Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Protesta në mbrojtje të natyrës përfundon në dhunë dhe arrestime

Ajo çfarë ndodhi sot ishte një dhunë e pastër e policisë, dhe këtu tregon më së miri që policët nuk u shërbejnë më qytetarëve por pushtetarëve dhe oligarkëve, sikurse u shërbejnë edhe HEC-eve“.

Kështu u shpreh Albina Ruko, aktiviste dhe pjesëmarrëse në protestën kundër hidrocentraleve, organizuar nga grupimi “Të mbrojmë lumenjtë”.

Protestuesit u mblodhën  te “Monumenti i Pavarësisë” dhe tubimi ishte planifikuar të përfundonte përballë godinës së Kryeministrisë. Policia bllokoi marshuesit dhe nuk i lejoi ata të mbërrinin në destinacionin e parashikuar.

Dhjetra policë rrethuan protestuesit gjatë marshimit dhe u kërkuan atyre të shpërndahen, teksa hasën në rezistencën e qytetarëve, të cilët kërkuan një bazë ligjore të kërkesës së tyre. Pas disa fjalimesh, policia por edhe individë civilë, kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve dhe arrestuan disa prej tyre.

Ndër të shoqëruarit në komisariat është edhe një nga organizatorët e protestës, Lavdosh Ferruni. Ai bëri me dije se ka lajmëruar policinë rreth mbajtjes së këtij tubimi, konform me ligjin.

Njoftimi i Policisë rreth zhvillimit të protestës

Protestuesit kanë rezistuar dhe kanë tentuar sërish të zhvillojnë itinerarin e planifikuar, por policia nuk i ka lejuar, dhe ka vijuar me shoqërimin e protestuesve në komisariat. Sipas dëshmive në terren, persona të veshur civil, urdhëruan policët që të vijojnë me procedurën e shoqërimit në polici të aktivistëve.

“Ndërhyni, shpërndani dhe arrestoni”

Policia, duke mos cituar asnjë nen dhe asnjë lloj vendimi të qeverisë, shefa pa uniformë, duke dhënë urdhra për të arrestuar dhe për të zmbrapsur njerëzit. Vetë kam qenë një ndër personat që është tentuar të më arrestojnë se kam protestuar dhe kam shenja dhune në krahë“, tha Albina Ruko për Citizens Channel.

Dhimitër Koleci, një tjetër pjesëmarrës, tregon se policia ka tentuar ta arrestojë por nuk ia ka arritur pasi aktivistë të tjerë i kanë dalë në mbrojtje.

Në kohën që isha aty te qoshja, aty në radio jepnin urdhra ‘Ndërhyni, shpërndani dhe arrestoni’. Që në fillim u jepnin urdhër atyre policëve, nga radioja dëgjohej“, shprehet ai.

Dhimitë Koleci, protestues

Aktivistja Alta Koleci, e angazhuar në mbrojtje të Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj, rrëfen se protesta ishte paqësore.

Shumë e dhunshme. Ne ishim në një protestë paqësore, ne s’kishim asnjë qëllim të keq. Përse duhet të ishte gjithë ajo dhunë? Për ça arsyeje? Mos prishëm gjë? Mos dhunuam njeri? Ça  bëmë? Nuk e kuptoj, nuk e di“.

Tjetërsimi i rrjedhës së protestës në sytë e pjesëmarrësve

Fillimisht u duk se policia po sigurohej për mbarëvajtjen e protestës duke u siguruar që makinat të devijonin në bulevard teksa ne po bënim marshimin drejt godinës së Kryeministrisë. Por gjithçka ndryshoi teksa kaluam kryqëzimin“, kujton Alida Karakushi, aktiviste.

Ajo rrëfen se dhuna filloi para se marshuesit të arrinin destinacionin e përcaktuar.

Alida Karakushi, aktiviste

Filloi të ushtrohej dhunë direkt fizike. Policët, për më tepër, nuk e mbajtën distancën fizike duke na shtyrë. Asnjë përgjigje nuk na u dha mbi arsyen ndërkohë që njoftimi për protestën ishte bërë tek policia sikurse duhej“, vijon më tej Karakushi, teksa pohon se nuk është hera e parë që ndeshet në dhunë policore.

Për të disatën herë ndjeva praninë e një shteti policor, e një qeverie që ka humbur legjitimitetin. Por kjo dhunë tregoi po ashtu sa cipëhollë është bërë kjo qeveri e sa shumë e frikëson dhe zëri paqësor i protestave“, përfundon ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *