Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Analizë: Rritja e vdekshmërisë foshnjore vjen bashke me largimin e mjekëve gjinekologë, pediatër dhe anestezistë

Autore: D. C. | Citizens Channel

Nivelet e vdekshmërisë foshnjore kanë pasur një luhatje vitet e fundit. Kështu, sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2019 vdiqën më shumë foshnja se një vit më parë, për shkak të “ndërlikimeve në barrë, të lindjes dhe të periudhës së paslindjes”. Vdekshmëria foshnjore vlerësohet shpesh si “pasqyra” e gjendjes shëndetësore të popullatës dhe cilësisë së kujdesit shëndetësor të një vendi. Për këtë arsye, është një shqetësim i vazhdueshëm i shëndetit publik dhe prioritet i politikave shëndetësore.

Politikbërësit ndër vite raportojnë tregues pozitiv, duke e argumentuar me funksionimin e mirë të strukturave shëndetësore jo vetëm për sa i përket sistemit të evidentimit dhe ndjekjes së gruas shtatzënë, por gjithashtu edhe të gjithë mbështetjes që i është bërë sistemit të materniteteve në vend, në funksion të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore për fëmijët.

Ajo që shpesh harrohet të përmendet në raportimet për Shqipërinë, është se ku është vendi ynë në raport me vendet e tjera, të afërta me të qoftë gjeografikisht, qoftë politikisht (shifra të cilat do të analizohen në vazhdim).

Në fakt, përpjekjet për përmirësimin e cilësisë së shërbimit që ofrohet për nënën dhe fëmijën, reflektohen edhe në buxhetin e 2020. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) ka njoftuar se me buxhetin e këtij viti do të investohen 4 maternitete. Ku, do të fillohet me ndërtimin dhe rehabilitimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Sipas Projekt Buxhetit 2020-2022 për rikonstruksionin e Godinës së vjetër të Neonatologjisë dhe Obstetrikës dhe Ndërtimit të dy godinave të reja në SUOGJ “Mbreteresha Geraldine” është vënë në dispozicion një fond me vlere prej 461.6 milion leke që do të financohet në tre vite: 99.6 milion lekë (2020), 150 milion lekë (2021) dhe 212 milion lekë(2022).

Për të vijuar me investimin për ndërtimin e maternitetit të ri të Lezhës, të Beratit dhe të Kukësit.

Por, krahas përpjekjeve për përmirësimin e infrastrukturës së materniteteve, Ministria e Shëndetësisë ka një “gropë” apo mungesë të madhe në personel mjekësor. Kështu, MSHMS, përmes burimeve zyrtare konfirmon se aktualisht sistemi shëndetësor publik shqiptar ka nevojë për mjek gjinekologë, pediatër dhe anestezistë. Tre specialitetet më të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin e nënës dhe fëmijës.

Ndërkohë është e njohur mungesa e mjekëve neonatë pediatër. Për shkak të mungesës së personelit mjekësor, janë raportuar disa herë problematika në maternitetet e rretheve, dhe në disa raste ka pasur mbyllje të tyre, duke vështirësuar aksesin në shërbim shëndetësor për nënat në periudhën e shtatzënisë. Siç ka ndodhur me maternitetin e Burrelit, i cili është rikthyer aktualisht në funksion edhe pse jo me kushtet optimale, apo materniteti i Laçit.

E kontaktuar nga Citizen Channel, lidhur me këtë çështje dhe e pyetur konkretisht për shkaqet e luhatjes së treguesve të vdekshmërisë foshnjore, mjekja obstetër gjinekologe Mimoza Keta u shpreh se së pari, është shumë e rëndësishme ndjekja e shtatzënisë.

Nëse një grua nuk ndiqet mirë gjatë shtatzënisë, këto influencojnë që të lindë një fëmijë jo i shëndetshëm. Duke lindur një fëmijë jo i shëndetshëm patjetër që do kemi rritje të mortalitetit. Që në fillim kur fëmija do të konceptohet duhet bërë ai që do të quhet këshillimi parakoncepsional. Pra, një sërë ekzaminimesh dhe analizash të cilat vlerësojnë shëndetin riprodhues të nënës dhe bashkëshortit.

Një tjetër shkak i rritjes së mortalitetit foshnjor është edhe numri i pakët i lindjeve. Numri i lindjeve ka rënë, dhe duke rënë numri i lindjeve dhe duke mos pasur atë kujdes siç duhet gjatë kohës së shtatzënisë, patjetër që do sjellë rritje të moratlitetit”,- shton mjekja Keta.

Keta shton që edhe pse investimet ndër vite janë të dukshme, mungesa e mjekëve mbetet problem: “Mungesa e mjekëve obstertër nëpër rrethe janë patjetër një problematikë dhe mund të jenë ndoshta dhe një nga shkaqet e vdekshmërisë foshnjore”.

Vdekshmëria foshnjore në vite

Nëse vit pas viti, Shqipëria qëndronte e qetë sa i takon shifrave të vdekshmërisë foshnjore, në vitin 2016 situata ndryshoi. Raporti i INSTAT nxori në pah rritjen e vdekshmërisë foshnjore në Shqipëri, në krahasim me 2015-n. Gjatë vitit 2016, 277 fëmijë nën një vjeç humbën jetën nga 233 vdekje të tilla që qenë shënuar në vitin 2015.

Sikurse shihet në tabelën më lart, në vitin 2017, pati një përmirësim. Vdekshmëria foshnjore në 2017-n ishte rreth 8 vdekje për 1 mijë lindje të gjalla, kundrejt 8,7 shënuar në vitin 2016. Por, ky tregues pozitiv do të ndryshonte sërish në vitin 2018-n, ku INSTAT raportoi sërish rritje të vdekshmërisë foshnjore, pasi 8.9 foshnja vdiqën për 1000 lindje të gjalla.

Situata në 2018-n rëndohet akoma më tej pasi të dhënat e INSTAT dëshmuan gjithashtu për një rritje të vdekshmërisë amësore. Në vitin 2018, vdekshmëria amësore ishte 7.3 për 100.000 lindje nga 6.3 që ishte një vit më parë. Ky ishte niveli më i lartë i regjistruar që prej vitit 2011. Raporti i vdekshmërisë së nënës përcaktohet si numri i vdekjeve të nënës në një periudhë kohore të dhënë për 100,000 lindje të gjalla, gjatë së njëjtës periudhë kohore.

Trendi rritës u raportua nga INSTAT edhe së fundmi, ku për vitin 2019, niveli vdekshmërisë foshnjore është 10,3 për 1 mijë lindje të gjalla kundrejt 8,9 për lindje të gjalla në vitin 2018. Shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore (nën 1 vjeç) janë “ndërlikime në barrë, të lindjes dhe të periudhës së paslindjes” me 38,2 % dhe “sëmundjet që shfaqen në periudhën e rreth lindjes” me 27,6 % të kësaj grup moshe gjithsej.

Pra, dukshëm shifrat vitet e fundit janë të paqëndrueshme, ku herë pas herë Shqipëria bën hapa mbrapa.

Shkaqet e vdekjeve foshnjore 2019 Burimi: Instat

Të dhënat për Shqipërinë janë shumë larg shkallës së vdekshmërisë foshnjore në BE, ku raportohet se gjatë 10 viteve nga 2008 deri në 2018, shkalla e vdekshmërisë foshnjore në BE ra nga 4.2 vdekje për 1 000 lindje të gjalla në 3.4 vdekje për 1 000 lindje të gjalla.

Në vitin 2018, nivelet më të larta të vdekshmërisë foshnjore në BE u regjistruan në Rumani (6.0 vdekje për 1 000 lindje të gjalla), Bullgari (5.8 vdekje) dhe Maltë (5.6 vdekje), dhe më të ultat në Estoni (1.6 vdekje) dhe Slloveni (1.7 të vdekur).

Shqipëria përballë vendeve të Ballkanit

Duke e krahasuar Shqipërinë me vendet e Ballkanit, sipas shifrave të Bankës Botërore, deri në 2018, kemi një renditje dëshpëruese, ku pas Maqedonisë së Veriut, jemi vendi i dytë me nivelin më të lartë të vdekshmërisë foshnjore. Pra, jemi shumë më keq se Bullgaria, Bosnjë Hercegovina, Serbia, Kroacia, Greqia, Mali i Zi.

Sa i takon vdekshmërisë amësore, në fakt nëse i referohemi sërish të dhënave të Bankës Botërore, Shqipëria është e para në Balllkan, me nivelet më të larta. Pra, Shqipëria ka nivel më të lartë të vdekshmërisë amësore se: Kosova, Maqedonia e veriut, Mal i Zi, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Bosnjë Hercegovina, Serbia.

Të gjitha të dhënat e mësipërme tregojnë se Shqipëria me gjithë ndryshimet pozitive që ka bërë këto 20 vitet e fundit në drejtim të përmirësimit të disa prej treguesve të shëndetit riprodhues, ende është nën nivelet e rajonit evropian. Indikatorët e vdekshmërisë perinatale, amtare dhe fëminore konsiderohen ndër më të lartët në rajon.

Ndërkohë, krahas rritjes së vdekshmërisë foshnjore që analizuam më lart, ajo çfarë u pa, por nuk u theksua në 2019-n,është se ka ndryshuar edhe shkaku kryesor i vdekshmërisë foshnjore. Në vitin 2019, shkaku i parë i vdekshmërisë foshnjorë janë “ndërlikime në barrë, të lindjes dhe të periudhës së paslindjes”, një element ky, i cili nuk u analizua nga askush, ndërkohë që në vitet e mëparshme, shkaku i parë vdekshmërisë foshnjore renditej si “Sëmundje që shfaqen në periudhën rreth lindjes”.

Sa i takon këtyre shkaqeve të renditura nga INSTAT për vdekshmërinë foshnjore, mjekja obstetër gjinekologe, Mimoza Keta shpjegon se: “Treguesi i vdekshmërisë foshnjore është një tregues i rëndësishëm i shëndetit të popullatës në tërësi. Kjo tregon sesa i rëndësishëm është kujdesi jo vetëm për fëmijët por edhe për nënat shtatzëna para lindjes dhe për-rreth lindjes. Ekzistojnë në organizmin e nënës disa lloje infeksionesh që janë të qeta, asimptomatike, pa asnjë shenjë (si laktobacilet qe mund te quhet flore vaginale normale), por, në momentin e vërshimit hormonal të shtatzënisë, mund të ndryshojë pehazhi – pH në rrugët e lindjes, përnjëherë ato “ngrenë krye” dhe krijojnë terren infeksioni. Të tilla janë, për shembull; candida,  mykoplazma, ureaplazma apo infeksione të tjera në organizmin maternal si; toksoplazma, rubeola, citomegalovirusi, infeksione të cilat mund të shkaktojnë dëmtime tek fetusi, pra do lindi një fëmijë me anomali që quhet lindje e gjallë por që faktikisht bën pjesë në mortalitetin foshnjor. Këto infeksione gjatë shtatzanisë mund të shkaktojnë plasje të parakohshme të membranave amniale, pra në këto raste kemi një lindje premature.

Dhe çfarë ndodh? Sado ndonjëherë që të kujdesesh dhe ti kesh bërë të gjitha gjërat ai fëmijë prematurë rrit riskun për sëmundshmëri apo deri mortalitet, pra edhe mund te vdesë si pasojë e ketyre infeksioneve. Mundet që një nënë të ketë infeksione në rrugët e lindjes dhe rrjedhimisht kemi proces lindje të infektuar, pra ai fëmijë që del nga rrugët e lindjes aspiron nga sekrecionet e nënës dhe ndodhin ato që quhen pneumonitë e shkaktuara nga koket që ekzistojnë në rrugët e lindjes të nënës. Këtyre fëmijëve, u rëndohet shumë gjendja, dhe ndodh mortaliteti foshnjor. Pra, një përkujdesje shumë e madhe para se të lindë bebi është domosdoshmëri.

Nëse një grua nuk ndiqet mirë gjatë shtatzënisë, këto influencojnë që të lindë një fëmijë jo i shëndetshëm. Rrjedhimisht, duke lindur një fëmijë jo i shëndetshëm patjetër që do kemi rritje të  morbiditetit (sëmundshmërise) dhe mortalitetit (vdekshmërisë).

E pyetur nëse kemi nevojë për ndërmarrjen e ndonjë nisme konkrete, për të edukuar lidhur me shëndetin riprodhues, mjekja përgjigjet se:

Një nënë që do të konceptojë një fëmijë, duhet patjetër të drejtohet tek mjeku gjinekolog, para se ta konceptojë bebin, të bëjë këshillim parakoncepsional, një ndjekje të rregullt të shtatzënisë së saj dhe në fund një trajnim për personelin mami që punon brenda qendrave të lindjes, brenda materniteteve, dhe mjekët e rinj për të vlerësuar momentet kur një nënë mund të ketë lindje me rrugë vaginale dhe kur ajo nuk duhet ta lindë këtë fëmijë natyralisht.

Mendoj se vdekshmëria foshnjore do vijë gradualisht duke u ulur. Ulja e numrit të lindjeve, një nga shkaqet e rritjes së mortalitetit foshnjor.

Ka ikur koha që të bëhen lindje nëpër fshatra siç kanë qenë bërë dikur në shpitë e lindjes, të ndiqen vetëm me një mami. Kjo ka qenë shkak i rritjes së vdekshmërisë foshnjore në atë kohë. Ndërsa sot, është përmirësuar infrastruktura ndaj dhe lindjet duhet të bëhen në qendra të mëdha në prani të mjekut obstetër dhe në prani të mjekut neonatolog, kjo është zgjidhja.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *