Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shqipëria miraton protokollin shëndetësor për fëmijët interseks

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale miratoi pak ditë më parë “Protokollin Mjekësor për Vlerësimin e Fëmijëve me Zhvillim Gjenital Atipik”. Ky protokoll, i cili synon të përmirësojë boshllëkun ligjor për personat interseks* është hartuar në bashkëpunim me organizatën “Shërbimi Ligjor Falas Tiranë” (TLAS) dhe pritet të vihet në zbatim pas botimit në fletoren zyrtre.

*Personat me zhvillim gjenital atipik, apo personat e quajtur ndryshe interseks janë të lindurit që shfaqin karakteristika të dy gjinive, që mund të jenë të dukshme ose jo, në disa prej tyre janë të dukshme nga ndërtimi anatomik ndërsa te të tjerë ndërlidhen me funksionet e brendshme të këtyre organeve. Sipas studimeve ky grupim përbën 1.7% të popullsisë në botë.

Laurant Kollcaku, mjek pediatër në QSUT, shpjegon për Citizens Channel që përpara miratimit të protokollit, ishte familja ajo që vendos për gjininë e fëmijës.

“Protokolli i firmosur ka dy qëllime. Së pari, identifikimi i diagnozës së hershme duke përcaktuar sa e nevojshme është ndërhyrja kirurgjikale dhe sa kërcënohet jeta e foshnjes. Në rast se nuk kemi rast rreziku, qëllimi i dytë konsiston në zhvillimin e një kulture të re mjekësore, duke u munduar t’i shpjegojmë familjes se mund të presim një periudhë më të gjatë përpara se të përcaktojmë seksin, ndoshta edhe derisa fëmija të jetë i aftë të marrë vendime nga pikëpamja juridike”, shpjegon pediatri Kollcaku.

Anisa Metalla, juriste pranë qendrës TLAS shpjegon se duhet marrë në konsideratë vështirësia e familjeve të të porsalindurve interseks, ndaj është e nevojshme puna në grup, e cila përfshin këshillimin jo vetëm më mjekun por edhe me shërbimet psiko sociale.

“Punonjësit social apo psikologët, janë shërbime që duhet të jenë të akseuesshme edhe për familjet në kushte të vështira ekonomike pasi janë struktura që duhet të funksionojnë në çdo njësi administrative”, shton Metalla.

Anisa Metalla Tirana Legal Aid Society (TLAS)

Juristja Metalla thekson rolin kyç të mjekëve në këtë drejtim: “Protokolli i ri përcakton që është mjeku që duhet të drejtojë krijimin e një grupi multidisiplinar pasi për vetë familjet është e pamundur të kenë informacion apo të jenë të orientuara, në mënyrë që të jepen alternativat më të mira të mundshme”.

Sfidat në zbatimin e Protokollit

Sipas pediatrit Laurant Kollcaku është e nevojshme që të gjithë hallkat e stafit mjekësor të njihen me protokollin dhe rëndësinë e tij, duke nisur që nga konsultoret, ku krijohet kontakti i parë me mjekun. Ai thekson dhe rëndësinë e krijimit të një tabele të dhënash me të gjitha rastet, në mënyrë që të adresohen më të mirë në të ardhmen.

“Ka pasur raste kur një personel që nuk është hasur më përpara me raste të tilla, ka dhënë lajmin e parë për familjen, duke e uruar për gjininë e fëmijës, për shembull: ‘T’ju rrojë, është djalë’. Prindi e regjistron fëmijën si djalë dhe kur shfaqen problemet mjekësore, rikthehen sërisht tek ne, duke mbartur edhe probleme juridike tashmë”, shpjegon Kollcaku për Citizens Channel.

Për sa i përket regjistrimit të fëmijëve, juristja Metalla sqaron se sipas legjislacionit shqiptar fëmija duhet të regjistrohet menjëherë sapo lind, bashkë me të gjithë elementët përbërës të identitet, duke përfshirë edhe gjininë. Kjo ka sjellë që shpesh pas ndërhyrjes kirurgjikale gjinia e shënuar në gjendjen civile nuk përkon me gjininë faktike pas operacionit.

“Legjislacioni ynë nuk parashikon një moment pritje dhe kjo është mungesë e legjislacionit, jo në fushën e shëndetësisë, por në ligjin për gjendjen civile, që duhet të ndryshojë në të ardhmen, në këtë drejtim. Aktualisht ka një pengesë nga pikëpamja ligjore, por protokolli sugjeron mjekët që të orientojnë prindërit që të presin për përcaktimin final të gjinisë deri në një moment të dytë”, thotë ajo.

Koha e regjistrimit e fëmijëve interseks në Shqipëri

Përsa i përket regjistrimit të seksit të fëmijës vende të ndryshme kanë afate të ndryshme, por sipas juristes Metalla një kohë pritje edhe gjashtë muaj mund të jetë e vlefshme.

Familjet shqiptare të ndikuara edhe nga patriarkalizmi, ndikimi social, kanë aplikuar alternativën e fundit, çka do të thotë ndërhyrjen kirurgjikale, prandaj protokolli është një hap i rëndësishëm për të emancipuar praktikën mjekësore”, përfundon ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *