Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Shpëtoni turizmin”, agjensitë dhe udhërrëfyesit në protestë për mungesën e ndihmës

Agjensitë turistike dhe udhërrëfyesit turistikë zhvilluan sot protestën e dytë para Ministrisë së Turizmit. Ata parashtruar kërkesat e tyre dhe kërkuan mbështetje ekonomike nga ky institucion për të kaluar periudhën e vështirë në të cilën ndodhen.

Gjashtë janë kërkesat kryesore të paraqitura gjatë protestave:

  • Të krijohet mundësia për ndihmë financiare për gjashtë muaj
  • Pagë minimale për një periudhë gjashtë mujore deri në një vjeçare
  • Të lobohet për hapjen e kufijve me Evropën
  • Heqjen e taksave lokale
  • Subvencionim të siguracioneve për një periudhë gjashtë mujore deri në një vjeçare
  • Transparencë dhe informacion të dedikuar për të gjithë hallkat e zinxhirit të turizmit që janë protokolle të qarta për zhvillimin e turizmit për periudhën pas Covid-19

Agjensitë turistike rezultojnë si biznese që kanë vijuar punën edhe gjatë muajve të izolimit për shkak të Covid-19, pavarësisht se  masat kufizuese penguan lëvizjen e lirë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, e cila ka ndikuar rrënjësisht në të ardhurat e këtij sektori.

Agjensitë kanë qenë gjithmonë të hapura edhe pse kufijtë kanë qenë të mbyllur. Kjo ishte gjëja më paradoksale”, u shpreh Bruna Fejzolli për Citizens Channel.

Bruna Fejzolli, punonjëse në një agjensi turistike

Lehtësimi i vetëm që ka përfituar Fejzolli gjatë pandemisë është përfitimi nga paketa e dytë financiare, por shprehet se nuk është e mjaftueshme pasi ka paguar rregullisht të gjitha taksat.

Na dhanë 400.000 lekë të vjetra, për tre muaj. Në qoftë se ti moj zonjë e dashur, në qoftë se ti me 400.000 lekë arrin të jetosh tre muaj, të paguash qira, të paguash tatime, të hash edhe bukë, ti qofsh se unë nuk ia dal dot”.

Ajo pohon se ka mbi 18 vjet që punon në këtë profesion.

Unë kam 18 vjet që e bëj këtë punë. Edhe të dua të bëj diçka tjetër, nuk e bëj dot se këtë punë e kam nën lëkurë. Është jeta ime, është gjaku im, është djersa ime. E di unë si e kam ngritur këtë punë”, përfundon Bruna Fejzolli.

Loreta Toma, e vetëpunësuar po në këtë sektor, thekson se ka paguar në mënyrë të rregullt taksat dhe siguracionet, edhe pse nuk xhiroja ka qenë inekzistente.

Loreta Toma, punonjëse në një agjensi turistike

Unë kam një agjenci turistike, që sot është e mbyllur faktikisht, pavarësisht se zoti Kryeministër thotë se nuk janë mbyllur ndonjëherë. Aktualisht ne paguajmë qira, paguajmë taksa, paguajmë siguracione. Ndërkohë, nga ana e shtetit nuk po kthehet asgjë”, u shpreh Loreta Toma

Të pranishëm në këtë protestë ishin edhe udhërrëfyesit turistikë. Ata pohojnë se operojnë në një treg me konkurrencë të pandershme dhe për këtë arsye kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve shtetërore.

Shumë guida të pacertifikuara, ushtrojnë profesionin e tyre njësoj si unë sepse nuk ka inspektorat. Gjithë ky investim, që është mbi 60.000 lekë, mua më shkon dëm. Si unë që e kam bërë këtë investim si ata që nuk e kanë bërë, jemi njëlloj”, tha Brisejd Lalaj për Citizens Channel.

Brisejd Lalaj, udhërrëfyes turistik

Ai tregon se kundrejt faktit që ka paguar mbi 60.000 lekë të reja për të marrë licencën, nuk ka mundur të përfitojë nga asnjë paketë e miratuar nga Qeveria gjatë pandemisë.

Unë nuk jam i regjistruar si biznes, nuk kam NIPT, sepse nuk i kam pas mundësitë. Por kjo nuk do të thotë që unë nuk figuroj i regjistruar si biznes, apo si i vetëpunësuar. Kjo nuk do të thotë që shteti mos të më ndihmojë”.

Licensca e Brisejd Lalaj për të zhvilluar profesionin si udhërrëfyes turistik

Kërkesa e Lalajt është që të shtyhet vlefshmëria e afatit të skandencës së certifikimit si udhërrëfyes pasi viti 2020 nuk ka pasur ecuri përsa i përket turizmit.

Duke qenë se vlefshmëria e certifikatës dhe e bedxhit është dy-vjeçare, duke pasur parasysh që ky vit është një vit i vështirë, për të mos thënë i dështuar për turizmin dhe udhërrëfyesit turistikë, kërkojmë dhe shtyrje të afatit të vlefshmërisë dhe skandencës”.

Kjo është protesta e dytë e zhvilluar brenda kësaj javë. Të punësuarit në këtë sektor lajmëruan një protestë të tretë ditën e hënë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *