Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Njoftimi i qeverisë për rihapje nuk gjen mbështetjen e shoqatave të transportit publik

Pas 3 muajsh pezullim, transporti publik u njoftua sot për të rifilluar punën, por akoma pa një datë të përcaktuar. Në një dalje publike, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se transporti do të rifillojë aktivitetin duke respektuar protokolle të veçanta sigurie.

Dua t’ju informoj për një vendim të fundit të Komitetit të Ekspertëve të cilët kanë vendosur heqjen e kufizimit për transportin publik, pra do të vijojë aktiviteti i transportit publik ndërqytetas, gjithashtu edhe brenda qytetit, por me disa masa dhe protokolle sigurie të vecanta , të cilat tashmë janë të miratuara dhe të aprovuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Dua të theksoj këtu se përdorimi i maskës gjatë udhëtimeve në transportin publik si për ata që shërbejnë dhe për qytetarët që përdorin transportin publik do të jetë e detyrueshme. Nuk do të ketë asnjë tolerancë nëse konstatohet mos respektimi i këtyre masave dhe rregullave të vendosura që janë të domosdoshme për të mbrojtur shëndetin e popullatës dhe gjithashtu për të mos lejuar përhapjen e SAR-COV-2″,- ka sqaruar Manastirliu.

Menjëherë pas deklaratës së ministres Manastirliu reaguan Shoqata Transporti Ndërqytetas dhe Rrethqytetas i Udhëtarëve (SHTNRU) dhe Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas, me një deklaratë të përbashkët, ku mohuan fillimin e punës pa u plotësuar pikat e kërkuara prej disa javësh tashmë.

“Bazuar në fjalimin e fundit të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po Ju bëjmë me dije se Unioni i Operatoreve të Transportit Publik nuk mundet të rifilloi shërbimin për sa kohë nuk është plotësuar asnjë nga pikat e kërkuara. Me anë të kësaj deklarate përgënjështrojmë Ministren e Shëndetsisë, e cila tha: “Hiqen kufizimet për transportin publik”. Për sa kohë është në fuqi Urdhri i Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës Nr.169 dt.5/6/2020 operatorët e transportit publik nuk e kanë të mundur të përballojnë kostot e respektimit të këtij protokolli, si finaciare ashtu edhe ligjore“,-thuhet në deklaratën e tyre.

Eneo Sulejmanaj, përfaqësues i SHTNRU shprehet për Citizens Channel se vendimi për hapjen e transportit publik nuk i takon Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale nuk është institucioni kompetent për vendimmarrjen e hapjes së transportit publik. Komiteti Teknik i ekspertëve është vetëm një organ këshillues. Transporti nuk fillon dot me këtë protokoll sepse kemi përgjegjësi ligjore dhe financiare të papërballueshme” ,-u shpreh Eneo Sulejmanaj.

Eneo Sulejmanaj, Kryetar i Shoqatës Transporti Ndërqytetas dhe Rrethqytetas i Udhëtarëve

Sipas Sulejmanajt, duke marrë parasysh kapacitetin që kanë mjetet e transportit për të akomoduar udhëtarë nuk mundet që ky protokoll të respektohet me këto pika dhe si rrjedhojë do të ketë gjoba që janë të papërballueshme nga kompanitë e transportit publik.

“Ne kërkojmë të hapet puna të punojmë. Nëse nuk ndryshohet ky protokoll, i cili ka pika që bien ndesh me njëra-tjetrën dhe na penalizojnë atëherë me patjetër duhet të hiqet akciza e naftës dhe tvsh-ja në shitje. Pra, ne nuk kërkojmë lekë nga shteti, por mos na merrni kaq shumë. Kolegët që pretendojnë hapjen nuk kanë dijeni për protokollin sepse dhe ata i penalizon. Ne kërkojmë hapjen sa më shpejt me vendim zyrtar, por në ndryshime në protokoll ose lehtësira financiar””,-shton ai në vijim të komunikimit.

Rixhin Qoshja, përfaqësues i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas u shpreh se puna nuk mund të nisë pa plotësimin e pikave të kërkuara më herët.

“Nuk mund të rifillojmë punën përsa kohë pikat e kërkuara qeverisë nuk janë plotësuar si edhe protokolli ka probleme thelbësore të funksionimit të tij. Nuk kemi marrë përgjigje për sygjerimet e bëra mbi protokollin e sigurisë“,- tha Qoshja.

Rixhin Qosja, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas

Më herët, në protestën e organizuar para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, punonjës dhe përfaqësues të transportit urban kërkuan plotësimin e 4 kushteve:

  1. Heqja e akcizës dhe taksave për karburantin si sektori i peshkimit
  2. Zbritja e TVSH-së në shitje nga 20%-0% për vitin 2020 dhe rikthimin në nivelin 6% si sektori i hoteleri turizmit
  3. Rimbursimi i kapacitetit të munguar si pasojë e masave kufizuese
  4. Rimbursimi në burim i kategorive të cilat përfitojnë transport falas

Sipas përfaqësuesve të dy shoqatave të transportit publik, punonjësit kanë përfituar nga paketa e dytë, por jo për periudhën e muajit të katërt.

Të gjithë punonjësit kanë përfituar nga paketa e dytë, por që tanimë kërkojnë një pagë tjetër meqë aktiviteti u shtye me 1 muaj tjetër”,-përfundon Rixhin Qoshja.

Transporti publik në ngërç?

Ngërçi në transportin publik ka qenë dominues kohët e fundit në deklaratat e njëpasnjëshme nga ana e përfaqësuesve të shoqatave të transportit publik por edhe ministrisë. Më herët ministria lajmëroi hapjen e transportit qytetas dhe ndërqytetas  në datë 15 qershor, por ky vendim u shty më pas për një afat të pacaktuar për shkak të rritjes së numrit të personave të prekur me COVID-19.

Reagimet pas këtij vendimi ishin të menjëhershme nga përfaqësuesit e transportit qytetas, të cilët kërkonin plotësimin e disa kushteve për rifillimin e punës.Të mbledhur para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë me dhjetëra punonjës protestuan për plotësimin e kërkesave adresuar insitucioneve përkatëse.

Më 19 qershor 2020, në një tjetër dalje për mediat, përfaqësuesit e shoqatave të transportit deklaruan se nëse financiarisht nuk plotësohen kërkesat e tyre nuk do të rifillojnë shërbimin.

“Nëse financiarisht nuk plotësohen këreksat tona është e pamundur që ne të rifillojmë shërbimin. Kemi dërguar në 15 qershor rishikimin e protokollit të sigurisë. Nëse nuk rishikohet, nëse nuk bëhet e mundur operimi sipas cdo vendi të botës. Nuk duhet të jetë përgjegjësi e operatorit transportues sjellja e pasagjerëve brenda në bord“,-deklaroi Qoshja, përfaqësues i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas.

Çfarë përcakton protokolli për operatorët e transportit publik?

Më 5 qershor 2020 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë publikoi një urdhër që kërkonte zbatimin e protokolleve të operimit në transportit ujor, rrugor dhe ajror. Protokolli përcaktonte marrjen e masave për mbrojtjen e personelit dhe pasagjerëve nga virusi COVID-19.

Në protokoll për transportin qytetas, pra atë urban përcaktohet ruajtja e distancës prej 1 metër dhe udhëtimi me kapacitet të reduktuar.

Rregullore e transportit qytetas

Ndërsa për transportin ndërqytetas dhe rrethqytetas redukton kapacitetin e udhëtarëve në 70%, duke respektuar pjesën e higjenizimit të mjeteve nga kompanitë dhe pronarët që i kanë në zotërim, mundësinë e ajrosjes gjatë udhëtimit me dritare hapur.

Të gjitha këto masa sipas përfaqësuesve të transportit publik janë kosto financiare që do të rëndojnë më tepër situatën e vështirë në të cilën ndodhet transporti tanimë pë shkak të pezullimit tre mujor.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *