Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje për aktivistët e protestës së Teatrit

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë protestuar sot para Dhomës Penale të Gjykatës së Tiranës për të kërkuar lirimin e  personave të arrestuar në protestën kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.

Shtatë aktivistë qëndrojnë prej tre ditësh në arrest, ndërsa u shoqëruan nga policia mesditën e të djelës. Hetimi ka nisur edhe ndaj aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, për organizimin e protestës së të hënës, të cilët po procedohen në gjendje të lirë. Të proceduarit janë Robert Budina, Adriana Kalaja, Neritan Liçaj dhe Artan Manushaqe.

Ndërsa protestuesit janë duke pritur jashtë ambienteve të Gjykatës së Tiranës, mesditën e sotme u mor vendimi për arrest shtëpie ndaj Erik dhe Endrit Mërtiri, masë e cila sipas Gjykatës do të zgjasë deri në datën 3 qershor. Gjashtë aktivistët e tjerë sipas Gjykatës së Tiranës, iu është përcaktuar masa “detyrim paraqitje”.

Me pankarta në duar aktivistët e pranishëm pranë Gjykatës së Tiranës dënuan veprimet e policisë dhe aktin e shembjes të godinës së Teatrit, teksa thirrën në kor “Liri për protestuesit! Burg për përfituesit”.

Në një reagim publik, Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri i konsideron arrestimet të pa baza, ndërsa bën thirrje për lirimin e tyre, që kanë ushtruar të drejtat e tyre si qytetarë.

Përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Gearda Demiraj u shpreh për mediat se policia ka vepruar dhunshmëm me aktivistët.

“Veprimet e policisë kanë qenë tepër të dhunshme. Megjithë se Kryeministri ka thënë se nuk ka pasur as arrestime as dhunë policore ne jemi mbledhur këtu pikërisht për këtë dhunë dhe për këto arrestime. Dhuna e ushtruar nga policia është dhunë shtetërore, e cila në këtë rast ka qenë e jashtëligjshme, kundrejt qytetarëve që kanë dalë për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të mbrojtur Teatrit Kombëtar”. 

Gearda Demiraj, Lëvizja Vetëvendosje

Seanca gjyqësore ndaj tyre nisi sot në orën 11:30 në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës, teksa pritet të merret vendimi.

Sipas policisë së shtetit vazhdojnë të mbahen në arrest 7 aktivistë, mes tyre edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi:

B. A., 38 vjeç;
K. Q., 37 vjeç;
S. N., 35 vjeç;
R. L., 35 vjeç;
E. M., 33 vjeç,
B. T., 30 vjeç;
E. Xh., 33 vjeç.

Policia e shtetit, me një komunikim publik ka deklaruar se aktivistët kanë qëlluar në drejtim të forcave të Policisë me sende të forta dhe shkopinj duke lënduar 7 punonjës policie.

Ndërsa përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktivistët e shoqërisë civile e kanë konsideruar arrestimin në shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ditën e sotme, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka thirrur sërish protestë pranë Teatrit, në orën 17 e 30 për të kërkuar liri për aktivistët e arestuar si dhe drejtësi për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Në orën 17 e 30 do të protestojnë kundër shembjes së godinës së Teatrit edhe qytetarët durrsakë, përpara teatrit ‘Aleksandër Moisiu”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *