Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Seksizmi në median audiovizive shqiptare

Autor: Elion Kollçaku* | Citizens Channel

Seksizmi është paragjykim ose diskriminim i bazuar në seksin ose gjininë e një personi. Seksizmi mund të prekë këdo, por prek kryesisht gratë dhe vajzat. Sipas literaturës nga Ashmore, Del Boca & Wohlers, ka qenë e lidhur me stereotipet dhe rolet gjinore, dhe mund të përfshijë besimin se një seks apo gjini është thelbësisht superior ndaj një tjetri.

Emira Danaj, sociologe dhe pedagoge, e sheh seksizmin në mediat audiovizuale si një ndër përforcuesit e vazhdueshëm të stereotipeve dhe roleve të pabarabarta gjinore, ku gratë dhe vajzat paragjykohen, diskriminohen, poshtërohen dhe dhunohen.

“Seksizmi mund të shkojë nga një batutë diskriminuese tek një lajm apo interpretim tërësisht i gabuar i një rasti dhune që dhunon për herë të dytë vajzën dhe gruan, apo tek një ngacmim seksual në emision. Format janë të ndryshme, dëmi është i njëjtë”, thekson Danaj.

Emira Danaj, sociologe

Gazetarja Valbona Sulçe rendit disa nga situatat në të cilat media shqiptare përcjell dhe promovon përmbajtje seksiste.

“Seksizëm kemi sa herë që figurat e personazheve gra dhe vajza në filma ndërtohen sipas sterotipeve klishe të dëmshme gjinore, që vizatojnë karaktere të grave bazuar në role të vjetra gjinore, të lidhur vetëm me sferën e familjes dhe shtëpisë dhe shumë pak me atë të punës apo profesionit siç është në të vërtetë gruaja dhe vajza shqiptare sot”, thekson gazetarja  Sulçe.

Valbona Sulçe, gazetare

Valbona Sulçe shton se gazetaret dhe reporteret përballen me seksizmin kur ju mohohen të drejta elementare në punës si leja e lindjes apo mjedise të lira nga ngacmimi seksual dhe diskriminimi, për shkak të mungesave të politikave të brendshme në kompanitë mediatike.

Seksizmi dhe diskriminimi gjinor në median shqiptare

Ndërkohë, Mirela Arqimandriti, aktiviste për të drejtat e grave, e sheh këtë fenomen pak më ndryshe.

“Ne jemi një shoqëri me mentalitet të fortë paragjykues dhe diskrimininues dhe shpesh media për ‘t’i bërë qejfin këtij lloj publiku’ shkel parime të ndryshme etike kur vjen puna te paraqitja e një artikulli me subjekt një grua apo një vajzë”- thotë ajo.

Mirela Arqimandriti, aktiviste

Kur bëhet fjalë për media shqiptare, sociologia dhe pedagogia, Ermira Danaj thotë se seksizmi është shumë prezent, pothuajse në të gjithë spektrin e emisioneve, prej atyre argëtuese në ato të lajmeve apo debatet e ndryshme.

Shfaqja është e shumëfishtë, e hasim tek temat e përzgjedhura nëpër debate, tek të ftuara/it, ku gratë ftohen në përgjithësi për tema më të “lehta”, “argëtuese” dhe “jo serioze”. Temat “serioze” në përgjithësi iu lihen burrave duke përforcuar idenë e gabuar se vetëm ata janë “ekspertë”.

Kurse, problemi që parashtron gazetarja Valbona Sulçe është se studimet mbi këtë temë janë të pakta në Shqipëri dhe vetëm vitet e fundit ka patur një rritje të vëmendjes për seksizmin, kryesisht për portretizimin e grave dhe vajzave në media.

“Talk Show i dominuar nga burrat”

Një studim i vitit 2018 nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Autoriteti i Mediae Audiovizive, vë re prezencën e pakët televizive të figurave të grave dhe vajzave në programet “prime-time” të mbrëmjes, ku gratë janë pothuaj të përjashtuara nga tema të tilla që konsiderohen “burrërore” si politika apo ekonomia.

Kjo vihet re edhe nga një monitorimi i emisioneve të mbrëmjes në muajin qershor 2018. Në 14 emisionet opinion të realizuara gjatë këtij muaji, numri i burrave ishte thuajse dyfish më i lartë (57), krahasuar me atë të grave të ftuara në panel (14).

I njëjti fenomen vihet re edhe në emisionin tjetër “prime-time”, Studio e Hapur, ku në 11 emisionet e qershorit 2018 u ulën për të diskutuar 18 burra dhe vetëm 15 gra.

Publikimi “Portretizimi i grave dhe vajzave në median elektronike”, realizuar nga Valbona Sulçe, ngre një sërë shqetësimesh që lidhen me gjuhën sensacionaliste të përdorur në raportimin për dhunën me bazë gjinore, pabarazinë në opinion bërje dhe debat si edhe faktin se tema që lidhen me ngacmimin seksual mbeten ende tabu.

“Objektivizmi i grave në spotet publicitare”

Një ndër rekomandimet në këtë publikim është shtimi i monitorimeve për porterizimin gjinor dhe gjuhën e përdorur në reklama.

Aktivistja, Mirela Arqimandriti nuk kursen emrat e atyre kompanive që në këndvështrimin e saj objektifikojnë vajzat dhe gratë.

“Në reklamat e ndryshme ku objekti prezantohet nga një vajzë apo grua, seksizmi është shumë i dukshëm. Bëjnë gjithmonë dallim psh reklamat e birrës ‘Korça’ që përdorin trupin e një gruaje për të nxitur klientët burra të pinë sa më shumë birrë. Po ashtu kemi raste të ndryshme sidomos kur gratë fillojnë të bëjnë karrierë politike që media fillon e merret me veshjet e tyre, me mënyrën e mbajtjes së flokëve etj.”- shton ajo.

“Albanian Women in Audiovisual” u krijua në tetor 2018, pikërisht pasi vuri re këtë pabarazi të theksuar që ekziston në ekran dhe jashtë ekranit për sa i takon gjinive. Disa gra krijuese me një përvojë të gjatë në media si Sabina Kodra, producente, Ema Andrea-aktore/regjisore e pedagoge, Suela Bako-aktore-regjisore, morën nismën për të artikuluar shqetësimet e tyre në këtë lëmi nëpërmjet një forme organizimi si shoqatë.

Albanian Women in Audiovisual (AWA), në vitin 2018, ka shkruar në lidhje me zbatimin e ligjit për barazinë gjinore në mediat publike dhe u zhgënjyen kur kuptuan se përfaqësimi i grave në Radio Televizionin Shqiptar (transmetuesi shtetëror), Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), dhe Qendra Kombëtare Shqiptare e Kinematografisë (QKK) ishte larg nga e drejta dhe e barabarta.

Emisionet sportive- pasqyrë e portretizimit të grave në televizion

Një nga rastet që është përmendur në studimin “Portretizimi i grave dhe vajzave në median elektronike” është ai i moderatorëve në emisionet sportive, të cilat janë të fokusuara tek futbolli, një sport tipikisht mashkullor.

“Kjo gjini e sportit kushtëzon edhe pjesëmarrjen e grave/vajzave vetëm në kufijtë e shoëbizit, pasi analizën sportive e bëjnë përgjithësisht meshkujt. Në këto kushte, të vetmet komente që mund të bëhen për të ftuarat janë veshja dhe paraqitja e tyre”, thuhet në raport.

Raporti merr në shqyrtim një monolog të gazetarit Mustafa Nano, i cili u  përhap me shpejtësi virale në rrjet, ndërkohë që nuk mungoi dhe reagimi personal i njërës prej vajzave të cituara në monolog.  Nano e quan “vulgare”, “fyese” dhe “të pashijshme” veshjen e moderatores.

Vetë Nano më vonë i ftuar në programin Zonë e Lirë në TV u përpoq të shpjegohej se qëllimi i tij nuk kishte qenë personal dhe i kërkoi falje vajzave të përmendura në monolog pa hequr dorë nga qëndrimi lidhur me veshjen televizive.

Në studim është veçuar ky moment, sepse ai mishëron në një farë mënyre një debat të nëndheshëm lidhur me emisionet sportive dhe moderatoret, të cilat dashur pa dashur përfaqësojnë edhe gjininë e tyre. Duke qenë se programet sportive zënë një pjesë të konsiderueshme në programacionin televiziv, do ishte me vend të shihej portretizimi i gjinisë në këto emisione.

Edukimi mediatik- një zgjidhje

Aktualisht në peizazhin mediatik shqiptar mbetet ende në fazën ku evidentimi dhe dokumetimi është i cunguar dhe vetë ekspertët ngrenë nevojën e krijimit të një observatori me fokus çështjet gjinore.

“Të tillë organizma ekzistojnë tashmë në vende të ndryshme të Evropës dhe më tej. Në Francë apo Spanjë shumë shpesh janë sinjalizuar incidente të tilla kur moderatorë/e kanë përdorur shprehje seksiste, raciste apo homofobe, ose kur ka pasur raste ngacmimi seksual në emision, etj. Jo vetëm kaq, por vetë spektatorët kanë reaguar dhe i kanë sinjalizuar organizmit përkatës raste të tilla, dhe kjo tregon se sa i rëndësishëm është edukimi dhe ndërgjegjësimi i publikut. Këto organizma më pas kanë marrë masat për sinjalizimin dhe dënimin e incidentit sipas rregulloreve në fuqi.”- tregon Ermira Danaj, e cila jeton prej vitesh në Paris.

Kurse, gazetarja Valbona Sulçe, për seksizmin në gazetari, vë në pah një “sekret të vogël”. “Shikoni sa mbiemra ka në artikull a kronikë. Mbiemrat janë paterica të raportimit dhe përmbajnë gjurmë të forta subjektivizmi dhe stereotipesh. Ndërsa në reklama, mund ta identifikojmë shumë lehtë kur trupi i gruas copëtohet dhe ekspozohen vetëm këmbë ose gjokse, duke i hequr kokën modeleve, aty ku qëndron mendja dhe arsyeja. Kjo bëhet pikërisht për të zhvlerësuar gruan a vajzën si qenie njerëzore dhe për ta konsideruar atë një objekt zbukurimi për sytë”- arsyeton Sulçe.

Mendoj se edukimi për media është shumë i rëndësishëm, sepse do të shtojë qasjen kritike të publikut ndaj mediave, por ky edukim duhet të plotësohet edhe me edukimin feminist, në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë të dinë c’është seksizmi, c’është diskriminimi gjinor, ngacmimi seksual, etj, dhe të mos i tolerojnë më si ‘normale’”-argumenton Ermira Danaj.

Ndërsa, gazetarja Valbona Sulçe thotë se janë dy zgjidhje: edukimi mediatik i popullsisë, përfshirë edhe gazetarët dhe profesionistët e audiovizualit dhe monitorimi rigoroz i standardeve të Këshillit të Europës për seksizmin në media.

Ndërkohë që Mirela Arqimandriti, shton se së pari duhet të shihet legjislacioni në fuqi sa i përket barazisë gjinore, si dhe të bëhet monitorimi i zbatimit të tij, dhe nevoja për plotësim-ndryshimin  e tij për t’iu përshtatur kohës. Poashtu, edhe roli i AMA-s si dhe politika të tjera detyruese, ku duhet të monitorohen, mblidhen dhe publikohen këto artikuj, të kryhen hulumtime me shembuj konkretë, të inkurajojnë zhvillimin e shkrimit të artikujve në gjuhë të pastër shqipe, jo seksiste pa gjuhë urrejtje dhe të këndshme për t’u lexuar.

Në veçanti, si përfundim  dhe të përmirësohet procesi i mbajtjes përgjegjësi për shkrime seksiste. Si dhe të bëhen përpjekje për edukimin mediatik të audiencave lidhur me identifikimin e stereotipeve të dëmshme gjinore në media dhe të nxiten të raportojnë gjuhën apo imazhet seksiste në ekran pranë autoriteteve përkatëse.

*Elion Kollçaku është një nga studentët pjesëmarrës në ciklin e moduleve online dhe trajnimeve të nismës “Empower Journalists”, organizuar nga Citizens Channel. 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *