Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Vëzhgim: Kufizimet nga COVID-19, “rrënojnë” turizmin dhe shërbimet në Shkodër

Autore: Anila Dushi | Citizens Channel | Shkodër

Situata e krijuar nga pandemia e COVID-19 ka ndikuar negativisht në aktivitetin e turizmit, por edhe në shërbime të tjera si ceremonitë martesore dhe mbrëmjet e maturës. Shkodra është një zonë unike për aktivitetin turistik pasi afron turizëm ujor (det, liqen, lumë), malor dhe kulturor. Anulimet e prenotimeve të bëra dhe pasiguria për të ardhmen shihen si rrënuese për këto aktivitete, pasi rreziku i falimentimit duket më pranë se asnjëherë tjetër.

Sipas burimeve zyrtare pranë Bashkisë Shkodër, numri i bizneseve të çregjistruara këtë vit është 182, ndërkohë që 97 të tjerë kanë pezulluar aktivitetin.

Kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistikë në Velipojë, Pjerin Jakaj shprehet se ndonëse sezoni turistik ka filluar, nuk ka asnjë lëvizje në drejtim të pushuesve nëpër hotele.

Pjerin Jakaj – Kryetari i Shoqatës së Operatorëve Turistik

”Nuk ka asnjë masë përgatitore  për plazhin, as çadra as shezlongë asgjë, dhe nuk ka asgjë të sigurt. Ne si operatorë turistikë jemi të përgatitur, por nuk ka kërkesa. Këtu ka ndikuar dhe mungesa e transportit me autobusë , sidomos për moshën e tretë  për shkak të pandemisë dhe lëvizjet nga qytete tjera ose dhe Kosova. Parashikimi është i zymtë. Vitin tjetër ka pasur rreth 50 000 pushues në ditë gjatë korrikut e gushtit , sivjet nuk dihet. Pushuesit nëpër hotele 99% janë kosovarë nga Kosova por dhe shtete tjera që kanë zgjedhur Velipojën. Situata këtë vit nuk është premtuese.” 

Të pyetur nga Citizens Channel, pronarët dhe punojnësit e shërbimeve të hotelerisë dhe turizmit tregojnë se ndihma nga ana e shtetit ka qenë inekzistente, me pretendimin se sezoni turistik akoma nuk ka filluar.

Altin Kaçi administratori i  njësisë administrative Velipojë, që përfshin plazhin e Velipojës dhe të Rrjollit shprehet se nga informacionet që ka marrë prej operatorëve turistikë, sivjet ka rreth 70% anulime prenotimesh për shkak të pandemisë.

Altin Kaçi administrator i NJ.A. Velipojë

“Ka ndikuar dhe mbyllja e kufirit dhe mungesa e lëvizjes nga Kosova. Dhe tani që u hap, nuk ka ardhje drejt plazhit. Parashikohet një rënie 30-40% e pushuesve për këtë sezon, krahasuar me një vit më parë. Vitin e kaluar piku i sezonit ka pasur rreth 40.000 -50.000 pushues në ditë në plazhin e Velipojës , në ditë jave, dhe në fundjavë kanë kaluar shifrën 60.000. E vetmja shpresë e turizmit në Velipojë mbeten kosovarët, por nuk duket se do të jenë të shumtë edhe ato këtë vit”,- u shpreh administratori Altin Kaçi.

Gentian Mema , drejtor  i zyrës së turizmit në bashkinë Shkodër, shprehet se ky sektor përballet me rënie të ndjeshme të aktivitetit për shkak të pandemisë.

”Sektori i turizmit, si ai në plazh por dhe turizmi malor ka rënie të prenotimeve dhe anulime të tyre. Në Theth deri tani 80% të prenotimeve janë të anuluara. Janë prenotime që zakonisht bëhen dhe një vit para , nga të huaj apo grupe e familje shqiptare nga zona të tjera të vendit. Ato prenotojnë me anë të komunikimit elektronik dhe po ashtu i kanë anuluar. Në Velipojë ka rreth 70% anulime. Turizmi do të jetë sektori më i goditur nga pandemia. Nga pushteti vendor është përgatitur një paketë fiskale me lehtësira për këtë sektor, por ajo akoma nuk është miratuar nga Këshilli Bashkiak”.

Zef Nilaj pronar i një bujtine në Lëpushë , shprehet se ky vit për turizmin malor duket i dështuar.

Zef Nilaj

”Ka  muaj që nuk punojmë fare sepse tek ne turistët vijnë që në mars, por sivjet kjo nuk ka ndodhur. Nga të huajt pothuajse 90% e turisteve kanë anuluar prenotimet e bëra. E njëjta situatë është dhe në bujtinat e tjera. Këto ditë të qershorit ka pasur dy grupe me nga 5 dhe 7 turistë shqiptarë që kanë ardhur, dhe asgjë tjetër. Ka pasur anulime dhe nga shqiptarët që preferojnë turizmin malor dhe nga të huajt”,- thotë Nilaj.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe Nikë Guri, i cili është pronar i një bujtine në Theth.

”Unë punoj kryesisht me të huaj , me austriakë e gjermanë më së shumti. Këtë vit kam investuar 5 mijë euro restaurime. Deri tani janë anuluar 90 % e prenotimeve austriake dhe gjermane. Vitin e kaluar në sezonin veror kam pasur rreth 2300 klientë. Sivjet është shumë dobët. Shteti nuk na jep asgjë, vetëm na merr taksa dhe na kontrollon. Këtë vit nuk bëhet fjalë për fitime.”

Situata e pandemisë ka ndikuar dhe tek individë, që ndonëse nuk kanë hotele apo bujtina, sezonin veror e shfrytëzojnë për të dhënë me qera ndonjë hyrje në plazh. Simon Pjeshka thotë se një hyrje apartamenti që ka në Velipojë e ka pasur të prenotuar të gjithën me “Booking”  në korrik e gusht, por të gjitha janë anuluar tashmë.

Ndërsa Luan Kapaj tregon se prej disa vitesh ai ka një hapësirë në rërë ku vendos shezlongë duke paguar të gjitha detyrimet. Periudhën e verës e shfrytëzon familjarisht pasi dhe nëna e tij është artizane që ka punuar dikur në ndërmarrjen artistike në Shkodër. Punimet e saj shiten në plazhin e Velipojës tek shëtitorja  ku ka shumë lëvizje në sezonin veror. Por këtë vit referuar rregullave të reja të frekuentimit të plazhit nuk do të ketë shezlongë dhe kjo ndikon negativisht në ekonominë e Luanit.

”Ky vit do jetë i vështirë. Nga shteti nuk përfitojmë asgjë dhe nuk ka siguri as për të ardhmen”,-thotë ai.

Luani përfaqëson një nga 218 bizneset që operojnë në fushën e shërbimeve hoteleri turizëm në Shkodër, 136 prej të cilave e kanë aktivitetin në plazhin e Velipojës.

“Jo vetëm turizmi, sezon i vështirë edhe për shërbimet”

Pandemia ka sjellë probleme ekonomike dhe tek të vetëpunësuar që merren me organizime ngjarjesh festive. Hermes Oruçaj DJ në qytetin e Shkodrës thotë se pandemia ka ndikuar negativisht edhe për profesionin e tij.

Hermes Ogruçaj

Sezoni i verës natyrshëm që ka fluksin më të madh të punës. Vendimi për ndalimin e dasmave apo edhe mbrëmjeve të ndryshme festive na ka dëmtuar shumë. Covid -19 i ka pezulluar shumë aktivitete. Një ndër to janë edhe mbrëmjet e maturës. Disa që janë anuluar ose shtyrë në një afat më të përshtatshëm, nuk dihet nëse do bëhen. Një numër i konsiderueshëm dasmash janë anuluar për momentin, ndërsa të tjera janë shtyrë pa caktuar datë se kur. Dëmi që ka shkaktuar pandemia deri më tani është rreth dy milion lekë në muaj. Sezonet e mëparshme fitimi ka shkuar deri në 15 mijë euro, ndërsa këtë sezon do jetë shumë më pak”,-thotë Hermesi për Citizens Channel.

Kjo situatë krize është ngjashëm edhe për sallonet e bukurisë apo stilistet që punojnë për ngjarjet festive.

Stilistja Zyli Sala tregon se tre muajt e fundit kanë qenë të vështirë për biznesin e saj për shkak të anulimit të shumë veshjeve të planifikuara për dasmat e këtij sezoni.

Zyli Sala, stiliste

“Unë e kam rihapur atelienë  atëherë kur u lejua dhe puna vazhdon duke respektuar të gjitha rregullat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë. Por ka pasur shumë anulime  që kur filloi kjo situate pasi nuk dihej se deri kur do të vazhdonte. Tani që e kam hapur janë të pakta ato që kanë konfirmuar porosinë duke thënë se le të jetë e bërë pavarësisht nëse dasma e planifikuar e të afërmve të tyre apo mbrëmja e maturës do bëhet apo jo”,- thotë Sala.

Ndërsa maturantët të pyetur lidhur me organizimin e mbrëmjes së maturës shprehen se nuk dinë asgjë të sigurt për zhvillimin e festës së përfundimit të shkollës.

Ne kishim gjetur e prenotuar lokalin, por nuk dihet nëse do bëhet pasi nuk lejohen grumbullimet. Ka shumë mundësi të mos bëhet, asgjë nuk është e prerë,  por duket se më shumë nuk do ketë mundësi të bëhen. Kjo pasi në evente të tilla është e pamundur ruajtja e distancës apo respektimi i rregullave të tjera “,- u shpreh një prej maturantët e të qytetit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *