Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tiranë: Shtyhet seanca gjyqësore për HEC-et në Mat

Shtyhet sërish seanca gjyqësore për ndërtimin e HEC-eve në lumin Urakë në Zajs dhe Zall-Gjoçaj, pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë.

Arsyeja e mos zhvillimit të kësaj seance ishte raporti mjekësor që kishte paraqitur avokati i palës së paditur. Kjo është hera e dytë që seanca gjyqësore shtyhet. Më herët anullimi erdhi si pasojë e pretendimit të firmës kontraktuese për ndërtiminin e HEC-eve “Seka Hydropower SH.PK.”, se nuk e kishte marrë thirrjen për padinë, si rezultat i ndryshimit të adresës.

Banorët e Matit janë prej kohësh duke kundërshtuar ndërtimin e HEC-eve , ku si simbolikë kanë ngritur edhe një çadër rezistence ku qëndrojnë me turne për të mbrojtur tokat dhe ujin e tyre.

Sipas banorëve, me ndërtimin e HEC-eve kërkohet të devijohet rrjedha natyrale dhe marrja e lumit Flim që ndodhet në fshatin Zall-Gjoçaj dhe bashkimi i tij me lumin Urakë, nëpërmjet tubacioneve dhe tuneleve.

I pranishëm sot pranë Gjykatës Administrative, Dhimitër Koleci, banor i Matit rrëfen se të gjitha procedurat janë kryer nga institucionet në Tiranë, duke mos pyetur banorët e zonës.

“Janë bo të gjitha letrat nga zyra në Tiranë. Nuk është lajmëruar asnjë banor, nuk ka asnjë firmë të banorëve që preken nga marrja e ujit. Takimin e ka bo në Rrëshen, banorët janë në Zall Gjocaj, janë pjesë e Matit edhe për të shku në Rrëshën duan 10 orë. Sot kanë sjellë fadromat dhe buldozerat për të hyrë në Parkun Kombëtar.

Sipas tij vendi ku do të ndërtohen hidrocentralet është Park Kombëtar dhe ky veprim është kundër ligjit.

“Tjetërsimi dhe devijimi i ujërave brenda zonave të mbrojtura nuk e lejon ligji. Në kohën kur kjo zonë ishte Park Kombëtar si e jep lejen për të marrë ujë. Njerëzit nuk e kuptojnë, nuk e dinë. Aty merret ujë brenda Parkut Kombëtar 2500 metra, futet në tubacione, hyn në tunel, lidhet në anën e Mirditës në lumin e Urakës, bëhet një hidrocentral tjetër, merret edhe lumi i Urakës me tunel, shkon prapë në pjesën tjetër dhe e kthen në liqenin e Ulzës pastaj e shkon prapë në bazenin e vet”.

Të shqetësuar për vijimin e punimeve në zonën ku ata kanë tokat e tyre banorët shprehen se uji i përket atyre dhe është i pijshëm.

“Ai është ujë për të pirë, nuk është ujë për ta futur në HEC-e. I HEC-eve është i treti, duhet të merret nga i pari. I pari është për njerëzit , i dyti është për blegtori e për vaditje, i treti është për HEC-e. Ne nuk jemi kundra zhvillimit“,-shprehet një nga banorët e pranishëm pranë Gjykatës.

Një tjetër banor rrëfen se ata nuk janë kundër zhvillimit,por ndërtimi i HEC-eve dëmton zonën dhe tokat e tyre.

“Në qoftë se është për të mirën tonë edhe ne jemi dakord, por ajo është për me e shu at’ ven, për me e tha. Ësht ujë i pijshëm, ta morin ta pijnë njerëzit, pse duhet ta mori dikush tjetër. Ne jemi kundra kësaj. Kur ngrehet një popull i tërë, gjithë ajo zonë, nga Burreli dhe kanë 6 orë e kanë ardh ktu për me e kundërshtu. Po të ishte mirë ne s’do e kundështoshim, do thoshim hajde bujrum”.

Kërkesë padia është paraqitur në emër të 9 banorëve që kanë pronat e tyre në zonën ku po ndërtohen HEC-et si dhe organizata mjedisore “Eco Albania.

Të paditur janë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjensia Kombëtare e Mejdisit, Këshilli i Basenit Ujor Mat, Këshilli Kombëtar i Territorit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Shoqëria Seka Hydropower” shpk.

Kërkesë- padinë e banorëve të Matit mund ta lexoni Padia HEC Seke Zais

Seanca gjyqësore e radhës do të zhvillohet më datë 28 shkurt, në orën 09.00 pranë gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

*Citizens Channel /Erisa Kryeziu

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *