Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Të varfër dhe të harruar” punonjësit informal mbijetojnë prej 6 javësh pa asnjë ndihmë

Ndihma financiare nga qeveritë për të punësuarit në informalitet është jetësore, pohoi Guy Ryder, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës në Kombet e Bashkuara.

Ryden shpjegon se duhet vepruar menjëherë pasi individët që sigurojnë të ardhurat përmes informalitet përbëjnë 60% të të punësuarve në botë dhe po përballen me “zgjidhjen e pamundur” për të mbrojtur veten duke u vëtizoluar, çka i detyron të heqin dorë nga çdo burim mbijetese apo fitimi.

Është thjesht një çështje që lidhet me mbrojtjen sociale. Ne duhet, jo nesër por sot, t’u transferojmë para në dorë dhe burime atyre njerëzve që janë dëshpërimisht në nevojë”, shtoi Ryden nga Organizata Ndërkombëtare e Punës.

Shqipëri: Dy paketat e ndihmës përjashtojnë të punësuarit informal

Prej rasteve të para të konfirmuara, në Shqipëri janë marrë një sërë masash për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Aktivitetet ekonomike janë pezulluar apo kufizuar në veprimtarinë e tyre. Aktivitetet informale janë ndaluar krejtësisht.

Qeveria shqiptare ka kaluar dy paketa ndihme për individët apo bizneset e prekur ekonomikisht nga virusi.

Paketa e parë, e miratuar në 27 mars, përfshiu tre kategori përfituesish; ata që marrin ndihmë ekonomike, personat që gëzojnë statusin e të papunit dhe të punësuarit/vetëpunësuarit në biznese me xhiron vjetore deri në 14.000.000 lekë.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka apeluar që në këtë paketë të përfshihen disa subjekte të tjera në nevojë, duke listuar këtu edhe shitësit ambulantë.

Pavarësisht rekomandimit, as ndihma e dytë financiare, e miratuar në datën 16 prill, nuk përfshiu sektorin informal. Kjo paketë ka në fokus individët të punësuar aktualisht apo ata janë larguar nga puna si pasojë e Covid-19. Këto subjekte do të përfitojnë vlerën prej 40.000 lekësh, e cila merret vetëm një herë si shumë e vetme dhe mbulon muajt e izolimit.

Apeli i vazhdueshëm për ndihmë bie në vesh të shurdhët

Pamundësia për të shitur rroba të përdorura apo materiale të riciklueshme, të dyja këto aktivitete informale, kanë penalizuar një pjesë të konsiderueshme të anëtarëve të komunitetit rom dhe egjiptian.

Citizens Channel ka raportuar mbi vështirësitë që kanë hasur këto dy komunitete gjatë gjithë periudhës së pandemisë, ku uria ka ecur paralelisht me masat e shtuara të qeverisë.

Tiranë, 23 mars

Përmes një videoje të realizuar në këtë datë, banorët e Selitës kanë kërkuar ndihmë. Duke theksuar se izolimi ka sheshuar çdo mënyrë që sjell të ardhura dhe se paketat ushqimore të shpërndara janë të pamjaftueshme, ata kërkuan nga shteti të merren parasysh, si një nga grupet më të dëmtuara nga pandemia.

Qeveria kujton se i presim lekët me gërshërë. I lutem shtetit, kaq, vetëm bukë me ngrënë. Asnjë gjo tjetër nuk du nga shteti”, ishte kërkesa e Ilir Jasharit, banor i Selitës, i mbetur pa punë.

Tiranë, 14 prill

Pavarësisht apelit të vazhdueshëm, personat që gjenerojnë të ardhura përmes informalitetit nuk figurojnë askund në politikat ekonomike të qeverisë.

Për më tepër, në datën 14 prill, tregtarët e zonës së Selitës, kryesisht të komunitetit rom dhe egjiptian, u gjendën përballë forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), të cilët kishin ardhur me qëllimin për të prishur tregun e rrobave të përdorura. Kjo ka ngjallur kundërshti, që u pasuar me grumbullim të menjëhershëm të tyre.

Tregu nuk u prish atë ditë. Banorët e Selitës u shprehën për Citizens Channel se punonjësit e IKMT-së u paraqiten sepse kishte ndodhur një ngatërresë, duke u krijuar ideja se tregëtarët vijojnë aktivitetin e shitjes së materialeve në kohë pandemie.

Të punësuarit e tjerë në sektorin informal në këtë zonë pohuan se ishin dakord që të formalizohej veprimtaria, gjë që sipas tyre u është premtuar prej vitit 2019 dhe refuzuan që hapësira të prishej, deri në ndërtimin e një tregu të ri.

Tiranë, 21 prill

Asnjë politikë ekonomike për sektorin informal, por nga ana tjetër Bashkia Tiranë çoi në fund aksionin e nisur në datë 14 prill.

Tregu i rrobave të përdorura në Selitë u prish në datën 21 prill. Kjo u lajmërua edhe nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ku përmes një postimi në profilin e tij në Facebook njoftoi se ka nisur puna për ndërtimin e një të riu.

Krahas prishjes së tregut informal, aktivistët pohojnë për Citizens Channel se Bashkia po tenton të hedhë përdhe edhe shtëpitë që janë në proces legalizimi apo barakat ku strehohen banorët e zonës, çka ka ngjallur frikë dhe tension.

Kundër këtij plani reaguan edhe organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Qendra Treja, e cila ka në fokus fuqizimin e familjeve të varfëra dhe në nevojë, denoncoi planin e Bashkisë për të shembur banesat e palegalizuara.

Nuk patëm mundësi të shijonim suksesin e ndërtimit të tregut për shkak se banorëve në Selitë, ju është lënë të kuptohet se mund t’ju prishen shtëpitë. Punonjës të Bashkisë Tiranë kanë mbledhur dje të dhëna mbi situatën socio-ekonomike të familjeve dhe statusin e pronësisë së banesës per t’i trajtuar me një nga programet sociale të strehimit”, shkruan Qendra Treja në një status në rrjetin social Facebook.

Elbasan

Të njëjtat probleme kanë përjetuar edhe tregtarët informalë në Elbasan. Të mbyllur prej javësh dhe pa asnjë burim të ardhurash, anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian, që jetojnë përmes tregtisë, kërkuan që shteti t’ua lehtësojë barrën e karantinës.

Gjatë intervistës me Ervin Saraçin, zëvendës-kryetar i Bashkisë Elbasan, rezulton se këto dy komunitete kanë marrë paketa ushqimore prej organizatava jofitimprurëse. Bashkia në fjalë ka pasur rol koordinues në këtë proces, duke i orientuar OJF-të drejt zonave më në vështirësi.

Tani, ne kërkojmë thjesht një ndihmë ekonomike, që ta përballojmë këtë situatën, ndonjë paketë ushqimore që të na vijë në shpi se me një paketë ushqimore, tre pako makarona, një ujë nuk mund të rrojë çdo familje ktu. Unë jam pesë anëtarë vetë, kam tre fëmijë”, u shprehet për Citizens Channel tregtari Iljaz Raifi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *