Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Peticioni online: Studentët kërkojnë zerim të tarifave në universitetet publike

Aktivistë të lëvizjes “Për Universitetin” kanë ndërmarrë një peticion online ku kërkohet anulimi i tarifave të universiteteve publike për vitin akademik 2019-2020.

Peticioni i është drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe nesër në orën 11.00 do t’i dorëzohet po këtij institucioni.

Ariela Zeneli, studente dhe aktiviste, tregon si lindi nevoja e një peticioni të tillë, shtyrë nga ndodhitë në Shqipëri, të cilat ndikuan në procesin e mësimdhënies.

Ky vit akademik na përballi me shumë vështirësi, duke nisur qe nga tërmeti e deri tek situata me virusin Covid-19. Situata e pandemisë ndikoi drejtpërdrejte tek ekonomia e familjeve tona. Në të tilla kushte të pasigurisë ekonomike, ne si aktiviste hartuam një peticion ku kërkonim anulimin e tarifave“.

Prej datës 6 qershor, 7500 studentë e kanë nënshkruar atë.

Arsyeja se përse studentët janë kaq te revoltuar është pikërisht pamundësia për të paguar tarifën por gjithashtu edhe penalizimet qe disa fakultete kanë vendosur. Në grupe të vogla klase, studentet njoftohen se nëse nuk e paguajnë tarifën nuk do të hyjnë në provimet e semestrit“, tha Zeneli për Citizens Channel.

Ariela Zeneli, studente dhe aktiviste e lëvizjes “Për Universitetin”

Një tjetër studente, Xhuliana Uku, tregon se anulimi i tarifave do të ishte ndihmë e madhe për shumë familje që janë përballur me vështirësi ekonomike, si pasojë e pandemisë.

‘Arsim publik falas’ ka qenë parimi i Lëvizjes Për Universitetin ndër vite, por tani e shohim më të rëndësishme se kurrë anulimin e tarifave, si një mundësi për të lehtësuar studentët pas gjithë kësaj rënieje ekonomike që ka kapluar vendin“, shprehet Uku.

Xhuliana Uku. studente dhe aktiviste e lëvizjes “Për Universitetin”

Ajo pohon se shumë prej studentëve kanë shkëputur marrëdhënien e punës gjatë periudhës së izolimit.

Me shfaqjen e rasteve të para me Covid-19 në Shqipëri, largimin e studentëve në rrethe dhe vendosja e vendit në karantinë, ekonomia e familjeve tona u rëndua shumë. Jo të gjithë arritën ta merrnin pagën e luftës. Shumë nga studentët, që punonin gjatë studimeve, humbën punën“.

“Mësimi online, tarifat offline”

Kjo kërkesë vjen disa javë pas aksionit simbolik të lëvizjes “Për Universitetin”, ku aktivistët shpalosën banderolën “Mësimi online, tarifat offline” para Ministrisë së Arsimit dhe përsëritën kërkesën për zerim të tarifave gjatë këtij viti akademik, duke nënvizuar se leksionet online janë shoqëruar me një serë problemesh.

Video e protestës zhvilluar në maj 2020 përpara Ministrisë së Arsimit:  

https://www.facebook.com/watch/?v=239327557135689

Mësimi online ka pasur problematikat e veta, pasi shumë studentë nuk kanë pasur mjetet e nevojshme për t’u aksesuar në orët e mësimit rregullisht apo edhe për të zhvilluar detyrat që iu janë dhënë gjatë kësaj periudhe“, thotë më tej Xhuliana Uku për Citizens Channel.

Sipas urdhrit të Ministrisë së Arsimit, vetëm studentët në prag diplomimi mund të kthehen në auditore përgjatë muajit qershor, për të përsëritur leksionet.

Rikthimi në auditor u shoqërua me të tjera probleme, si pamundësia e studentëve të qyteteve të tjera për të ardhur në Tiranë dhe mungesa e përsëritjes së leksioneve të zhvilluara online“, tregon Ariela Zeneli, studente e vitit të tretë, Bachelor.

Pandemia e kthen mësimin online në një kalvar

Sipas një ankete të kryer nga lëvizja Për Universitetin, rezulton se një pjesë e madhe e studentëve janë të pakënaqur nga procesi mësimor online, duke raportuar probleme të mëdha në qasjen në internet. 44.5% nga 1570 studentë të anketuar kanë pasur akses të pjesshëm në internet dhe një pjesë dërrmuese (mbi 70%) janë të detyruar t’i ndjekin leksionet përmes telefonit celular

Këta të dhëna konfirmohen dhe nga një tjetër anketim i realizuar nga Qëndresa Qytetare. 720 studentë nga nëntë universitete u shprehën se kanë mbetur jashtë procesit mësimor online dhe një ndër shqetësimet kryesore mbetet aksesi në internet.

Jo vetëm universitetet, edhe cikli 9-vjeçar dhe gjimnazistët kanë ndeshur vështirësi në nxënie, ku mësimi është zhvilluar përmes Radio Televizionit Shqiptar dhe platformave online.

Në muajin prill, disa maturantë morën nismën “Unë i them stop stresit dhe i bëj bllok mësuesve”, ku vunë në pah problematikat shoqëruese të orëve mësimore, të kryera më së shumti në aplikacionet si “WhatsApp” apo “Messenger”.

Shqipëria është gjendur e papërgatitur para tërmetit dhe pandemisë, kundrejt faktit se në vitin 2014 janë shpenzuar rreth 3.5 milionë euro për blerjen e tabletëve dhe krijimin e klasave inteligjente që duhet të kryheshin në formë dixhitale.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *