Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dërgon në Prokurori Këshillin Bashkiak, Këshillit Teknik dhe drejtorin e IMT-së së Bashkisë Tiranë

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka depozituar sot pranë prokurorisë Tiranë një kallëzim penal për Këshillin Bashkiak të Tiranës, anëtarët e Këshillit Teknik dhe për drejtorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë.

Sipas Aleancës, kallëzimi iu referohen veprave penale “shpërdorim detyre”, “shkatërrim të veprave kulturore” dhe “shkatërrim të pronës”.

Referuar kallëzimit të depozituar në Prokurorinë e Tiranës, Këshilli Bashkiak akuzohet se ka marrë vendim për prishje prone, e cila nuk ka qenë në pronësi të Bashkisë Tiranë. Sipas aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, nga 3700 metra katrorë ndërtesë, Bashkia Tiranë ka pasur në pronësi vetëm 1126 metra katrorë. Bashkisë nuk i ka kaluar pronësia për të gjithë sipërfaqen e ndërtimit të godinave të Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental, dhe në këtë rast vendimi i prishjes është marrë mbi një ndërtesë që nuk ka qenë në pronësi të Bashkisë Tiranë.

Ndërsa akuza ndaj Këshillit Teknik të Bashkisë Tiranë lidhet me faktin se ka vepruar për një leje ndërtimi që në fakt duhet ta merrte KKT-ja e Republikës.

Sa i përket drejtuesit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Tiranë, akuza që qëndron ndaj tij është konsumim i veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkatërrimit të pronës”, pasi ka kryer veprime aktive në kundërshtim me ligjin duke shembur godinën, për të cilën nuk kishte një vendim të ligjshëm, pasi objekti nuk ka figuruar i regjistruar.

Juristi Adriatik Lapaj në deklaratën para mediave u shpreh se shembja e Teatrit Kombëtar ka qenë e paligjshme dhe të gjitha vendimmarrjet e mëpasshme që pasohen mbi këto shkelje janë shkelje zinxhir.

“Sa më shumë lexojmë aq më shumë kuptojmë që nuk janë zbatuar procedurat . Organet e drejtësisë do duhet t’i kishin iniciuar vetë këto procese, por nuk e kanë bërë, nuk e di pse nuk e kanë bërë. Uroj që ëkto që kanë sjellë aktivistët për mbrojtjen e Teatrit ti marrin në konsideratë dhe ti dokumentojnë sic duhet. Konstatohet që ka shkelje të gjithanshme dhe në gjykimin tonë prishja e godinës së Teatrit Kombëtar  ka qenë e paligjshme. IKMT-ja ka siguruar shembjen e një objekti pa një vendim të ligjshëm , Këshilli Teknik i Bashkisë Tiranë ka bërë shkeljen pasi është shprehur për një leje ndërtimi që nuk i takon dhe do duhej ta merrte këtë KKT-ja e Republikës , ndërkohë që Këshilli Bashkia ka marrë një vendim për prishjen e një prone e cila nuk ka qenë në pronësi të vet”,-argumentoi juristi Lapaj.

Për Ervin Gocin, aktivist i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, kallëzimi i sotëm ka për qëllim denoncimin e marrjes së kompetencave të pushtetit lokal që në të vërtetë nuk i ka.

“Kallëzimi i sotëm në fakt ishte një kallëzim që kap gjithë zinxhirin e vendimmarrjes dhe në fund fare do të denoncojë një mbivendosje që bën pushteti qëndror nga njëra anë dhe pushteti lokal që merr ca kompetenca që nuk ka. Në këtë aspekt ne konsiderojmë që Këshilli Bashkiak nuk ka asnjë lloj tagri të marrë vendim për prishjen e një institucioni.  VKM-ja e kalimit është një akt antiligjor sepse nuk e njeh asnjë lloj ligji që Ministria duhet t’ja kalojë papritur një ditë një institucion kombëtar, t’ja kalojë një insitucioni lokal që është bashkia, duke i kthyer artistët dhe gjithë stafin nga artista kombëtarë praktikisht në artista të komunales, në një isntitucion dytësor dhe duke vrarë një insittucion, duke vrarë një identitet”,– u shpreh aktivisti Goci.

Sipas aktivistëve shembja e Teatrit Kombëtar është rezultat i një sërë shkeljesh të cilat do të denoncohet të gjitha.

Këto kallëzime vijnë pas padive të tjera të kryera para dhe pas shembejs së godinës së Teatrit Kombëtar. Më herët, para se godina e Teatrit Kombëtar të shembej, aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit depozituan pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë një padi për shpërdorim detyre ndaj tre ekspertëve të Institutit të Ndërtimit që firmosën akt ekspertizën për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Ndërsa në fund të muajit maj, Aleanca depozitoi pranë SPAK-ut, padi kundër ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj, drejtorit të policisë Ardi Veliu dhe kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *