Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ditë pas dite: Sa herë ndryshuan oraret, gjobat dhe kufizimet për shkak të COVID-19

Sot bëhen 29 ditë që kur Shqipëria konfirmoi zyrtarisht rastin e parë me COVID-19. Më 9 Mars 2020, Ministria e Shëndetësisë njoftoi për pacientin zero, i cili udhëtoi nga Italia për të hyrë në Shqipëri nga dogana e Muriqanit, ku nuk iu nënshtrua kontrolleve mjekësore që kishin nisur prej ditësh.

Një ditë më pas, në 10 Mars 2020, Kryeministri Rama njoftoi masat e para të kufizimit të lëvizjes për shqiptarët. Që prej asaj dite, institucionet kanë hartuar 12 akte normative, 23 vendime të Këshillit të Ministrave, 20 urdhëresa dhe 4 vendime qarkulluese, nga mbyllja e lokaleve tek nxjerrja e ushtrisë në rrugë dhe paralajmërimet për heqje lirie.

Kryeministri Rama ka marrë vullnetarisht rolin e udhëheqësit të luftës së Shqipërisë ndaj “armikut” COVID-19. Një vrull postimesh të publikuara nga ai, më shumë se 300 (deri në datën 30 Mars), informojnë publikun për kur do të dalin nga shtëpitë, çfarë duhet të bëjnë kur do të blejnë ushqime etj., shpesh me një nxitim që shmangu procedurat ligjore.

Rregullat e lëvizjes kanë ndryshuar pesë herë në këto 30 ditë që pas vendosjes së regjimit të ndalimit dhe gjobave. Ndërsa sistemi i lejeve ka ndryshuar tre herë, duke shkaktuar jo pak hutim dhe ngatërresë tek qytetarët.

Më poshtë lista e plotë e kufizimeve ditë pas dite:

10 Mars – Masat e para të kufizimit

Mbyllen pub-et, palestrat, diskotekat dhe ambientet e mbyllura për argëtim. Lokalet vijojnë të hapura duke respektuar hapësirën 2 metra mes tavolinave.

11 Mars – Prezantohet akti i parë normativ.

Përmes një akti normativ që ndryshon ligjin për luftimin e infeksioneve, Mbyllen deri më datën 3 prill të gjitha restorantet, baret, klubet në Tiranë dhe Durrës fillimisht. Publikohet akti i parë normativ ligjit për parandalimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive i shtohen gjoba 500,000 deri në 700,000 lekë për bizneset që shkelin kufizimet.

12 Mars – Nis ndalimi i qarkullimit
Ndalohet qarkullimi i automjeteve private dhe transportit ndërurban në Tiranë dhe Durrës, Lezhë, Elbasan, Lushnje, Fier dhe Vlorë.

14 Mars – Prezantohet autorizimi i mjeteve me e-mail nga policia e shtetit dhe masat e para ndëshkuese

Pas ndalimit të lëvizjes së automjeteve, prezantohet metoda e parë e regjistrimit të lëvizjes, e cila do të ndryshojë edhe 3 herë të tjera në 30 ditët e ardhshme. Të gjithë personat që do të lëviznin me automjete private duhej të dërgonin e-mail në adresën: policiarrugore@gmail.com (e-mail zyrtar i policisë, që me sa duket nuk ka arritur të marrë një adresë e-mail të dedikuar dhe përdor platformën Google). Vendosen 2 numra telefoni (me pagesë) për më shumë informacion, ndërkohë prezantohen masat e para ndëshkuese – 3 vite heqje patente për të gjithë personat që shkelin rregullin e lëvizjeve me automjet. Ndërkohë mbyllen të gjitha bizneset në qarqet Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Lezhë, Vlorë, Fier dhe Elbasan.

14 Mars- Mbyllen kufijtë tokësorë me vendet fqinje

15 MARS – Prezantohet akti normativ me gjobat për shkelësit e rregullave të kufizimit për shkak të COVID-19

Katër ditë pas lajmërimit të kufizimeve, publikohet akti normativ për masat e veçanta administrative për situatën e COVID-19. Ku përfshihen gjoba për drejtuesit e mjeteve, individët, bizneset, mediat institucionet arsimore etj.

Ndërkohë rregullat e lëvizjes ndryshojnë për herë të dytë. Lejohet vajtja në punë deri në 08:00 të mëngjesit dhe kthimi nga puna nga ora 16:00 – 17:00, për punonjësit e sektorit publik dhe ata privatë që kanë marrë autorizimin me e-mail nga policia e shtetit.

16 Mars – Prezantohen gjobat për individët këmbësorë

Ndryshojnë për herë të tretë rregullat. Ndalohet çdo lëvizje në këmbë pas orës 18:00, ndalohet rreptësisht ulja në parqe në çdo orë të ditës. Në aktin normativ të një dite më parë shtohen gjoba prej 10.000 lekësh për dhe sekuestrim për 3 muaj i automjeteve privat për këmbësorët.

18 Mars – “Edhe punonjësit publik në këmbë”

Rregullat ndryshojnë për punonjësit e administratës publike. Detyrohen të shkojnë në këmbë në punë dhe prezantohet mbajtja e rrogës për 3 muaj në rast shkelje dhe pushimi nga puna në rast përsëritje. Institucioneve publike ju lihet 8 orë kohë për të dërguar në polici apo bashki listën e punonjësve që mund të lëvizin me makinë.

18 Mars – Ndryshojnë sërish oraret e lëvizjes – hiqen ndihmat për “pabindurit”
Ndryshojnë për herë të katërt rregullat e lëvizjes. Ndalohet edhe njëherë dalja e këmbësorëve me persona të tjerë në krah. Lëvizja e këmbësorëve kufizohet në 06.00 – 10.00 dhe 16.00 – 18.00. Të gjithë shkelësit do të përjashtohen nga paketa e solidaritetit.

20 Mars – “Ushtria merr në dorë karantinën”

Zbritja e autokolonave të ushtrisë, bashkë me armë të rënda kundërajrore në rrugë lajmërohet nga Kryeministri me një gjuhë të ashpër ku nuk kursehen terma si:  “tradhtarët për të cilët do përdoret çdo mjet, deri në heqjen e plotë të lirisë”. Përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave angazhohen Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për sigurimin e masave parandaluese ndaj epidemisë COVID-19.

20 Mars – “Të gjithë në shtëpi pas orës 13:00”

Ndryshon për herë të pestë orari i lirisë së lëvizjes, këtë herë pa një akt normativ apo vendim qeverie. Qytetarët lejohen tani të dalin në orarin 5.00-13.00, nga e hëna në të shtunë. Farmaci, dyqane, shërbimet bankare do të operojnë në të njëjtën orë.

29 Mars – Prezantohet “leja për dalje”

Asnjë qytetar nuk mund të lëvizë pa marrë autorizim përmes e-Albania apo mesazh tek numri 55155. Vetëm një përfaqësues nga çdo familje mund të bëjë pazar apo të blejë ushqim ndërmjet orës 5.00-13.00, nga e hëna në të shtunë. Sistemi i lejeve ngjalli jo pak pakënaqësi tek qytetarët, të cilët denoncuan mosfunksionimin e tij. Kjo e detyroi qeverinë të hiqte regjimin e gjobave për dy ditë, duke pranuar problemet në sistemin e mesazheve dhe e-albania.

2 Prill – Shtyhen pa afat masat shtrënguese dhe kufizimet për parandalimin e COVID-19

Një ditë përpara përfundimit të afatit të kufizimeve, Ministria e Shëndetësisë njofton shtyrjen pa afat për masat shtrënguese për parandalimin e epidemisë COVID-19.

2 Prill 2020:
Shtyhet pagesa e qirave nga ana e bizneseve të vogla dhe familjarëve që kanë ndaluar punën për shkak të COVID-19. Gjoba deri në 5-fishin e shumës për pronarët që kërkojnë qiratë.

6 Prill 2020:
Masat ndëshkimore dhe kufizimet lajmërohet se do të ndryshojnë për herë të gjashtë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *