Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pezullimi i HEC-eve në Kosovë, si hap i parë për të rivlerësuar domosdoshmërinë e tyre, pohon Avni Zogiani

Pse e patë të arsyeshme të pezulloni ndërtimet gjatë periudhës së pandemisë?

Që prej se kam ardhur në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit kam filluar të studioj intervenimet ndërtimore e eksploatuese që kanë një pasojë në ambient. Shumë shpejt kuptova atë që kisha dyshuar prej kohësh, se pothuajse secili rast i lejeve në këtë sens ka qenë pa i kushtuar vëmendje çështjeve mjedisore. Megjithatë, një numër i madh i lejeve ishin dhënë për vite me radhë, dhe në kuptimin ligjor, i kishim duart e lidhura për shkak të vështirësisë së zbatimit të retroaktivitetit dhe për shkak të konceptit juridik të të drejtave të fituara (vested rights). Megjithatë, kishte një hapësirë për të vepruar dhe në MIA filluam të përgatitemi me shtimin e kapaciteteve monitoruese me qëllim të vendosjes së standardeve, sidomos në shfrytëzimin e ujit, ku standardet ishin injoruar tërësisht. Kur flas për standardet, e kam fjalën edhe për standardet ligjore, por edhe parametrave ambiental. Rrëzimi i qeverisë, i dyzuar me situatën rreth pandemisë, na e pamundësuan veprimin strategjik për të vendosur rend e ligj në këtë fushë. Me një fjalë u abortua një proces reformimi në fushën e mbrojtjes së mjedisit për shkak se forcat që kishin shkaktuar këtë situatë kaotike u bashkuan për ta rrëzuar Qeverinë Kurti. Mbas konsultimeve që kam bërë brenda ministrisë, me përkrahjen e ministrit Abdixhiku, dhe të Kryeministrit Kurti, u aprovua kërkesa që të kemi një suspendim të punëve ndërtimore në pellgjet lumore për kohën e pandemisë, duke qenë se mekanizmat monitorues nuk i kishim operativ për shkak të pandemisë Covid19.

A do shërbejë kjo periudhë si refekletim për të kuptuar nëse lejet e dhëna i shërbejnë komunitetit dhe mjedisit?

Kjo ka qenë idea që prej fillimit, pra që të bënim një pezullim të përkohëshëm në mënyrë që të gjenim një zgjidhje që do të balanconte procesin e lejeve për shfrytëzim të ujërave për qëllime komerciale në njërën anë, dhe kujdesin për ambientin në anën tjetër. Megjithatë, situata e krijuar me qeverinë na e vështirësoi punën në këtë drejtim. Sido që të jetë në do të kemi mundësi në të ardhmen, ne çfarëdo skenari që do të vijë në sensin politik. Pothuajse pashmangshëm Vetëvendosje! konsiderohet si favorite me një dallim të madh në përkrahjen e publikut. Nëse shihet idea e subjektit tonë politik, thelbi i saj është që zhvillimi t’ju shërbejë sa më shumë njerëzve, e jo vetëm atyre që kanë ndikimin në politikë, gjë që pothuajse me automatizëm përjashton projektet që kanë ndikim negativ në mjedis, sepse përjashton projektet që u shërbejnë vetëm një grushti njërëzish. Me fjalë tjera, sikur politika jonë të ishte vërtet demokratike, shumë konflikte të ngjashme, sikur që është edhe konflikti mes zhvillimit e ambientit, do të shmangeshin dhe një balancim mes këtyre objektivave do të arrihej. Ne do të vazhdojmë të insistojmë në një qeverisje të tillë që nuk i shërben pak njerëzve, por që i shërben publikut, e në kuadër të interesave të publikut patjetër se është edhe mbrojtja e mjedisit.

Në një intervistë të dhënë, ju keni pohuar se keni konstatuar shumë shkelje në lejet e dhëna, ku procedurat e vlerësimit të dëmit dhe konsultimet nuk janë kryer sipas procedurës ligjore. A mund të ma zgjeroni më shumë këtë pjesë?

Me të gjitha ligjet në fuqi Kosova ka këto prioritete në shfrytëzimin e burimeve ujore: 1) uji i pishëm; 2) agrokultura; 3) industria; 4) energjia. Në Kosovë këto prioritete janë përmbysur dhe është saktësisht e kundërta. Pra, prioritetet në qeverisjet e kaluara kanë kapur vektorin nga 4 drejt 1, por me një theks të veçantë në pikën 4, pra ndërtimin e hidrocentraleve. Duke filluar nga kjo, kemi një arsye të fortë të vejmë dyshime mbi qëllimin që kanë pasur ata që kanë nxerrur politika në këtë fushë. Janë suspenduar shumica e projekteve që kanë pasur për qëllim arritjen e përmbushjes së nevojave për ujin e pishëm dhe për agrokulturën, në favor të projekteve agresive për energji, të cilat kanë bërë shumë dëm dhe potencialin e kthimit e kanë shumë të ulët. Këto projekte mund të jenë të rëndësishme për grupet e interesit që qëndrojnë mbrapa tyre, por asesi për një zhvillim të qëndrueshëm, që nënkupton zhvillim që nuk e hedh në erë një sektor apo interes, në favor të një tjetri.

Mirëpo, nuk ka qenë vetëm shkelja e prioriteteve, shkelje në këto projekte. Projektet energjetike nuk kanë plotësuar kërkesat ligjore për vlerësimin e ndikimit në mjedis, përkatësisht të ligjit për këtë, i cili ekziston dhe duhej respektuar. Këto studime nuk plotësojnë kriteret ligjore dhe as që mund të diskutohet për studime që kanë përmbushur kërkesat shkencore në fushën e mbrojtjes së ambientit. Në përgjithësi këto projekte kanë injoruar kërkesën ligjore për konsultim të publikut, sepse publiku nuk është ftuar në takimet e organizuara. Ka një tendencë të plotësimit formal të kërkesave themelore, sic është konsultimi i publikut, por ato janë bërë pa e pasur publikun si dëshmitar. Ne kemi gjetur se asnjë pjestar i komuniteteve që ndikohen me këto projekte nuk ka qenë i pranishëm në këto konsultime. Njoftimet për këto konsultime bëhen në atë mënyrë që publiku që potencialisht supozohet se do të ndikohet, nuk njoftohet, por shpalljet dalin diku ku nuk i sheh kush, si për shembull në një kënd të një gazete që nuk e arrin komunitetin e ndikuar, ose vendosen në një tabelë në komunën gjegjëse sa për t’u fotografuar dhe largohen që andej shumë shpejt.

Një tjetër shkelje serioze është vazhdimi i projekteve pa pasur një studim për ujërat. VNM-të për këto projekte kanë për bazë një Master Plan të vitit 1983, por Ministria e Ambientit nuk ka bërë asgjë që të ketë një studim të gjendjes aktuale të ujërave. Ndryshimet klimaterike kanë goditur fort Kosovën, e cila edhe ashtu gjithmonë ka qenë pikë e dobët me burimet ujore, më e dobëta në Evropë. Që nga viti 1983 e këtej, ka pasur një reduktim drastik të reshjeve, dhe prandaj ne nuk mund të operojmë më me një bazë të tillë të studimit të ujërave.

Një tjetër problem me këto lejet ujore është edhe mosplotësimi i standardeve nga to si akte administrative. Asnjë nga ato nuk i plotëson kërkesat e Ligjit të Procedurës Administrative, i cili kërkon që dokumentet e tillë të kenë një strukturë të caktuar. Këto vendime të Ministrisë së Ambientit janë bërë shkel e shko, dhe si të tilla praktikisht kanë shkatërruar mundësinë që subjektet private të mbahen në llogari përsa i përket kushteve teknike. Vendimet për shembull nuk kanë fare dispozitiv, që është pjesa obligative e kushteve që duhet të plotësojë një operator. Shumë shpesh në këto vendime thjesht është shënuar titulli i projektit si dispozitiv dhe tutje është kaluar direkt në arsyetim, pjesë kjo e akteve administrative që nuk obligon operatorin. Pra, kushtet që kërkohen nga autoritetet janë shkruajtur si arsyetim, kurse dispozitivi ka qenë thjesht emri i projektit. Në këtë situatë nëse kemi një përballim në gjykata, këto dokumente të lëshuara nga autoritetet kosovare nuk na dhënë asnjë bazë për të kërkuar llogari nga operatorët e hidrocentraleve.

Ekzistojnë edhe aspekte tjera të shkeljeve, siç është, për shembull, obligimi për rrjedhën minimale biologjike, e cila është e pamundur të përcaktohet pa e pasur një studim kumulativ për trupin e caktuar ujor.

Me një fjalë, në këtë sektor, përsa i përket pikëvështrimit të mbrojtjes së ambientit, nuk ka pasur sundim ligji, por ka pasur dhënie e pakusht dhe e shfrenuar e të drejtave për shfrytëzim të ujit, që mua më përngjan fort në një marrëdhënje klienteliste të politikës. Në një kohë kur Kosova do të ketë qeveri stabile dhe të përgjegjshme, e kjo kohë nuk do të jetë e largët, dikush duhet dhënë përgjegjësi për këtë.

Çfarë hapash që do merrni pasi situata e pandemisë të ketë mbaruar, lidhur me ndërtimet e HEC-eve?

Nëse ne do të jemi në qeveri, do të angazhohemi fort në zbatimin e ligjit dhe të standardeve. Në princip do të angazhohemi që mbrojtja e mjedisit të rivendoset, por kërkoj falje nga ju dhe publiku që aktualisht nuk mund të flas më konkretisht për taktikat që do t’i ndjekim në këtë drejtim. Ne e kemi idenë si të bëhet kjo, thjesht kërkohet një stabilitet në qeverisje për ta arritur qëllimin.

Cilat janë dëmet që sjellin në mjedis dhe tek qytetarët hidrocentralet që janë miratuar në kundërshtim me ligjin?

Hidrocentralet kanë një ndikim të ashpër negativ në shumë aspekte. Që nga landskapi, tek ndikimi në habitatet ujore, e deri tek shterja e burimeve për natyrën e egër, por ka po ashtu ndikim në jetën e njerëzve. Sa më shumë që burimet ujore shfrytëzohen në mënyrë të pabalancuar për energji, aq më shumë kufizohet mundësia që banorët që jetojnë përreth këtyre pellgjeve të kenë një jetë cilësore. Uji është jetë, dhe ne mund të nxjerrim qindra arsye pse ai duhet të ruhet, por janë mijëra arsye që ai të mos shfrytëzohet pa pasur përgjegjësi për natyrën dhe për kërkesat e komuniteteve që jetojnë nga ai ujë. Kjo sidomos duhet të vlejë në Kosovë, e cila gjithmonë ka qenë e goditur nga varfëria me burimet ujore.

Kur flitet për lumenjt, shpesh ka tendenca që ata të konsiderohen brenda një gëzhoje në kuptimin perceptiv. Nuk është lumi vetëm uji që shohim duke rrjedhur, por është një kompleks i madh ekologjik që lidhet me të. Ne si njerëz shpesh sillemi me lumenjtë sikur ata të jenë pronë e jona dhe vetëm e jona tashti, e këtu. Lumi dhe ambienti përgjithësisht është i huazuar nga e ardhmja, nuk mund të sillemi si pronarët e tij.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *