Në 15 gusht, dhjetëra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në fshatin Rakita të Serbisë dhe hoqën tubat e hidrocentraleve në lumin Rakitska.

Grupimi “Shpëtoni zemrën blu të Evropës” informon se në 2019-ën një inspektim i  Komunës së Babusnicës kërkoi ndalimin e punimeve për shkak të një numri parregullsish dhe inspektimi i Ministrisë të Mbrojtjes së Mjedisit urdhëroi heqjen e tubacionit në gjatësi prej rreth 350 metrash.

Pavarësisht urdhrit, firma nuk i ndërpreu punimet.

Veprimtaria në këtë lumë ishin bërë pa një leje zyrtare, njofton grupimi, dhe për këtë arsye qytetarët e zonës protestonin prej kohësh, duke kulmuar me aksionin e pak ditëve më parë.

Digat mbi lumenjtë e Shqipërisë – një histori arrestimesh

Sipas një vëzhgimi të kryer nga Porta Vendore,  në Shqipëri janë miratuar 714 leje për ndërtim të hidrocentraleve. 259 prej këtyre kontratave  janë përfundimtare dhe 132 janë marrëveshje paraprake, të cilat janë nënshkruar 20 vitet e fundit.

Dhënia e lejeve mjedisore për shfrytëzimin e lumenjve në Shqipëri është shoqëruar me kundërshti të vazhdueshme nga banorët e zonave të ndryshme, të cilët shprehen se procedurat e kryera nga firmat private, shpesh janë në kundërshtim me ligjin.

Në Parkun Kombëtar Zall-Gjoçaj, pozicionuar në Mat, qarku i Dibrës, banorët janë organizuar dhe kanë zhvilluar disa protesta kundër futjes së lumit Flim dhe Urakë në tubacione.

Ata shprehen se komuniteti nuk është përfshirë në konsultime dhe se punimet janë joligjore sepse po veprohet në një zonë të mbrojtur. Matjanët kanë ngritur çadrën e rezistencës në hyrje të Parkut Kombëtar dhe për disa muaj kanë bllokuar procesin e punës të firmës private.

Çështja është dërguar paralelisht në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, por padia është rrëzuar.

Po në Mat, banorët e Madheshit janë alarmuar nga ndërtimi i “HEC-it Madhesh”, i cili është i dyti që ndërtohet në këtë fshat. Edhe më herët, ata janë organizuar por pavarësisht protestave, “HEC-i Gurra” është ndërtuar.

Sikurse më sipër, edhe në Madhesh, banorët shprehen se nuk janë përfshirë në konsultime dhe raportojnë se marrja e ujit do i detyrojë të braktisin vendlindjen, pasi zona bëhet e pabanueshme.

Në Mirditë banorët janë organizuar në protesta të vazhdueshme. Qytetarët e zonës tregojnë se mbi ta është ushtruar presion, si mjet për t’i detyruar ata që të heshtin.

Në datë 16 korrik, pesë individë nga Fani i Mirditës janë shoqëruar në komisariat dhe janë mbajtur mbi 10 orë atje. Banorët janë shoqëruar pasi kanë parë makineritë e firmës të paraqiten në terren dhe kanë kërkuar informacion prej punëtorëve të firmës “EME Energy”.

Atje pritet të ndertohen pesë hidrocentrale në lumin e Kënellës, Mirditë.

Edhe më parë janë shoqëruar në komisariat banorë të Mirditës, të cilët kanë ngritur shqetësimin e ndikimit të HEC-eve në mjedis.

Në 26 shkurt të këtij viti, katër banorë u mbajtën në komisariat disa orë rradhazi, ndër ta edhe një 87-vjeçar, pasi janë paditur për pengim të punimeve nga përfaqësues të firmës private “Shpërdhaza Energji”, që po ndërton HEC-et në zonën e Kaçinarit.

Në këtë komunë janë planifikuar të ndërtohen katër hidrocentrale. Konkretisht, punimet priten të kryhen në fshatrat Kaçinar; Arrëz; Simon dhe Shpërdhazë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu