Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

776 shkencëtarë bashkohen kundër digave në lumin Vjosa

Ditën e shtunë u mbajt konferenca për shtyp “Komuniteti shkencor shqiptar dhe ndërkombëtar kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumin Vjosa”, ku shkencëtarët shqiptarë e të huaj kundërshtuan edhe një herë hidrocentralet në lumin Vjosë dhe vazhdimin e punimeve në ndërtimin e digës së Kalivaçit, përgjatë po këtij lumi.

Ata ngrenë shqetësimin se këto punime do ta shkatërrojnë ekosistemin e njëkohësisht do të ndikojnë negativisht në zhvillimin bujqësor e turizmin pasi ulin nivelin e ujërave nëntokësorë dhe nxisin erozion bregdetar, nuk zvogëlojnë rrezikun nga përmbytjet në rrjedhën e poshtme dhe rrisin rreziqet e aktivitetit sizmik në rajonin e Vjosës.

Kompanitë fituese është shpallur kompania turke “AYEN-Enerji A.S” dhe “FUSHA sh.p.k”. Koncesioni i parë u nënshkruar më shumë se 20 vjet më parë, në vitin 1997, i ndryshuar disa herë radhazi dhe data e operimit është shtyrë vazhdimisht.

Ekspertë në mbrojtje të Vjosës kanë zhvilluar një takim më Presidentin Meta, për t’i shprehur shqetësimin e tyre lidhur me fatin e këtij lumi.

Meta u shpreh se shumë shpejt do të organizohet një konferencë ndërkombëtare lidhur me rëndësinë që ka mbrojtja e lumit të fundit të egër në Evropë, duke e konsideruar Vjosën një trashëgimi natyrore me rëndësi evropiane.

Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis (VNM) u prezantua për publikun në Memaliaj. Kundërshtuesit e këtij hidrocentrali bëjnë me dije se nuk janë përmbushur provat shkencore se nuk ekziston rrezik ekologjik nga këto punime.

“I gjithë procesi, kam frikë, se është i rremë. Për vite me radhë, shkencëtarët shqiptarë dhe kolegët tanë nga vendet e tjera kanë ofruar mbështetje për çështjen e Vjosës, por politikanët shqiptarë na kanë injoruar vazhdimisht. Sidoqoftë, ne qëndrojmë jo vetëm për Vjosën, por edhe për respektimin e standardeve shkencore në Shqipëri, për të mirën e njerëzve dhe natyrës sonë”, u artikulua Prof. Aleko Miho nga Universiteti i Tiranës.

Shkencëtarët kombëtarë e ndërkombëtarë, krah për krah me Vjosën 

129 ekspertë mjedisorë shqiptarë, iu bashkuan listës së plotë të 776 shkencëtarëve nga 46 shtete që nënshkruan peticionin ku kërkohet pushimi i projekteve që do të ngrenë diga në lumin e vetëm të egër në Evropë.

Ky peticion iu drejtua qeverisë shqiptare, përkatësisht kryeministrit, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai mbetet një ndër peticionet më të mëdha të shkencës në ekologjinë e ujërave të ëmbël, në rang botëror.

“Ndërtimi i digave në basenin e lumit Vjosë është i pavend, dhe nga një aspekt gjeologjik. Kjo pasi zona është shumë sizmike. Është një ndër zonat më sizmike që kemi në Shqipëridhe ndërtimi i digave do ndikohet fort nga ky aktivitet sizmik”, u shpreh Dr. Klodian Skrame, Universiteti i Tiranës.

“Jam shumë i shqetësuar për faktin se jemi duke rrezikuar të humbasim të vetmin lum të egër në Shqipëri dhe ky është lumi Vjosa. Duke ndërtuar një digë të vetme përgjatë lumit Vjosa, do ta humbasim lumin përgjithmonë. Rezukton se të gjitha këto diga hidrocentralesh po shkatërrojnë burimet tona natyrore dhe ekologjinë. Nuk do të kemi zgjidhje nëse ne  humbasim lumin Vjosë tani”, artikulon Prof. Ferdinand Bego nga Universiteti i Tiranës.

“Ekzistojnë disa lloje peshqish që vijnë nga deti dhe migrojnë në rrjedhën e sipërme, si për shembull ngjala (evropiane) e cila riprodhohet në detin Sargasso e më pas vjen disa mijëra kilometra në  Evropë. Pastaj migron në lumë për t’u ushqyer dhe rritur. Nëse ndërtoni një digë hidrocentrali ajo (ngjala) do të zhduket përfundimisht në këtë lumë. Dhe është një specie shumë e rrezikuar”, shpjegon Prof. Gilles Pinay nga Instituti Kombëtar i Kërkimit të Shkencës dhe Teknologjisë për Mjedis dhe Bujqësi, Francë.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *