Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studim: Ekonomia shqiptare nën efektin e pandemisë

Qëndresa Qytetare ka publikuar sot një raport rreth ndikimit të pandemisë në ekonominë shqiptare, duke analizuar politikat e ndërmarra për t’i ardhur në ndihmë subjekteve të prekura nga masat qeveritare për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.

Të dhënat e marra nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, përpunuar nga Anila Salianji, Analiste e Politikave Publike pranë Qëndresës Qytetare, tregojnë se buxheti i shtetit u rishikua tre herë pas evidentimit të rasteve të para me COVID-19 në Shqipëri, ndërkohë që pritet një reduktim në masën 63.1 miliard lekë i të ardhura buxhetore në krahasim me atë fillestar, planifikuar për vitin 2020.

Banka botërore njofton se tkurrja e ekonomisë shqiptare llogaritet si më e larta në rajon, thuhet më tej në këtë publikim.

Anila Salianji, Analiste e Politikave Publike pranë Qëndresës Qytetare

Prej izolimit të vendit në fillim të muajit mars, Qeveria Shqiptare ka miratuar dy paketa që u erdhën në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve të punësuar në sektorë private.

Paketa e parë ekonomike, e njohur ndryshe “paga e luftës” iu dorëzua të punësuarve në biznesin e vogël, të mesëm, fasonët, të punësuarit apo të vetë punësuarit që iu mbyllën aktivitetet. Kjo kategori përfitoi pagesën prej 26 mijë lekë të reja.

Paketa e dytë financiare prej 40.000 lekësh, si një shumë e cila merret një herë të vetme, u prezantua në 13 prill dhe do u vihej në dispozicion 100 mijë të punësuarve në biznese të vogla, 66 mijë punonjësve në biznese të mëdha dhe 10 mijë të punësuarve në sektorin e turizmin,

Sipas vëzhgimit të kryer nga Salianji rezulton se 167.206 punonjës përfituan nga kjo paketa, 10 mijë të punësuar më pak sesa deklaroi Kryeministri Rama. Në vijim të raportit theksohet se në periudhën mars – korrik janë mbyllur 32.400 biznese, ku 98% e tyre ishin biznese të vogla.

Citizens Channel pak ditë më parë raportoi rreth vështirësive ekonomike që kanë hasur tregtarët përgjatë rrugës së Myslym Shyrit. Mbi 22 dyqane rezultonin të boshatisur ndërkohë që dhjetëra të tjerë kishin mbyllur qepenat në një ditë të zakonshme jave.

Të dhënat nga Drejtoria e Tatimeve treguan se gjatë muajit korrik në Shqipëri janë mbyllur 28 biznese në ditë.

Qeveria Shqiptare, përmes fondit të Garancisë Sovrane ndihmoi 119 biznese  me një vlerë prej 3.1 miliardë lekësh. Gjysma e kësaj vlerë të vënë në dispozicion shkoi për 10 kompanitë më të mëdha në Shqipëri, që janë njëkohësisht përfitues të koncesioneve, informon më tej Anila Salianji. Sipas një investigimi të bërë nga Birn rezulton se këto kompani, deri në muajin maj, kishin tërhequr vetëm 24% të shumës së depozituar.

Ky studim tregon se sektori më në nevojë për ndihmë qeveritare rezulton të jetë sektori i fasonerisë, ku 44 kompani kanë përfituar 642 milion lekë, të cilat janë tërhequr deri në fund të muajit maj në masën 70%.

Anila Salianji rekomandon se:

-Qeveria duhet të vendosë fokusin në shmangien e falimentimit të bizneseve të mesme dhe të vogla. Mbështetja financiare duhet të jetë transparente, jo diskriminuese dhe masive.

-Qeveria duhet të menaxhojë me kujdes deficitin buxhetor dhe borxhin publik, i cili ka arritur shifrën rekord prej 80%. Nevojitet një shkurtim drastik i shpenzimeve operative si në nivel vendor, po ashtu edhe në nivel qendror.

-Qeveria duhet të pezullojë të paktën për 2 – 3 vite kontratat koncensionare PPP që nuk kanë filluar nga zbatimi dhe të rishikojë ato në proces.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *