Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Klithmat e fundit të Teatrit Kombëtar”

Mësymja e policisë në orët e para të mëngjesit të sotëm për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental solli grumbullimin e qindra qytetarëve dhe aktivistëve në hyrje të pedonales. Numri i forcave policore u shtua duke krijuar kordonë për pengimin e qytetarëve për t’ju afruar godinës së Teatrit, e cila po shembej.

Në çaste të njëpasnjëshme, qytetarët tentuan të çajnë kordonin policor duke përsëritur në kor togfjalëshin “Poshtë diktatura!”

Sot është hera e parë, përgjatë 8 viteve protestë, që më del loti nga sytë për Teatrin dhe për miqtë e mi që janë këtu. Populli është çuar dhe nuk do e lerë me kaq. Tërhiquni! Policia ka kohë të reflektojë pasi janë motrat dhe vëllezërit tanë. Në rast se kërkojnë përplasje, ne po i paralajmërojmë. Nga nesër e në vazhdim ne nuk ju kemi borxh. Nuk ju kemi borxh as me Kushtetutë, as me Kanun as me Kodin e Familjes”,- u shpreh Arben Kola, njëri prej protestuesve pjesëmarrës.

Dhuna policore e përdorur ndaj aktivistëve në mbrojtje të Teatrit dhe protestuesve u dënua duke bërë paralelizëm me kohën e diktaturës.

Arben Kola, protestues

Pedagogu i Universitetit të Tiranës, Përparim Dervishi u shpreh në shesh se instalimi i diktaturave është më i lehtë se instalimi i demokracisë.

As në kohën e Ramiz Alisë nuk kemi pasur të tillë trupë policore dhe të tillë trupë të armatosur kundër protestuesve. As në kohën e regjimit komunist, as në kohën e diktaturës. Kjo është një betejë e madhe. Për të kaluar nga diktatura në demokraci është shumë e vështirë, për të kaluar nga demokracia në diktaturë është shumë e lehtë. Ashtu fshehurazi, pa e kuptuar, kemi kaluar nga demokracia në diktaturë, duhet ta dimë këtë”.

Përparim Dervishi, pedagog

Qytetarët i kanë përsëritur vazhdimisht policisë të largohet nga sheshi.

“Largohuni, t’i bëjmë nderime viktimës. Teatrin e vratë, ju lutem, lëreni popullin të qajë Teatrin”,-u shpreh njëri prej protestuesve.

Protestues në shesh

Për aktivisten Aurora Birbilaj shembja e Teatrit sot është vendosja e diktaturës në vend.

“Ka njerëz që janë vetëflijuar, që kanë dy vite që sakrifikojnë nga jeta e tyre për këtë kauzë që është kauza e të gjithëve ne. Sot në mëngjes jam zgjuar me shumë mesazhe që më njoftonin që në këtë vend u instalua diktatura; që më njoftonin që forca e pushtetit që ua kemi dhënë ne me taksat dhe paratë tona, po fiton; që më njoftonin që ndjesitë dhe opinioni qytetar nuk ka kurrfarë rëndësie. 17 maji është një ditë e zezë në historinë e Shqipërisë, dhe ky është vetëm fillimi”,-shprehet mes lotësh Aurora Birbilaj.

Aurora Birbilaj, aktiviste

Dhuna policore ndaj aktivistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar

Në orën katër e gjysmë të mëngjesit të ditës së diel, dhjetra forca të policisë dhe atyre speciale kanë hyrë në godinën e Teatrit Kombëtar, duke nxjerrë me dhunë aktivistët që prej afro tre vitesh janë vendosur në mbrojtje të Teatrit.

Dhjetra prej aktivistëve janë shoqëruar në komisariat, për t’u liruar pas disa orësh.

Aktivistët dhe qytetarët të cilët ishin të pranishëm dëshmojnë për dhunë të përdorur ndaj tyre. Megi Mustafaraj, aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri rrëfen në shesh përjetimet e saj në orët e para të mëngjesit.

“Kam qenë një prej të shoqëruarve në komisariat dhe nuk kam shumë që jam liruar. Policia sot ka ndërhyrë, kur të gjithë kemi qenë në gjumë duke pushuar, duke ruajtur Teatrin. Kanë hyrë në mënyrë barbare, duke patur kallash me vete, duke na hedhur sprej në trupat tanë dhe në fytyrë, duke na goditur gjithandej e duke na arrestuar nga 20 policë për person. Por unë e them, policia ka përdorur dhunë të tmerrshme. Në komisariate ka akoma aktivistë dhe qytetarë dhe artistë që po mbahen. Madje, ndaj tyre është përdorur edhe dhunë. Duhet të lirohen patjetër”,– u shpreh Megi Mustafaraj.

Megi Mustafaraj, Aktiviste

Aktivisti Boiken Abazi ka lexuar në shesh një deklaratë të përbashkët të disa organizatave, të cilat e konsiderojnë aktin e sotëm antikushtetues dhe dënojnë dhunën e policisë.

“Pas një kalvari shkeljesh ligjore dhe kushtetuese, qindra forca policore, u futën dhunshëm në hapësirat e Teatrit Kombëtar, për të larguar qytetarët që kanë qëndruar 27 muaj në mbrojtje të këtij kompleksi ndërtimor, pjesë e trashëgimisë kulturore, shqiptare dhe evropiane. Me armë zjarri automatike, me sprej piperi dhe me gaz lotsjellës, policia ka ndërhyrë, duke dhunuar e arrestuar shumë prej protestuesve. Kërkojmë njëzëri të gjithë lirimin e qytetarëve të arrestuar”,- u shpreh Abazi.

Boiken Abazi, aktivist

Më tej i është bërë thirrje policisë të lirojë sheshin e Teatrit.

“Në këtë Teatër, ky popull ka shënuar historinë e vet politike dhe kulturore. Trashëgimia i përket popullit që jeton me të. Na përket të gjithë neve, prandaj kërkoj edhe njëherë nga policia të largohet, të çlirojë sheshin e Teatrit”.

Policia pa numra identifikues

Në rreshtat policore të krijuar sot, u vu re nga qytetarët mungesa e numrave identifikues në uniformën e tyre. Sipas qytetarëve, kjo gjë u jep mundësinë të veprojnë kundrejt çdo mase ligjore pa u identifikuar më tej për veprimet e tyre dhe pa mbajtur kurrfarë përgjegjësie.

Reagimet e artistëve dhe aktivistëve pas shembjes të godinës së Teatrit

Në mesditë aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, me praninë e pankartave ligjëruan para protestuesve, duke ju bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë për t’ju bashkuar kauzës, e cila sipas tyre akoma nuk ka përfunduar.

“I bëj thirrje qytetarëve kudo që janë të dalin nga shtëpitë. Mbyllja në shtëpi, është mbyllja përfundimtare e lirisë. Mbyllja që po ju bëjnë është e qëllimshme.Thyeni barrierat tuaja  në mendje. Sot është një ditë e re dhe ne duhet të kërkojmë lirinë”,- u shpreh aktivistja Doriana Musai.

Doriana Musai, Aktiviste e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit

Aktivisti dhe pedagogu Ervin Goci deklaroi para protestuesve se kjo është një luftë, e cila sapo ka filluar.

“Lufta sapo ka filluar. Nuk ka asnjë arsye pse ne të deprimohemi. Kemi bërë një luftë shembullore, u kemi nxjerrë gjithë shkeljet ligjore. E kemi çuar për në kushtetuese. Kemi reflektuar në të gjitha normat dhe nuk kemi bërë kurrsesi vandalizma dhe akte, të cilat nuk i shkojnë për shtat njerëzve që kanë protestuar me një kulturë të caktuar dhe erdhën sot duke tërhequr zvarrë në atë lloj forme. Godina është goditur kur kishte njerëz brenda. Aty ishte një luftë. Unë aty kam parë operacione që i bëjnë nëpër zona të fshehta”.

I rrethuar nga qytetarë dhe aktivistë që përsërisnin “Poshtë diktatura!”, regjisori Edmond Budina u shpreh me megafon se ky nuk është fundi i Aleancës.

Ata sot kryen një gjest kriminal. Ne e kemi thënë, e themi dhe do ta përsërisim. Aleanca për Mbrotjen e teatrit nuk ka vdekur, ne jemi këtu. Kriminelët, mafiozët, tentuan të vrisnin shokët tanë që ishin brenda, përleshja ka filluar kur njerëzit ishin brenda dhe ky është një krim ndaj njerëzimin dhe ne nuk do ta falim këtë gjë“,- u shpreh regjisori Edmond Budina.

Edmond Budina, regjisor

Erion veliaj: “Teatri i ri, vendim i vështirë, por i drejtë”

Pas zhvillimeve të ndodhura sot në bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku qindra qytetarë protestuan kundër shembjes së godinës së Teatrit, ndërkohë që fadromat vazhdonin sheshimin e tij, reagoi kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Me anë të një video ai e konsideroi vendimin për të prishur Teatrin të vështirë, por të drejtë, si një prej vendimeve më të mira të marra në këto pesë vitet e fundit.

“Ajo ndërtesë u sajua ndër vite, si për gjyqet popullore të asaj kohe, por pastaj edhe për funksione të tjera. Një ndërtesë tërësisht e amortizuar. Ne nuk mund ta kemi teatrin edhe pa kullë, edhe në tokë të vet edhe pa bërë asnjë investim tjetër privat edhe pastaj me paratë tona, por edhe të ruajmë të vjetrën. Në një qendër të Tiranës, ku janë të gjitha institucionet e rëndësishme dhe jo në një periferi si bregu i lumit apo fshatrat e Tiranës ku ne mund të kemi toka të lira”,- u shpreh Veliaj në daljen e posaçme publike për shëmbjen e Teatrit.

Edi Rama: “Dy fjalë njeriut të mirë Edmond Budina”

Ditë e sotme ka reaguar përmes një statusi në Twitter, Kryeministri Rama, ndaj akuzave sipas tij të bëra nga regjisori Edmond Budina.

“Dy fjalë njeriut të mirë Edmond Budina: Je në të drejtën tënde të vazhdosh të mendosh ndryshe nga Robert Ndrenika, Luftar Paja, Gëzim Kame, Viktor Zhusti, Ruzhdi Pulaha, Pirro Milkani, Albert Minga, Altin Basha e plot të tjerë,që janë historia e vjetër dhe e re e skenës kombëtare…Por ty nuk të takon të shash, fyesh e shpifësh njësoj si ata e as nuk ke të drejtë t’i imponohesh vullnetit të qeverisë, bashkisë apo shumicës së komunitetit teatror, sepse sharjet e fyerjet s’janë art, shpifjet s’janë trashëgimi kulturore dhe demokracia nuk është teatër absurd…”,- thuhet në postimin e Kryeministrit

Dy fjalë njeriut të mirë Edmond Budina: Je në të drejtën tënde të vazhdosh të mendosh ndryshe nga Robert Ndrenika,Luftar Paja, Gëzim Kame,Viktor Zhusti,Ruzhdi Pulaha,Pirro Milkani,Albert Minga, Altin Basha e plot të tjerë,që janë historia e vjetër dhe e re e skenës kombëtare…

— Edi Rama (@ediramaal) May 17, 2020

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

One Response

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *