Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Digat në lumenjtë e Kukësit po shterojnë ujin, ekonominë dhe shpresat e banorëve”

Autor: Bashkim SHALA | Citizens Channel | Kukës

Kukës me 28 prill 2020: Ndërtimi i HEC-eve për prodhimin e energjisë së rinovueshme tashmë është kthyer në një  problem global, por më shumë ballkanik. Në gadishullin e Ballkanit po ndërtohen dhe janë në ndërtim e sipër 3000 HEC-e.

Në Shqipëri janë ndërtuar, vazhdojnë të ndërtohen, apo kanë marrë leje më shumë se  544 HEC-e. Por Shqipëria si vend me demokraci dhe funksionim të brishtë të shtetit dhe institucioneve  është  shndërruar  në një terren të favorshëm për investitorët jo seriozë, përfshi edhe ato të fushës së ndërtimit të HEC-eve në lumenj, ku shumë HEC-e po ndërtohen në zona të shpallura si Monumente të Natyrës Shqiptare, Zona të Mbrojtura apo parqe natyrore.

Një ndër “viktimat” e ndërtimit të HEC-eve është lumi Orgjostit, i cili e ndan rrjedhën midis Kosovës dhe Shqipërisë. Janë të njëjtët investitorë që po ndërtojnë nëntë HEC-e po në këtë lumë, 5 në pjesën Shqiptare dhe 4 në atë të Kosovës.

Zona ku gjarpëron lumi është pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik-Sharr. Projektet që do të ndërpresin rrjedhën e lumit janë miratuar nga qeveria e mëparshme, por u rikonfirmuan edhe nga ajo aktuale.

Parku natyror Korab-Koritnik ne Gryken e Vanave ku jane ndertuar e po ndertohen 18 HEC-e

HEC-et në lumin Orgjost, në kanionin e Grykës së Vanave i shpallur  si Monument i Natyrës Shqiptare, si edhe pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik-Sharr janë kundërshtuar  me forcë nga banoret e zonave të Njësive Administrative të Zapodit, Topojanit e Shishtavecit , në bashkinë e Kukësit.

Banorët e këtyre zonave tregojnë se tashmë e kanë të provuar se ndërtimi i HEC-eve në lumin e Vanave dhe në atë të Orgjostit (Orqushes) nuk ka sjellë asnjë përmirësim në jetën e tyre, përkundrazi u ka vështirësuar  jetën duke u dëmtuar jo vetëm mjedisin, por edhe pemët, arat, bletët, si edhe veprat infrastrukturore, përfshi edhe kanalet vaditëse.

Digat në lumin Orgjost sapo hyn ne territorin e Shqiperise

“Si pasojë e punimeve të kryera nga ana e firmës private për ndërtimin e hidrocentralit, përveç dëmtimit të sipërfaqes së pyllit me rreth 5 mijë drurë, janë dëmtuar disa banesa të fshatit  Cernalevë, por edhe shkolla e fshatit, ndërkohë që janë demtuar ara, pyje e kullota duke na e bërë akoma më të rende jetën . Në pyllin e shkatërruar nga firma ne kemi kullotur bagëtitë si dhe kemi siguruar bazën ushqimore për dimër. Kanali i HEC-it i ndërtuar nga ana e firmës na pengon edhe për të punuar tokat, ndërkohë që në kanal deri tani janë mbytur disa krerë bagëti të imta”, thotë Hekuran  Xhaferi, banor i fshatit Cernalevë.

Dan Kaloshi, i cili ka qenë kryetar i Komunës Zapod në kohën kur është dhënë leja për ndërtimin e HEC-eve, tregon se investitorëve ju është dhënë leje nga këshilli komunal vetëm për të ushtruar aktivitete brenda territorit Zapodit.

“Populli rri atje për atë ujë, bagëti e pyll”,thotë Kaloshi, duke shtuar se përfitimet e Komunës nga ndërtimi i HEC-eve janë të papërfillshme, “nga 32 milion Euro që janë planifikuar për ndertimin e 14  HEC-eve mbi lumin e Vanave , ish komuna e Zapodit përfiton vetëm  taksën e pastrimit dhe taksën e tabelës e barabartë me 800 Euro në vit”.

Fshati “i mallkuar nga HEC-et”

Në lumin e Orgjostit (Orqushes) në kohen e regjimit komunist në Shqipëri ka qenë i ndërtuar nga kinezët në vitin 1969,  një hidrocentral i vogël që furnizonte me energji elektrike zonën e Zapodit, Borjes e Shishtavecit.

Kanali i HEC-it te Orgjostit para se te futej ne tuba ku perdorej edhe per vaditje ne vere dhe per bagetine ne fshatin Orgjost Foto: Bashkim Shala

HEC-i i Orgjostit, i vetmi i ndërtuar në periudhën e komunizmit në Shqipëri, furnizimin me ujë e merrte përmes një kanali të hapur, i cili gjatë verës shërbente për vaditje, edhe për të  pirë ujë bagëtia. Por për të rritur efikasitetin e prurjeve, pronarët HEC-it vendosën që ujin ta fusin në tuba për të “displinuar” rjedhën që shkon në turbina.

Kanali qe furnizon me uje HEC-in e Orgjostit i futur ne tuba; Foto: Bashkim Shala

Kjo ka revoltuar tej mase banorët, por ato ndjehen të lodhur për protesta dhe të dorëzuar përballë kësaj gjendje, apo ndaj “oligarkëve të HEC-eve” siç i etiketojnë ato. “29 vjet jemi në protestë. Mezi po rrimë në këmbë”, shprehet i demoralizuar një nga banoret e Orgjostit.

Në vitin 2001, u ndërtuan edhe tre HEC-e të tjerë në të njëjtin lumë. Kush na ka pyetur ne për këtë punë”. Po t’i pyesësh edhe ato vetë (pronarët) nuk e dinë se sa HEC-e janë. Detyra e tyre është të futin pare nëpër xhepa”, thotë  Hajruz  Murataj banor i fshatit.

Sipas banorëve kompanitë e HEC-eve u kanë prerë pemët, u kanë dëmtuar të mbjellat dhe nuk i kanë dëmshpërblyer. “Nuk kanë bërë rrugë, por na kanë dëmtuar edhe atë ekzistuese”.

“Janë prerë arrat, kumbullat dhe misri dhe asgjë nuk na kanë dhënë. Bëjnë punë vetëm për interesat e tyre. Asnjë gozhdë nuk kanë ngulur. E kanë futë ujin në tuba. Edhe gjarpri nuk ka ku të pijë ujë dhe është bërë  më helmues”, thotë Hajruz Murataj, një nder të paktët banorë që dëshiron të flasë në këtë fshat.

Hajruz Murataj banor i fshatit Orgjost

HEC-et “Bombardimi i dytë” i kanalit vaditës

Kanali vaditës Borje-Orgjost është ndërtuar në vitet 60-të të shekullit kaluar. Ai ka funksionuar deri në vitin 1993. Por gjatë luftës së Kosovës avionët bombardues të NATO-s kanë hedhur raketa në caqet e ushtrisë serbe të instaluara përgjatë kufirit Shqipëri-Kosovë ku ndodhet edhe kanali vaditës. Por një raketë e hedhur gabim nga pilotët e NATO-s  ka rënë në territorin e Shqipërisë duke dëmtuar rreth 200 metër të kanalit vaditës.

Me gjithë kërkesat e banoreve prej 22 vitesh ky kanal nuk u riparua. Por thonë se shpresa vdes e fundit dhe tashmë ajo ka dhënë shpirt. Kanali vaditës është marrë në shfrytëzim nga dy HEC-e që janë ndërtuar në fshatin Borje, ku uji që qarkullon në kanal është futur në tuba  për nevojat e këtyre dy HEC-eve.

“Bashkë me ujin, po shterojnë dhe banorët e historia”

Një nga të rinjtë e paktë që gjenden në fshatin Orgjost është Ndriçim Alidini. Ai kishte qëndruar për rreth dy vjet në Gjermani me shpresë të merrte azil, por është kthyer nga autoritetet gjermane.

“Më thanë se Shqipëria është vend i sigurt, ndaj më kthyen”, shprehet  me ironi Alidini. Edhe ai si bashkëfshatarët e tij është kundër ndërtimit të HEC-eve në lumin e Orgjostit(Orqushes), sidomos futjes së ujit të kanalit  në tuba.  Alidini thotë se firmat e HEC-eve përveç dëmeve tjera po u grabisin edhe zhavorrin.

“Një kamion   me zhavor në Kukes na kushton 22 mijë lekë( të reja) ku 15 mijë lekë është vetëm transporti. Kjo ndodh pasi në lumin tonë zhavorri është bllokuar nga firmat të cilët e përdorin për ndërtimet e tyre”, thotë Alidini.

Mulliri 300-vjeçar i fshatit Orgjost; Foto: Bashkim Shala

Ndërtimi i HEC-eve në Orgjost po dëmton edhe kujtesën e këtij fshati, më saktë mullirin 300 vjeçar. Me futjen e ujit ne tuba, kanali ushqyes i mullirit është  duke nxjerrë jashtë funksionit.

Ky mulli funksionon tashmë vetëm në periudha kur uji është tepërt, pra vetëm në dy-tre muaj. 28-vjeçari Shaban Osmanaj nga fshati Orgjost është emigrant në Itali dhe ndodhet në fshat për shkak se kishte ardhur me pushime dhe nuk  kishte mundur të udhëtojë për në Itali për shkak të pandemisë COVID-19 .

Shaban Osmanaj

Ai kishte zëvendësuar babain e tij Halim Osmanaj  në mulli dhe këtë punë e bënte me shumë dëshire. “Ky mulli është 300 vjeçar, ndërsa ndërtesa i ka 90 vjet. Me futjen e ujit në tuba edhe mulliri i fshatit thujase ka dalë  jashtë funksionit. Funksionon vetëm në pranverë ku shkrihet bora dhe lumi ka shumë prurje ”,thotë Shaban Osmanaj.

Ekspertët kundër ndërtimit të HEC-eve

Qeveria shqiptare  ka miratuar në fund të vitit 2008 një kontratë të Ministrisë Ekonomisë Tregtisë e Energjetikës me një grup investitorësh shqiptarë për ndërtimin e 18  HEC-eve në zonën e Kukësit mbi lumenjtë që përshkojnë Gryken e Vanave dhe Gryken e Çajës. Të dyja këto gryka janë të shpallura si Monumente të Natyrës Shqiptare.

Kanioni i Vanave; Foto: Bashkim Shala

Drejtorii i Agjencisë  Rajonale të Zonave të Mbrojtura për qarkun e Kukësit  Besnik Hallaçi shprehet mjaft kritik për mënyrën e dhënies së lejeve për HEC-et në Kanionin e Vanave.

“Të gjitha HEC-et janë ndërtuar në mënyrën më te keqe të mundshme. Ka ndryshuar I gjithë shtrati I lumit pasi uji është futur  neper tuba duke tharë lumin  dhe kjo ka ndikuar  negativisht  në florën, faunën dhe biodiversitetin. Në basene është zhdukur e gjithë fauna peshkore. Problem më I madh se sa dëmtimi i kanioneve  është ndryshimi i rrjedhës së ujit  ku lumi I Orgjostit nuk do të ekzistojë pas ndërtimit të këtyre HEC-eve” deklaron Hallaçi.

Ai liston një sërë problemesh proceduriale që shoqërojnë HEC-et në Grykën e Vanave:

“Raportet mjedisore janë bërë “copy paste” ku mungon oponenca. Problem është edhe shkaperderdhja ligjore me rastin e ligjit aktual të Zonave të Mbrojtura, ku një nen thotë që nuk lejohet ndërtimi, ndërsa një nen tjetër thotë të lejohet pasi të pajiset me leje mjedisore”,

Ndërsa Bukurosh Onuzi, Kordinator Rajonal për zhvillimin e turizmit në qarkun e  Kukesit thotë   se nuk është zbatuar ligji për transparencën e këtyre investimeve për sa i përket ndikimeve në mjedis.

“Nuk merret parasysh Konventa e Aarhusit dhe me këtë rast shkelet Kushtetuta. Ka konflikt interesi në dhënien e lejeve mjedisore. Dëgjesat publike bëhen fallso. Këto dëgjesa iniciohen nga investitori ku 99% e pjesëmarrësve janë nga stafet e investitorit. Të përcaktohet me ligj mekanizmi se si do zhvillohen dëgjesat publike, pasi ne shqiptarët po gënjejmë veten”, thotë Bukurosh Onuzi

Ndërsa  Shemsi Shahu, drejtor i Agjencisë Rajonale të Mjedisit Kukës thotë se institucioni që ai drejton mundet vetëm të japë mendim dhe jo të veprojë: “Me rastin e pesë HEC-eve në lumin e Topojanit dhe atë të Reçices në e kemi dhënë mendimin se ato nuk duhet të bëhen. Deri ketu është hapi jonë. Ndaj duhet të ndryshohet ligji ku Vlerësimi I Ndikimit në Mjedis(VNM) duhet të aplikohet në zonën ku do të bëhet investimi dhe jo siç ndodh aktualisht në Tiranë”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *