Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Nismat për rregjistrin publik të abuzuesve seksualë si thirrje për ndërgjegjësim shoqëror

Çdo ditë të muajit qershor në orën 19:00-21:00, qëndronin përballë Piramidës në Tiranë, Paola Naçe dhe Delfina Hoxha, ndërsa mbanin në duar një pankartë të shkruar: “Eja firmos peticionin kundër përdhunuesve“.

Qytetarët, të cilëve ju tërhiqej vëmendja nga pankarta pyesnin për më shumë detaje, ndërsa nuk hezitonin edhe të vendosnin firmën e tyre si mbështetës të nismës pasi kuptojnë rëndësinë e saj.

Qytetarë duke nënshkruar peticionin

Krijimi i një regjistri publik për të gjithë individët që kanë ushtruar vepra penale të ngacmimit seksual dhe përdhunimit në Shqipëri, nuk do të ishte kaq konkret nëse nuk do të ishte bërë publik abuzimi seksual që përjetoi një 15-vjeçare nga roja i shkollës, 65 vjeç.

Në muajin qershor, paralelisht me protestën “Ti nuk je vetëm”, që mbushi sheshet e kryeqytetit në shenjë solidariteti me viktimat e abuzimit seksual, po firmosej online edhe një peticion që mbështeste krijimin e një regjistri publik për abuzuesit.

“Shumë fëmijëve shqiptarë, por edhe të rriturve, djem, vajza, burra, gra u është limituar kjo mundësi për një fëmijëri të bukur dhe për një jetë të bukur nga dhunimet e këtyre abuzuesve. Më pas peticioni që niset me këtë premisë dhe duke vazhduar me rëndësinë e të pasurit një regjistër publik u përhap jashtëzakonisht shumë edhe nga persona publikë shqiptarë dhe nga media të tjera dhe morëm 29 mijë firma brenda më pak se 48 orësh“,- shprehet Delfina, njëra nga ideatoret e këtij regjistri.

Delfina Hoxha, nismëtare e peticionit

Paola Naçe tregon se nisma lindi nga një bindje personale se identifikimi i abuzuesve do ta bëjë shoqërinë më të sigurt. Kjo ide u mbështet edhe nga Delfina, dhe të dyja bashkë u përkushtuan që të merrte vëmendjen e duhur.

Edhe pse ky peticion korri sukses online, duke grumbulluar më shumë firma se sa duheshin, vajzat u përballën me një tjetër pengesë, këtë herë ligjore.

Duhen 20 mijë firma për ta paraqitur në kuvend dhe i morëm më brenda më pak se dy ditësh, por fatkeqësisht, pasi që patëm kontakt edhe me disa juristë dhe avokatë, na shpjeguan se pavarësisht se mund t’ja paraqisnim këto firma Këshillit të Ministrave sërish këto do të ngelin në dëshirë të tyre ndërkohë që 20 mijë firma të personave që janë individë shqiptarë që kanë të drejtë vote, Kuvendi duhet ta marrë patjetër parasysh dhe menduam që kjo ishte mënyra më efektive, që mos ta linim atë viralitetin që peticioni mori vetëm online dhe të mbyllej me aq. Kështu që po dalim këtu përditë”,-rrëfen Delfina.

Peticioni iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë, të cilët e shohin si një mundësi për të zvogëluar dhunën dhe abuzimin në shoqëri.

Krijimi i një regjistri publik nuk është se ka për t’i kthyer jetën apo vitet apo ato mundësitë personave që janë përdhunuar apo kanë pasur abuzime seksuale, por shpresojmë që në të ardhmen të ulen sa më pak, qoftë për shkak të frikës të të dalit aty të emrave të këtyre personave, qoftë për frikën e opinionit publik. Shpresoj se ka për të pasur impakt”,-tregon Delfina me optimizëm.

Mbledhja e firmave përtej kufijve të Shqipërisë

Alba Qerimi është studente për drejtësi në Austri. Informacionin për hartimin e regjistrit publik për përdhunuesit ajo e mori përmes internetit dhe menjëherë shprehu dëshirën për të kontribuar me mbledhjen e firmave me shqiptarët që jetojnë në Austri.

Impakti tek shqiptarët e tjerë në shtetin ku ajo jeton ka qenë i menjëhershëm.

“Unë e nisa me idenë që të dërgoja diku tek 15-20 firma që do t’i merrja tek njerëzit dhe miqtë e mi këtu në Austri. Por duke qenë se unë kam një platformë të vogël në Instagram që quhet “vajza e ligjit”, mendova të kërkoja ndihmë dhe tek audienca që më ndiqte. Sinqerisht, nuk e kisha menduar që do kisha menjëherë mbështetje”,-rrëfen Alba për Citizens Channel.

Alba Qerimi, studente në Austri

Në vendin ku Alba jeton momentalisht nuk ka një regjistër publik për abuzuesit seksualë, por ajo nuk i sheh si dy vende të njëjta për tu krahasuar në aspektin ligjor.

Austria nuk ka një regjistër publik si ky që kërkohet në Shqipëri. Por si një studiuese e ligjit austriak mund t’ju them që Austria ka një sistem ligjor shumë të detajuar. Në Austri nuk dënohesh thjesht për aktin seksual, por dënimit tënd i shtohen dhe abuzimi fizik, mendor si edhe lloj lloj shpërblimi moral. Të gjitha këto bëjnë një mal të madh me vite dënimi që nuk del dot“,-sqaron Alba.

Ira Belegu studion në Zvicër, ku sapo është diplomuar për arkitekturë. Megjithatë, ajo informohet çdo moment për gjithçka ndodh në vendin e saj të lindjes, ku lajmet për ngjarjet e fundit të pedofilisë e bënë të ndërmerrte vetë iniciativën për të kontribuar në mbledhjen e firmave.

Mora iniciativën t’i mblidhja personalisht firmat. Nuk është e thjeshtë. Zvicra duke pasur shumë imigrantë kosovarë bën që informacioni që përcillet për firmosjen e peticionit të keqkuptohet, sepse fatkeqësisht kosovarët nuk mund të firmosin. Gjithashtu duke qenë se është e ndarë në kantone të ndryshme që flasin tre gjuhë të ndryshme, vështirësohet pjesa e komunikimit apo publiciteti rreth peticionit“,-shpjegon Ira.

Ira Belegu, studente në Zvicër

Për vijimësinë e nismës së mbledhjes së firmave përtej kufijve të Shqipërisë, Ira rrëfen se ka pasur mbështetjen e familjarëve dhe të miqve të saj.

Miqtë dhe familja ime kanë qenë mbështetës që kur peticioni u publikua online. Gjithashtu miqtë e mi të huaj kanë treguar interes dhe kanë ofruar ndihmën e tyre”.

Organizatat e shoqërisë civile: Hapa ligjore për krijimin e rregjistrit publik  

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi në fund të muajit qershor kërkesën e një sërë organizatash për fletët tip që i hap rrugën procesit ligjor mbledhjen e firmave për krijimin e një regjistri kombëtar për autorët e krimeve seksuale.

Kjo nismë u ndërmor në rrugë ligjore nga organizatat e shoqërisë civile si: Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza, Rrjeti i Fuqizimit të Gruas (AWEN) dhe Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC). Bashkë me 27 organizata të tjera i janë drejtuar edhe Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për të bërë ndryshime në Kodin Penal. Këto ndryshime sipas organizatave ë shoqërisë civile synojnë të rrisin masat ndëshkuese për autorët e krimeve seksuale, të ndryshohet përkufizimi i përdhunimit, të mbikqyren autorët e krimeve seksuale dhe të dërgohen abuzuesit në shërbime të specializuara rehabilitimi.

Përpos krijimit të një regjistri publik me të gjithë abuzuesit seksuale, Iris Luarasi, pedagoge dhe drejtuese e Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza është shprehur publikisht edhe për mbështjetjen që i jep idesë së kastrimit kimik të pedofilëve.

E ftuar në hapësirat televizive të emisioneve të pasditeve, Luarasi ajo është shprehur se kastrimi kimik është një proces që ekziston edhe në vende të tjera të botës:

Në fakt nuk është një histori që vjen nga mesjeta, është diçka që ndodh në vendet e zhvilluara. E ke në Kalifornia që në fillim të viteve 1990 ligjin për kastrimin e pedofilëve. Në vitin 2019 është shteti i Alabamës në SHBA që miratoi ligjin për kastrimin kimik të pedofilëve, sepse duhet theksuar kjo, bëhet fjalë vetëm për kastrim kimik. Dhe elementi tjetër pastaj është se vende si Shqipëria ku njerëzit lëvizin nga një qytet të tjetrin në mënyrë të pakontrolluar, pa asnjë lloj diskutimi kjo mund të kthehet në një lloj parajse për shumë pedofilë”.

Krijimi i një regjistri publik për Luarasin ndër të tjera është një domosdoshmëri, duke marrë parasysh që jetojmë në qytete ku nuk njohim kë kemi komshinj apo banorët e lagjes.

Një pedofil që edhe mund të ketë marrë dënimin maksimal nga gjykata, mund të ndodhë që të dalë nga burgu, të ndërrojë lagjen nëse jeton në Tiranë. Apo të ndërrojë qytetin nëse jeton në një qytet tjetër dhe në momentin që ndodh kjo, asnjëri nga ne nuk e kupton që komshiu që ka ardhur me qira në apartamentin përballë është një njeri që është dënuar nga drejtësia për pedofili. Kjo kërkon nga ana tjetër jo vetëm pjesën e kastrimit kimik, por edhe bërjen e një regjistri publik dhe zyrtar për të gjithë ata që janë pedofilë”,-përfundon Luarasi.

Çfarë është kastrimi kimik?

Kastrimi, në shqip do të thotë tredhje, është heqja dhe/ose mpirja e organeve mashkullore të një kafshe ose njeriu, me qëllimin për ta bërë të paaftë të kryejë marrëdhënie seksuale ose të krijojë pasardhës. Për të realizuar kastrimin kimik përdoren medikamente të ndryshme të cilat zvogëlojnë aktivitetin seksual të individit. Disa vende që kanë të miratuar me ligj procesin e kastrimit janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, India, Izraeli, Koreja e Jugut, Zelanda e Re dhe Indonezia.

Pro dhe kundër regjistrit publik të abuzuesve

Referuar studimit të Qendrës Shqiptare Medialook, janë 98 persona të cilët kanë kryer krime seksuale me të miturit, teksa tashmë kanë përfunduar dënimin dhe janë të lirë, ndërkohë që asgjë nuk është bërë as për rehabilitimin e as për mbikqyrjen e tyre. Ndërkohë pedofilia nuk njihet si term në vendimet gjyqësore, duke u njesuar me krimet e tjera, ndërsa secili rast ka karakteristikat e tij sipas ekspertëve.

Referuar studimit, kapacitetet e shtetit shqiptar për të monitoruar abuzuesit janë të pamjaftueshme dhe drejtësia shqiptare gjendet e papërgatitur për trajtimin e rasteve të pedofilisë. Vetëm në 1 nga 151 vendime për krime seksuale me të mitur nën 14-vjeç në 10-vitet e fundit përmendet termi “pedofili” dhe është kryer ekspertim për të diagnostikuar atë, por nuk është dhënë asnjë dënim plotësues për trajtim mjekësor të tyre (neni 60/11), pavarësisht se 25% e tyre janë konfirmuar nga organet e hetimit si recidivistë.

Për Elvin Lukun, pedagog dhe drejtues i Qendrës Medialook, krijimi i një rregjistri publik është i domosdoshëm, por me akses të kufizuar vetëm të institucioneve përkatëse që merren me hetimin e kësaj fushe.

Në studimin e Medialook pasi u analizua në një përqasje krahasuese legjislacioni në SHBA dhe praktika e GJEDNJ-së ne arritëm në përfundim se “për autorët e krimeve seksuale është e nevojshme që të krijohet një regjistër elektronik me akses të kufizuar vetëm të institucioneve që mund ta përdorin atë për shkak të detyrës, duke i profilizuar në tre kategori sipas rrezikshmërisë së tyre.

Elvin Luku, drejtues i Qendrës Mediatike Medialook

Kjo do të ndihmonte organet vendimmarrëse (gjykatën dhe prokurorinë) në marrjen e vendimeve të drejta dhe efektive si dhe do të ndihmonte organet e tjera sikurse është policia dhe Shërbimi i Provës në mbikëqyrjen dhe gjurmimin e këtyre shtetasve me qëllim mos përfshirjen e tyre në akte të tjera të dënueshme dhe mbrojtjen e interesit publik (sidomos të miturve),”-sqaron Luku.

Sipas Lukut, retorika publike për të pasur një regjistër publik të aksesueshëm nga të gjithë është boshe.

“Për mendimin tim, diskutimi për një regjistër me akses masiv publik është një retorikë boshe që u intereson vetëm personave apo organizatave të caktuara për qëllime apo përfitime të momentit. Kjo çështje u duhet lënë në dorë juristëve dhe ekspertëve të interpretimit të ligjit. Në kuadër të hulumtimit të MediaLook, nga analiza e zhvilluar prej Gjyqtares Atalanta Zeqiraj e cila ka zbërthyer praktikën e vendimeve të Strazburgut, konkretisht në vendimet Gardel V France, B.B v France, M.B v France ka konkluduar se “Detyrimi për të provuar adresën dhe për të deklaruar ndryshimet e adresës brenda dy javëve, megjithëse për një periudhë prej tridhjetë vjetësh nuk ishte aq serioze sa që ajo të trajtohej si një ndëshkim, por  si një masë parandaluese dhe për rrjedhojë nuk është cenuar neni 7 i KEDNJ-së dhe parimi i fuqisë prapavepruese të ligji”. Nga ana tjetër Strazburgu parashikon që ky informacion të aksesohet vetëm nga organet kompetente dhe jo të jetë i hapur për të gjithë pasi “mbrojtja e të dhënave personale përbën një aspekt të rëndësishëm për gëzimin e së drejtës private e familjare”,-përfundon Elvin Luku

Për vajzat iniciatore të peticionit, një nismë e tillë nuk cënon të drejtat e njeriut.

“Nuk është thyerje aspak e të drejtave të njeriut sepse asnjë nga këto informacione nuk janë informacione të klasifikuara. Pra në momentin e bërjes publike të një akti dhune seksuale, dhunimi apo pedofilie, është informacion jo më i klasifikuar dhe secili mund ta shohi. Pra kjo database ekziston dhe nuk është ende publike për qytetarët siç ne besojmë se duhet të jetë në mënyrë që secili nga ne të dijë të mbrohet dhe të dijë nëse i kanë këto persona afër‘,-tha Delfina Hoxha për Citiznes Channel.

Për Alba Qerimin, studente në Austri, krijimi i një regjistri publik do të ketë impak ndihmues në shoqëri.

“Njerezit do të jenë më të vetëdijshëm për ekzistencen e abuzimeve seksuale dhe për këtë arsye do tregojnë më tepër kujdes ndaj personave me të cilët ndërveprojnë. Unë e mbështes këtë regjistër sepse do ti japi mundësi punëmarrësve të dinë se çfarë personi po punësojnë. Në Shqipërinë tonë e dië të gjithë që është e mundur të “pastrosh” dëshminë e penalitetit. Në rast se punohet mirë, vendimet e gjykatave janë të aksesueshme online dhe këta njerëz do ta kenë më të vështirë të “pastrojnë” emrin nga ky regjistër. Të gjithë do jemi më të vetëdijshëm që të mos punësojmë roje të tillë shkolle, sanitare, menaxhere e të tjerë të këtij lloji”,-argumenton Alba Qerimi.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

One Response

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *