Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Të mirët janë larguar”, zëvendësimi i shpeshtë i infermierëve krijon probleme në spitalin e Shkodrës

Autore: Anila Dushi | Citizens Channel | Shkodër

Largimi i shqiptarëve drejt vendeve të tjera, kryesisht për arsye ekonomike është një fenomen në rritje që ka përfshirë edhe sistemin e shëndetësisë. Të shumtë janë mjekët e infermierët e larguar drejt vendeve të BE, edhe në Spitalin Rajonal të Shkodrës, i vetmi që mbulon gjithë veriun e Shqipërisë. Burime nga ky spital pohojnë se ka mjaft të larguar drejt vendeve të tjera kryesisht Gjermanisë.

Paolo Kaceri

”Vetëm gjatë vitit 2019 e në vazhdim janë rreth 10 mjekë dhe 38 infermirë të larguar jashtë Shqipërisë nga ky spital, ndërsa ka dhe të tjerë që janë në proces pasi janë disa proceduara që duhen kaluar që të fitojnë të drejtën e punës në Gjermani, kryesisht nivelet e gjuhës gjermane” tregon për Citizens Channel kryeinfermieri i këtij spitali Paolo Kaceri, njëkohësisht drejtues i Sindikatës së Infermierëve për qarkun e Shkodrës.

Sipas Kacerit, ka dhe të tjerë që janë në proces largimi por procedurat aktualisht janë ngadalësuar apo dhe ndërprerë për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19 kudo në botë. Mosha mesatare e të larguarve është 30-35 vjeç, por ka dhe mjekë mbi të 50-tat që janë larguar. Personeli mjekësor i larguar i përket të gjithë pavijoneve të spitalit por më të shumtë janë ata të urgjencës, reaminacionit, patologjisë, sallës së operacionit të urgjencës, etj.

Të tillë janë mjeku kardiolog Artin Kica, 52 vjeç, mjeku u urgjencës Sehar Baraku, mjekë patologë (të përgjithshëm) apo infermierë si Moistion Belinovi, Fatjon Lezha, Renato Rasha, Xheladin Shkreli etj.

“Këta janë integruar plotësisht atje ku kanë shkuar pasi përvoja e tyre në punë ka bërë që të mos kenë nevojë për asnjë ditë trajnim por të trajtohen njëlloj me personelin shëndetësor atje duke filluar punë menjëherë”, shton Kaceri.

Infermierët e larguar janë zëvendësuar me të tjerë përmes portalit “Infermierë për Shqipërinë” një iniciativë e prezantuar nga Ministria e Shëndetësisë në vitin 2018 për të rritur transparencën  në procedurat e punësimit.

Pacientë kronikë në këtë spital që marrin shërbim spitalor vazhdimisht shprehen se ka infermierë, sidomos këta të ardhurit kohët e fundit që paraqesin probleme.

Selami Xhema

Selami Xhema, i sëmurë kronik nga qyteti i Shkodrës, shprehet: “unë shtrohem 3-4 herë në vit në spital se kam nevojë për shërbim mjekësor që nuk bëhet dot në kushte shtëpie. Ka infermierë që nuk dinë me gjetë venën për injeksionet  dhe të shpojnë tre derë në katër herë e me shumë vështirësi e gjejnë. Jo se nuk duan por nuk dinë. Ka pasur infermierë që tani kanë shkuar në Gjermani që e gjenin venën që herën e parë duke mos e torturuar më shumë të sëmurin. Të mirët janë larguar.”

Një tjetër paciente kronike e patologjisë, Drita Hasani tregon se ka qëndruar tre javë bë spitalin e Shkodrës e sëmurë pasi ka bërë operacion dhe është përballur me shërbim mjekësor jo cilësor. ”Infermierët, tre të tillë ,nuk më vinin dot serumin se nuk gjenin venën, u desh të thirrej një më i vjetër që e gjeti menjëherë. Dhe kur u vendos vegoni, mu infektua vendi pasi infermierët e dhomës nuk dinin ta bënin si duhet punën. Vitin e kaluar kam qenë e shtruar 2 javë, para se të operohesha por infermieri i dhomës ishte i aftë dhe nuk kisha asnjë problem. Kur u ri-shtrova në spital, pyeta për të dhe në thanë nuk  është më pasi ka ikur dhe ka filluar punë në Gjermani. Kuptohet ai nuk e kishte problem se ishte i aftë”.

Ndërsa një tjetër pacient, Gëzim Guri shton se infermierët e rinj nuk dinë të përdorin aparaturat dhe duhen thirrur të tjerë. ”Kisha babanë e sëmurë rëndë dhe duhej vendosur monitori përkatës por infermieri nuk dinte, thirri një tjetër dhe ai nuk po vendosye dot. U desh të thirrej mjeku dhe një infermier tjetër me përvojë që ta vendosnin. Kjo ndodh se kanë ikur infermierë të kualifikuar dhe ata që i kanë zëvendësuar duan kohë që të aftësohen e të mësojnë pasi janë pa përvojë pune”.

Kryeinfermieri Paolo Kaceri thotë se të ikurit kanë lënë boshllëk: ”Mungon trajnimi i të rinjve që i zëvendësojnë, ato nuk kanë, përvojë pune , kanë vetëm diplomën e shkollës. Kjo bën që infermierët e rinj të dublohen nga të tjerë më me përvojë  dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit pasi u merr kohën pacientëve të tjerë dhe kjo është në dëm të pacientëve. Janë me dhjetëra infermierë në spitalin e Shkodrës që janë në procedura për largim ngas Shqipëria e punësim jashtë vendit. Jam i bindur se po të kishte procedura më të lehta, do iknin të gjithë”.

Shkaqet e largimit të personelit të kualifikuar mjekësor janë disa , kryesisht ekonomike por jo vetëm. Lidhur me këtë Kaceri shprehet se përveç anës ekonomike ,shkaqet e largimit lidhen edhe me kushte e punës, me mbrojtjen në punë, mosrespektimin e figurës.

”Ka plot raste që personeli mjekësor fyhet apo dhe dhunohet. Ka që ecin drejt , ka që ndjekin rrugë të gabuar, por nuk duhen futur të gjithë në një grup. Është një klimë e papërshtatshme pune, dhe ka mungesë respekti edhe mes kolegësh. Kushte e punës  lënë mjaft për të dëshiruar. Kryesorja mbetet ana ekonomike”.

Vetëm në vitin 2019, ka pasur 8 raste të dokumentuara të dhunës ndaj bluzave të bardha në spitalin e Shkodrës, por burime pranë këtij institucioni tregojnë se ka edhe shumë rastë të tjera që zgjidhen privatisht me ndërmjetësinë e personave të tjerë, shto këtu edhe rastet kur denoncimet tërhiqen.

Pagat e infermierëve të zakonshëm  në spitalin e Shkodrës janë 33000-37000 lek të reja në muaj, ndërsa në reparte të ndryshëm shkon deri në 41000 mijë lekë  të reja.

Për kryeinfermierin Kaeri dallimi me homologët jashtë vendit është i madh: “sipas asaj që na kanë thënë të larguarit shkon 2600-2800 euro në muaj. Shto këtu faktin se atje kanë një numër të caktuar  të sëmurësh, personeli është i organizuar dhe secili bën punën e  tij dhe je i mbrojtur në punë. Këtu shpesh infermieri duhet të bëjë punën e dhe të sanitarit apo të mbajë barelën ku është vendosë pacienti. Atje nuk ndodh kjo, përfundon Kaceri.”

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *