Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Protesta kundër mbylljes së klubeve përballet me dhunë dhe ambiguitet ligjor

Punëtorë të sektorit të bareve dhe artistët kanë zhvilluar dje protestë para Kryeministrisë.

Ata kanë shfaqur kundërshtinë e tyre rreth aktit normativ të miratuar pak ditë më parë.

Akti Normativ i datës 20.07.2020, i shtuar atij të datës 15.03.2020, njofton se do të mbyllen klubet e natës, diskot, lounge-baret dhe çdo lloj shërbimi i kësaj natyre. Thyerja e këtij akti dënohet me tre milion lekë të reja dhe në rast përsëritjeje, pezullohet aktiviteti për një periudhë një-vjeçare.

Protesta është shpërndarë me dhunë nga policia dhe pesë nga protestuesit janë proceduar penalisht

Shërbimi në mjedise të mbyllura në bare, lokale dhe restorante është po ashtu i ndaluar. Vijimi i procesit të punës dënohet me gjobë prej një milion lekësh të reja dhe ripërsëritja e veprës çon në mbylljen e aktivitetit për gjashtë muaj.

Në këtë akt normativ përcaktohet ndalimi i muzikës pas orës 20.00 dhe mosrespektimi i këtij detyrimi dënohet me gjobë një milion lekë të reja dhe pezullim aktiviteti për një periudhë gjashtë mujore.

Mbi protestuesit rëndojnë tre akuza; “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Akti i ri Normativ krijon paqartësi

Enri Jahaj, zëdhënësi i Shoqatës së Bar-Restoranteve e Clubeve tregon se ligji i ri ka krijuar konfuzion te të punësuarit në këtë sektor, pasi terminologjia e përdorur është e paqartë dhe lë hapësirë për abuzime.

Në aktin Normativ, teksa listohen një game hapësirash që do të mbyllen si klubet e natës, diskot, lounge-baret, thuhet se do të mbyllen dhe  “çdo lloj shërbimi të kësaj natyre”, por nuk qartëson se kujt i referohet.

Duke qenë se ka një ngërç në shprehje, që thotë lounge, mund të keqinterpretohet nga personat përgjegjës. Për sa kohë asnjëri nga ne nuk e dimë shumë mirë kujt i referohet termi lounge, nesër të vjen një person përgjegjës, të ka inat, dhe të thotë të mbyllësh lokalin“.

Enri Jahaj, zëdhënësi i Shoqatës së Bar-Restoranteve e Clubeve

Jahaj informon se prej fillimit të pandemisë, stafi në industrinë e lokaleve është reduktuar me 20%, pasi nuk është lejuar shërbimi në mjedise të mbyllura.

Sanksionet në këtë Akt Normativ janë joproporcionale, tregon në vijim Jahaj, dhe mund të çojnë në mbylljen e bizneseve familjare.

30 milion lekë është investimi që bëhet në një bar familjar. Në qoftë se ti shkon i vë gjobë se i kap me muzikë, ata jo vetëm që nuk do nxjerrim këtë investim që kanë bërë, se ky investim pretendohet të nxirret më vite, por vjen një moment që ti i ke vënë drynin këtij biznesi“.

Zëdhënësi i Shoqatës së Bar-Restoranteve e Clubeve shprehet se ndërgjegjësimi dhe informimi i publikut do të sillte uljen e rasteve pozitive dhe do të ishte më efektive, krahas kufizimeve të kësaj natyre.

Ne duhet të punojmë fort me individin sepse individi është ai personi i cili nuk është ende i mësuar dhe i duket sikur kjo gjë do marrë fund sot ose nesër“, përfundon ai.

Protesta përshkallëzon në dhunë dhe shoqërime në komisariat

Dje ne deshëm t’i bashkoheshim protestës së thirrur në kundërshtim të mbylljes së lokaleve, por pjesëmarrja në këtë protestë ishte e pamundur sepse policia e prishi atë akoma pa filluar“, thotë Bislim Lakna për Citizens Channel, një ndër të shoqëruarit në komisarit ditën e djeshme.

Ai tregon se iu bashkua tubimit pasi Akti Normativ i miratuar do të ndikojë negativisht tek të punësuarit në këtë sektor.

Me të dëgjuar për protestën që shumë kamerierë do bënin kundër disa masave të qeverisë të cilat i linin një pjesë të madhe të tyre të papunë, ndër ta edhe disa nga shokët tanë, vendosëm për të dalë në mbështetje të tyre“.

Lakna pohon se ai, së bashku me aktivistin Klodi Leka, janë shoqëruar në komisariat dhe janë mbajtur nëntë orë radhazi, procedurë e cila u zgjat pasi ata kanë refuzuar të japin deklaratë rreth rastit.

Në komisariat mësuam se ishim të dyshuar për “prishje të rendit dhe qetësisë publike” dhe për “pjesëmarrje në tubim të paligjshëm”. Mua dhe Klodin po na mbanin më gjatë, duke zvarritur qëllimisht procedurat, se po refuzonim të jepnim deklaratë rreth rastit“, rrëfen më tej ai.

Bislim Lakna, aktivist i Organizatës Politike

Ambiguiteti ligjor rreth të drejtës së tubimit

Avokati Tauland Asllanaj tregon se ka një paqartësi ligjore në mënyrën si po trajtohet e drejta e tubimit. Akti Normativ, i miratuar në datë 15.03.2020 ndalon protestat gjatë gjithë kohëzgjatjes së pandemisë shkaktuar nga Covid-19.

Nga ana tjetër, ligji  i datës 23.4.2001, “Për tubimet“, që garanton të drejtën e tubimit paqësor, është ende në fuqi.

Gjithashtu, Asllanaj informon se në kontekstin ligjor shqiptar nuk ekziston koncepti i “marrjes së lejes” për zhvillimin e një proteste, por thjesht informimi i Policisë së Shtetit.

Leja nuk njihet fare nga ligji, është njoftimi me numrin e pjesëmarrësve, itinerarin dhe parullat apo banderolat që do përdoren“.

Avokati Asllanaj pohon se në protestat e shpërndara me dhunë gjatë periudhës së pandemisë janë bërë shpesh nga policë pa uniformë dhe numër identifikimi, çka përbën shkeje ligjore.

Tauland Asllanaj, avokat

Një pjesë e mirë e punonjësve të policisë janë ose pa numër identifikimi, madje me veshje civile dhe kjo është shkelje pikërisht e ligjit për organizimin e protestave, i cili specifikon që lejohet të marrin pjesë vetëm punonjës policie me uniformë, thjesht për të garantuar mbarëvajtjen e jo për të dhunuar qytetarët“, informon ai.

Shoqërimi me dhunë i protestuesve bie ndesh me rregullat e nxjerra nga Ministria e Shëndetësisë, ku bëhet thirrje për ruajtjen e distancës fizike.

Ministria e Shëndetësisë çdo ditë bën thirrje për respektimin rregullave të distancimit dhe masave të sigurisë, ndërkohë që një person dhunohet nga 15 punonjës policie dhe shoqërohet në komisariat. Pra, vetë shteti shkel hapur ato rregulla“.

Ndalimi dhe shpërndarja me dhunë e protestës, është shkelje e të drejtave të njeriut, përmbyll avokati Tauland Asllanaj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *