mirëmbajë dhe modernizojë ashensorin e godinës së banimit. Administratori duhet të kontraktojë një trupë të autorizuar për vlerësimin e gjendjes së ashensorit në bazë të standardeve të kërkuara dhe të kujdeset për mirëmbajtjen e dhe përditësimin e sigurisë së ashensorit me elementë shtesë. Janë dy trupa te autorizuara nga MFE, një spanjolle dhe një greke, që bëjnë kolaudimin dhe certifikimin e ashensorëve. 

Kush mban përgjegjësi për ashensorët?

Si mjet transporti vertikal që përdoret gjerësisht në godinat shumëkatëshe të banimit e shërbimit dhe si çdo mjet tjetër transporti, ashensori përballet me incidente të shumta të cilat në jo pak raste kanë regjistruar viktima dhe të gjymtuar. Në shumë prej këtyre rasteve hetimet kanë konstatuar se ashensorët nuk kanë qenë mirëmbajtur prej kohësh, po në fund hetimet janë mbyllur. Ngjarjet janë kualifikuar si aksidentale pa vënë askënd para përgjegjësisë, qoftë kompani instaluese, apo individ. Që prej instalimeve të para, tregu i sigurisë së mjeteve të transportit vertikal qe lënë në mëshirë të fatit. Shumë ashensorë nuk janë të certifikuar me markën CE, duke u kthyer në rrezik potencial për përdoruesit. Por 2020 duket se do të jetë viti i kthesës së madhe, ndonëse problem thelbësor mbetet se mbi kë do të rëndojë përgjegjësia në rast incidentesh të rënda me pasoja për jetën a shëndetin e përdoruesve.

Baza ligjore ekziston, problem mbetet zbatimi. Veçanërisht shqetësues është zbatimi i ligjit për administrimin e bashkëpronësisë. Ndërsa në Tiranë janë hedhur hapa të rëndësishëm drejt zbatimit të tij, në Durrës ky ligj është thuajse i pazbatueshëm.

Sipas Llupos, banorët duhet të informohen mbi rëndësinë dhe sigurinë e certifikimit të ashensorëve, që lidhet drejtpërdrejt me jetën e tyre. Kjo do të thotë se ata duhet të marrin përsipër edhe kostot e këtij procesi, brenda administrimit të hapësirës publike. Sikurse paguajnë tarifat e tjera, do të ketë edhe një tarifë përsa i përket këtij procesi që është tejet i domosdoshëm. Në këtë situatë roli i administratorit është shumë i rëndësishëm. Administratori është përgjegjës për procesin e mirëmbajtjes, që bëhet nga trupat përkatëse. A është përgjegjës ai në rastin e një incidenti?
Nëse administratori ka zbatuar detyrat përsa i përket mirëmbajtjes, ka kryer mirëmbajtjen periodike dhe të gjitha ndryshimet për sjelljen e ashensorit brenda parametrave, përgjegjësitë e tij në rastet e aksidenteve janë zero. Në rast se administratori nuk e kryen gjithë këtë proces, atëherë asambleja e banorëve ose organet e tjera do të zbatojnë ligjin. Problem mbetet kur banorët nuk paguajnë për mirëmbajtjen e ashensorëve. Edhe në këtë rast, zbatimi i ligjit ka ceduar. I pyetur se mbi kë rëndon përgjegjësia penale kur ka dëm në njerëz nga gjendja jo e mirë teknike e ashensorëve, kreu i ISHMT-së J. Llupo thotë:

“Përgjegjësia penale përcaktohet nga organi i akuzës rast pas rasti, po nëse pallati ka administrator ai është personi përgjegjës. Nëse pallati nuk e ka kaluar pronësinë te banorët, apo pronësia ka kaluar dhe është brenda 5 viteve të para nga ndërtimi është ndërtuesi përgjegjës për verifikimin fillestar të ashensorit. Rastet e tjera variojnë. Duhet parë nëse e ka kaluar kontrollin nga një trupë e autorizuar dhe nuk ka ndërhyrje në instalim; nëse janë kryer shërbimet. Nëse ndodh aksident dhe kontrolli periodik është kryer, atëherë përgjegjësia bie mbi trupën e autorizuar.”

Llupo i ISHMT-së dhe Teliti e qendrës “Konsumatori Shqiptar” bien dakord në një pikë se çështja më problematike është zbatimi i ligjit për bashkëpronësinë, ambientet e përbashkëta. Në çastin kur qytetarët do të kuptojnë rëndësinë e angazhimit dhe detyrimeve që kanë ndaj sigurisë në ambientet e përbashkëta që ndajnë në përditshmërinë e tyre dhe administratorët e pallateve do të kryejnë rolin me të cilin ngarkohen nga ligji, procesi dhe siguria do të rriten.

Raste:

Një 15-vjeçar humbi jetën kur ra në hapësirën e një ashensori mallrash, që ishte jashtë çdo standardi teknik, në fabrikën ku punonte e ëma. Ngjarja ndodhi në Shkozet të Durrësit, në gusht 2017, gjatë së cilës mbeti i plagosur edhe një punonjës 44-vjeçar që tentoi ta ndihmonte të miturin.

Në qershor 2013, një fëmijë vdes dhe një tjetër plagoset, në lagjen nr.1 të Durrësit, kur ashensori pëson rënie të lirë pas këputjes së kabllove.

Në korrik 2018, si rezultat i ndërprerjes së energjisë elektrike, ashensori i një pallati te lagjja nr.12 në Durrës, pësoi rënie të lirë, duke shkaktuar dëmtimin fizik të një 66-vjeçari që ndodhej në të. Procedimi penal nisi, po gjykimi bitisi pa përgjegjës.

Në janar 2017, në zonën e “Freskut” në Tiranë, një nënë 29-vjeçare humbi jetën pas flakëve që përfshinë ashensorin e pallatit të saj.

Në shkurt 2019, një vajzë plagoset si rezultat i rënies së lirë të ashensorit të një pallati në zonën e Don Boskos në kryeqytet. Policia shoqëron administratorin.

Më 6 nëntor 2019, në Lushnjë, një i moshuar që ngeci në ashensor rrezikoi jetën, ndërsa banorët akuzuan pronarët e pallatit për mosmirëmbajtjen e ashensorit dhe mungesën e administratorit të pallatit.

Në një pallat në Shkozet të Durrësit ekspertët e huaj konstatojnë çudinë e një ashensori që funksionon nga kati i tretë i pallatit për të shmangur përdorimin e tij nga banorët e kateve të para. Rasti u konstatua pas tërmetit të 26 nëntorit dhe nuk është i vetmi.

Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit"Siguria e konsumatorit në lidhje me produktet joushqimore" zbatuar nga Qendra "Konsumatori shqiptar"

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *