Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gjirokastër: Heronjtë e heshtur të luftës kundër COVID-19

Autor: Blerim Kore, Citizens Channel|Gjirokastër 

Lufta kundër COVID-19 në Qarkun e Gjirokastrës ka edhe heronjtë e saj të heshtur. Mjekë, infermierë, farmacistë, vullnetarë të shpërndarjes së ndihmave humanitare, njerëz të profesioneve të ndryshme, të rinj, janë bërë pjesë e përpjekjeve për të mbështetur komunitetin në këto ditë të pandemisë së COVID-19. Shumica prej tyre janë njerëz të panjohur për publikun që po japin një kontribut të vyer në parandalimin e përhapjes së virusit korona, në Qarkun që vijon të mos ketë asnjë të prekur nga virusi.

Gramoz Braja, farmacisti në vijën e parë në shërbim të banorëve

Prej 33 vitesh farmacisti Gramoz Braja është në shërbim të pacientëve, me problematika të ndryshme shëndetësore. Ai shprehet se përgjatë viteve të punës ka shërbyer në disa zona të vendit, duke dhënë ndihmesën me barna, edhe në rastet e urgjencave mjekësore.

“Profesionin e farmacistit më shumë se të lidhur me tregëtimin e barnave e shikoj edhe si humanizëm për pacientët”, shprehet Gramozi.

Mjekësia ka qenë ëndrra e jetës së tij, por ai do të vazhdonte studimet e larta për farmacist, të cilat i përfundoi në vitin 1987.

“Megjithëse fillimisht për mua profesioni i farmacistit ishte i panjohur sërish me kalimin e viteve nisi të më tërheqë aq me tepër me humanizmin e tij”, shprehet Gramozi. Pas përfundimit të studimeve të larta Gramozi për pesë vite do të punonte si farmacist në zonën e Pukës, ku me përkushtim do të ndihmonte pacientët jo vetëm me barna dhe ilaçe por edhe më këshilla mjekësore.

Pas rikthimit në vendlindje, Gjirokastër, ai asnjëherë nuk është shkëputur nga bluza e bardhë e farmacistit. “Në këto ditë të pandemisë së koronavirusit mendoj se ndihma e farmacistëve është mjaft e vlefshme ndërsa ata janë në vijën e parë për t’iu shërbyer pacientëve”, pohon Gramozi. Gjatë këtyre javëve brenda orareve të përcaktuara por në rastet e urgjencave mjekësore edhe jashtë tyre, farmacistët e qytetit të gurtë kanë qenë afër pacientëve duke i ndihmuar ata me barna.

“Fillimisht njerëzit iu drejtuan farmacive për maska dhe dezifektantë dhe ne brenda mundësive iu përgjigjëm kërkesave në rritje pa abuzuar me çmimet”, shprehet Gramozi. Ndërkohë farmacistët po i ndihmojnë banorët edhe në situatat kur ata kanë shqetësime për temperaturë të lartë apo siptomat e kollës dhe ftohjes.

“Ka patur raste, kryesisht në urgjencat e rënda tek fëmijët kur unë iu kam shërbyer prindërve të shqetësuar edhe gjatë orëve të vona të natës”, shprehet Gramozi. Ai apelon që banorët duhet te respektojnë distancimin social për parandalimin e prekjes nga virusi korona ndërkohë që me optimizmin që e karakterizon farmacisti Gramoz pohon se kjo situateë do të kalojë shpejt dhe banorët do t’i rikthehen normalitetit.

Rrobaqepësja Xhemile Gjoni – të përgatitësh maska mbrojtëse kundër virusit korona

Tingulli që lëshon makina qepëse mbizotëron në repartin e rrobaqepësisë, ndërsa gjilpëra e saj në mënyrë ritmike duket se nxiton për të mbaruar sa më shpejt maskën mbrojtëse të radhës. Prej 25 vitesh Xhemile Gjoni punon si rrobaqepëse në qytetin e Gjirokastrës ndërsa këtë zanat e ka nisur me makinën qepësë të familjes së saj. “Me kalimin e viteve nga një pasion i fëmijërisë prestaria dhe rrobaqepësia u kthyen në profesionin e jetës sime”, pohon Xhemilja.

Aktualisht ajo punon në njerin prej bizneseve fason në Gjirokastër duke përgatitur veshje të ndryshme, një pjesë e të cilave të destinuara për eksport. Por gjatë këtyre ditëve të pandemisë së koronavirusit puna e rrobaqepëses Xhemile është përqëndruar në përgatitjen e maskave mbrojtëse kundër COVID-19.

“Nuk është e lehtë të heqësh dorë nga punimet e zakoshme që realizon një rrobaqepse për të përgatitur maska. Megjithatë kur mendon se ato i’u vijnë në ndihmë njerëzve për tu mbrojtur nga koronavirusi ndihesh mirë se bën diçka të dobishme”, shprehet ajo.

Gjatë këtyre ditëve mjaft amvisa dhe rrobaqepëse në Gjirokastër në kushtet e shtëpisë po përgatisin maska mbrojtëse, duke ndihmuar popullatën për parandalimin e prekjes nga virusi korona.

Një pjesë të maskave mbrojtëse që përgatisim së bashku me shoqet e tjera të kësaj rrobaqepsie, ne i kemi dhuruar për stafet e mjekëve dhe infermierëve, vullnetarëve që shpërndajnë ndihma humanitare”, thotë Xhemilja.

Janë rreth 500 maska në ditë, të cilat ato i shpërndajnë falas në komunitet, duke ndihmuar kështu për parandalimin e prekjes nga koronavirusi. Për rrobaqepëse Xhemilen të përgatisësh maska mbrojtëse është diçka e dhimbshme megjithatë punën e saj e konsideron një kontribut me vlerë për parandalimin e infektimit të banorëve nga COVID-19.

Infermierja Behare Shehu në ndihmë të pacientëve në urgjencat mjekësore

Qendra shëndetësore “Llukman Hasani” në qytetin e Libohovës, në këto ditë vazhdon të ndihmojë pacientët me probleme të ndryshme shëndetësore dhe aq më tepër në rastet e urgjencave mjekësore.

Pjesë e stafit të saj është edhe krye infermierja Behare Shehu, e cila prej vitesh  i ka shërbyer komunitetit të zonës. “Në bashkinë e Libohovës deri tani nuk ka patur probleme të theksuara shëndetësore si shkak i pandemisë së koronavirusit, megjithatë stafi i qendrës sonë mjekësore vazhdon të jetë në ndihmë të komunitetit”, shprehet infermierja Behare.

Ndërsa vizitat në mjediset e qendrës shendetësore janë reduktuar si masë parandaluese për përhapjen e virusit korona bluzat e bardha të saj vazhdojnë të asistojnë në mënyrë ambulatore personat me probleme kronike kardiake dhe respiratore.

“Nëpërmjet komunikimit telefonik por edhe kontakteve me familjet e zonës ne mbajmë nën monitorim të vazhdueshëm ecurinë mjekësore të tyre duke synuar evitimin e problematikave mjekësore për ta në të ardhmen”, shprehet infermierja libohovite.

Ndërkohë personat e moshuar asistohen në shtëpi përsa i përket kryerjes se injeksioneve apo vizitave të thjeshta ambulatore. “Një kujdes të veçantë ne tregojmë për informimin në lidhje me gjendjen shëndetësore të të moshuarve kryesisht në fshatrat malorë të zonës së Zagories ndërsa jemi në gadishmëri për të dhënë ndihmmën e parë mjekësore në çdo rast që na kërkohet”, shprehet Beharja.

Pjesë e pnuës së stafit të bluzave të bardha në qytetin e Libohovës është edhe informimi i vazhdueshëm i komunitetit për masat për parandalimin e prekjes nga COVID-19. “ Shpresojmë që falë edhe kontributit tonë zona e Libohovës nuk do të preket nga koronavirusi dhe që kjo situatë të kalojë sa më shpejt për të gjithë vendin” e mbyll bashkëbisedimin infermierja Behare Shehu.

Vullnetari Edjon Maliqi në ndihmë të familjeve në nevoje dhe të moshuarve

Në këto ditë të pandemisë së koronavirusit ai është përfshirë si vullnetar në grupet e patronazhimit të bashkisë së Përmetit, në ndihmë të familjeve në nevojë dhe të moshuarve të vetmuar. 22 vjeçari Edjon Maliqi së bashku me të rinjtë e tjerë vullnetarë po shpërndajnë pako ushqimore për familjet e varfëra, duke i lehtësuar disi në përballimin e jetesës së përditshme.

“Ne kemi shpërndarë ndihma humanitare si në qytetin e Përmetit ashtu edhe në fshatrat dhe njësitë administrative të bashkisë”, shprehet Edjoni. Me pakon me ushqime në duar ata trokasin në derën e çdo familje që ka nevojë për ndihmë. “Mbyllja e bizneseve dhe aktiviteteve të ndryshme ka sjellë vështirësi për shumë familje në Përmet. Duke kontribuar vullentarisht përpiqemi ti mbështesim ato në këto ditë të vështira”, shprehet Edjoni.

Në këtë mision e ndihmon edhe përvoja që ai ka patur si vullnetar në ndihmë të familjeve në nevojë ndërsa vazhdonte studimet e larta për ekonomi- financë në universitetin e Tiranës.

“Tashmë në vendlindjen time, Përmetin, unë vazhdoj të mbështes njerëzit me probleme sociale dhe aq më tepër në këto ditë të vështira të pandemisë së koronavirusit”, pohon Edjoni. E vlefshme ka qenë ndihma e tij si vullnetar edhe për shpërndarjen e barnave dhe ilaçeve për të moshuarit që jetojnë vetëm. “Në lagjet e qytetit të Përmetit por edhe në fshatrat Piskovë, Kosinë, Kaludh, etj ne kemi çuar ilaçe në banesat e të moshuarve që jetojnë vetëm duke parandaluar rëndimin e gjendjes së tyre shëndetsore”, shprehet vullnetari Edjon.

Me buzëqeshjen rinore që e shoqëron vazhdimisht, Edjoni uron që këto ditë të veshtira të pandemisë të kalojnë sa më shpejt dhe bashkëmoshatarët e tij ashtu si gjithë banorët e zonës së Përmetit ti rikthehen normalitetit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *