Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Protesta: Aktivistët i japin bashkisë Tiranë çmimin “Dhunuesi i vitit për të varfërit”

Aktivistë dhe pjesëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian janë mbledhur sot para Bashkisë Tiranë për të dënuar dhunën e ushtruar nga policia bashkiake ndaj një ricikluesi në zonën e Yzberishit, pak ditë me parë.

Përmes një videoje të publikuar në media, ku një i ri rom incialet H.SH, u dhunua pasi tentoi të grumbullonte shishe plastike dhe materiale të tjera dhe lutej ta linin të lirë, ndërsa tërhiqej nga forcat policore. Këto pamje kanë ngjallur reagimin dhe indinjatën e qytetarëve, që kulmoi me protestën e ditës së sotme.

Protestuesit, përmes një deklaratë për median, kërkuan që të pezullohen policët që ushtruan dhunë dhe u shprehën se Kryetari i Bashkisë Tiranë duhet të kërkojë falje publike e të distancohet nga akti i dhunës. Ata shtuan se raste të tilla nuk janë përjashtuese, por normalitet për punëtorët informal që fitojnë të ardhura përmes mbledhjes së materialeve të riciklueshme.

Së fundmi, u kërkua që të lejohet mbledhja e këtyre materialeve deri në gjetjen e një zgjidhje dinjitoze që do t’u garantojë jetesën punonjësve informalë.

Romina Sefa, një prej pjesëmarrësve të organizimit, u shpreh se dhuna nuk duhet të përfaqësojë qytetin e as policinë bashkiake.

Ne e dënojmë këtë akt sepse kjo nuk e përfaqëson qytetin tonë, mbi të gjitha nuk duhet të përfaqësojë as punonjësit e Bashkisë. Ata janë aty dhe mbahen me taksat tona dhe duhet të kenë një sjellje shembullore me të varfrit, jo t’i shtypin“.

Romina Sefa, protestue

Njëkohësisht, në shenjë simbolike, aktivistët i kanë dhënë Bashkisë Tiranë çmimin “Dhunuesi i vitit”, “dhuratë” e cila vinte në formën e një shisheje plastike.

I jepet çmimi i parë si “Dhunuesi i vitit” Bashkisë Tiranë për performancë të lartë në ushtrimin e kërbaçit ndaj të varfërve. 20 maj, Tiranë 2020“.

Cmimi simbolik dorëzuar Bashkisë Tiranë

Pjesëmarrësit në protestë akuzuan shtetin shqiptar si racist dhe kërkuan që të trajtohen në mënyrë të barabartë.

Racista jeni! Bëni dallim racial. Ju lutem, merrni masa për të gjithë njerëzit që të jenë të barabartë!”, ishte thirrja e një protestuesve para Bashkisë.

Një tjetër qytetar i pranishëm pohoi se gjatë pandemisë nuk ka pasur asnjë alternativë për punëtorët informalë dhe kërkoi që së paku t’i lejojnë të punojnë.

Këto tre muaj sëmundja u bë pjesë e përgjithshme, rezistenca u përzi me frikën. Kush erdhi? Kush trokiti? Kujt iu hap dera për të na ndihmuar? Asnjonit.

Thjesht u bo show me video e me foto. Keni ndihmuar 10, keni lënë me qindra pa bukë. Nëse nuk mundeni ta mbani këtë popull, i lejoni të punojnë ashtu siç dinë vetë. Stop dhunës!”, tha Fatmir Zyberi.

Fatmir Zyberi, protestues

Jeta Pera u shpreh për Citizens Channel se nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar institucional, duke e konsideruar rastin shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

Nuk ka asnjë reagim nga kryetari i Bashkisë Tiranë. Ai duhet të kërkojë falje publike për veprimin që bën punonjësit në varësinë e tij, duhet që të pezullojë nga puna këto policë. A mund të justifikohet dhuna, a mundet? Është totalisht shkelje e të drejtave të njeriut“, theksoi ajo.

Jeta Pera, protestuese

Nga ana tjetër, Gentian Serjani tregon se tashmë çështja po ndiqet ligjërisht dhe është bërë kallëzim penal pranë komisariatit numër gjashtë. Ai pohon se janë në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore rreth dhunës së ushtruar.

Është dhunë e pa tolerueshme, është dhunë e përsëritur, është fenomen. Nuk kemi asnjë reagim në të gjitha rastet e dhunës së përdorur nga policia bashkiake, nuk kemi asnjë moment ku është distancuar të paktën titullari i institucionit.

Nuk kemi në asnjë moment masa të marra për pezullimin nga puna dhe për hetimin e punonjësve të cilët ushtrojnë dhunë edhe në tejkalim të kompetencave“, përfundon ai, teksa thekson se dhuna e ushtruar rrezikon të nxisë një kundërpërgjigje agresive dhe nga ana e komuniteteve të pafavorizuara.

Gentian Serjani, jurist

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *