Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Transporti publik në protestë; Procedime në polici në vend të rihapjes së shërbimit

Shqipëria hyri sot në ditën e 98-të pa transport publik.

Vendi jonë është i vetmi në rajon që vijon të mbajë të mbyllur këtë shërbim, si pasojë e masave parandaluese ndaj COVID-19.

Ky vendim ka ngjallur zemërimin e operatorëve, të cilët prej javësh po protestojnë përpara institucioneve për të kërkuar rikthimin në punë. Ata kanë kërkuar që të plotësohen pesë kërkesat e parashtruara, në mënyrë që të rifillojë aktiviteti, i përshtatur me rregullat e reja për t’u mbrojtur nga pandemia.

  1. Heqjen e akcizës dhe taksave për blerjen e karburantit nga shoqëritë e transportit publik
  2. Zbritjen e TVSH-së në shitje nga 20% në 0% për vitin 2020 dhe rikthimin e saj në nivelet e turizmit 6%
  3. Rimbursimin e kapacitetit të munguar si arsye e protokollit të sigurisë
  4. Rimbursimin e kategorive, të cilat përfitojnë shërbimin falas në burim, në respekt të ligjit nr.37, datë 10.04.2014
  5. Pagë shtesë për shtyrjen me një javë të hapjes së shërbimit

Të punësuarit në këtë sektor kanë përfituar nga paketa e dyta ekonomike me vlerë 40.000 lekë, vetëm një herë si shumë e vetme, e cila mbulon muajt e izolimit.

Kërkesat tona janë që të gjithë shoferët dhe fatorinot të dalin atje [në punë]. Na kanë dhënë për 3-4 muaj 40.000 lekë. Pse s’na japin rrogën ato? I shef këto që rrinë pa punë të gjithë? Janë fatorino, shoferë që presin rrogën. Pse, mbahet familja me 40.000 lekë?”, tha për Citizens Channel Meti Nexhipi, fatorino i linjës “Porcelan-Qendër”.

Meti Nexhipi, fatorino

Nexhipi tregon se këtë periudhë e ka kaluar me mjaft vështirësi.

Ia kemi dalë, ja kshu, kena marrë naj borxh te naj shok, na kanë sjellë naj lek, ja kshu, me halle, ça të bësh. Shyqyr që kemi naj fëmijë andej që na ndihmon. Ne nuk kemi gjë në dorë, e ka Bashkia“.

Edhe Aurel Braçe, shoferi i linjës së Porcelanit kërkon të hapet puna sa më parë.

Aurel Braçja, shofer i linjës së Porcelanit

Unë jam shofer i linjës së Porcelanit. Dolëm për të kërkuar të drejtat tona, rrogën, kemi dy muaj që nuk marrim rrogë. Kam përfituar nga paketa katërqindëshe, të na hapi punën mo se ngelëm pa lekë, pa gjë, jemi kryefamiljarë, do mbajmë shpinë“, tregon Aurel Braçja për Citizens Channel.

Kadri Kazia, mekanik, pohon se shtyrja e hapjes së transportit u bë sepse kërkesat e operatorëve nuk janë plotësuar, ai nuk e di se kur do të rifillojë shërbimi.

Kadri Kazia, mekanik

Nuk u hap sepse nuk do shteti, s’kanë ra në ujdi, sepse edhe autobusi nuk do vijë me pesë vetë, duhet mbajt distancën, duhet nafta, akciza e naftës, biletat t’i rregullojë vetë, shteti me pronarët, edhe ne të fillojmë punën“.

Policia e Shtetit shpërndan protestën dhe procedon 7 persona

Policia e shtetit ka shpërndarë sot organizmin e zhvilluar para Ministrisë së Infrastrukturës  dhe ka proceduar shtatë persona për “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”.

Sipas njoftimit të policisë, ky veprim vjen si pasojë e organizimit pa lejen e institucionit, në një kohë ku ndalohen grumbullimet dhe protestat në gjendjen e fatkeqësisë natyrore, të zgjatur deri në 23 qershor.

Më herët, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) e ka konsideruar të drejtën e tubimit dhe organizimin paqësor si liri themelore e njeriut, e garantuar nga ligje kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndalimi i protestës, sipas njoftimit të KShH, bie ndesh me praktikat e vendeve demokratike në Evropë.

Reagon Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Pas protestës, Ministria e infrastrukturës ka dalë me një deklaratë për media, duke pohuar se kërkesat e kompanive të transportit publik janë konfuze dhe sqaron se hapja e këtij sektori nuk është na tagrin e këtij institucioni por e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Në këtë deklaratë theksohet se Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë këto dy veprime:

  1. Njohja si shpenzim i zbritshëm të 100% të konsumit të naftës, nga 43% që ishte deri më sot, me një efekt prej rreth 7 milionë dollarësh në buxhetin e shtetit;
  2. Heqja e të gjitha taksave dhe tarifave vendore për subjektet e transportit publik, deri në 31 dhjetor 2020.

Shqipëria është ndër pak shtete që nuk ka hapur ende transportin publik. Citizens Channel ka intervistuar qytetarë nga gjashtë shtete fqinje, ku rezulton se disa prej tyre nuk e kanë mbyllur transportin gjatë pandemisë.

Greqia dhe Bullgaria nuk e kanë kufizuar këtë shërbim, ndërsa shtete si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Kroacia dhe Kosova e kanë hapur atë në muajin maj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

One Response

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *